Vangjush Ziko
Në librin “Vladimir Majakovski, Poezi Futuriste”, botim i Zenit Editions, 2018, Moikom Zeqo ka përmbledhur një cikël të lirikave të poetit futurist rus bashkë me dy poemat e tij “Fyelli i shtyllës kurrizore” dhe një fragment nga poema “Një re me pantallona”.
Njëzet vite më parë, kur i ka bërë këto përkthime, Moikomin e ka tërhequr më shumë zbulimi i sekretit të mjeshtërisë së figuracionit futurist të Majakovskit, gjuha e tij e figurshme metaforike dhe modeli i figuracionit universal hiperbolik, se sa synimi për të bërë një sprovë në fushën e përkthimit.
I mundshëm është dhe synimi i dyfishtë i autorit. Geni krijues i Moikomit e ka nuhatur këtë afërsi të natyrës së vet krijuese metaforike. Në këtë kuptim, këtë vëllim do ta quaja një sprovë të vyer të autorit për të përfituar nga përvoja e pararendësve të tij të mëdhenj në këtë fushë, sikurse edhe nga e gjeniut tjetër futurist, Hlebnikovi dhe më përpara akoma, nga përvoja e fluturimeve figurative të Pindarit të lashtë. Poezia është gjinia letrare më e vështirë për t’u përkthyer, për t’u rikrijuar në një gjuhë tjetër. Vështirësia e parë lidhet me specifikën e gramatikës, me morfologjinë, sintaksën, semantikën, anën tingullore të gjuhës, sa e afërt apo sa e largët është gjuha e përkthimit me gjuhën e origjinalit dhe sa i njeh dhe sa i zotëron këto përkthyesi.
Për mendimin tim, një përkthim i arritur dhe sa më pak “tradhtar”, i kërkon të dyja.
Vështirësia tjetër lidhet me stilin e autorit, me filozofinë e tij krijuese, me temperamentin, me preferencat e tij stilistike dhe estetike, me teknikën e prozodisë (vargu, metri, strofa, ritmi, rimat). Njohja e kohës historike, e stilit të rrymës apo të epokës, kur është krijuar origjinali, ka peshën e vet.
Shtysa fillestare dhe kryesore për Moikomin, do ketë qenë kërshëria, zbulimi i filozofisë krijuese futuriste, krijimtari e cila në Rusi u kthye në një rrymë që synonte një reformim të gjuhës dhe rolit të artit në këtë periudhë të trazuar historike të krizës së sistemit borgjez dhe të stuhisë së Luftës së parë Botërore.
Përkthyesi nuk është komentuesi, ai është, thjesht, një lexues inteligjent. Procesi i përkthimit është, mbi të gjitha, mjeshtëri. Si çdo mjeshtëri, ka në bazë përvetësimin e një teknike. Si në çdo zanat, përvoja është kryesorja, zbulimi i sekreteve dhe teknikave të caktuara të një diçkaje të krijuar nga një mjeshtër. Mjeshtërinë e përkthyesit unë do ta përqasja me mjeshtërinë e aktorit, mjeshtërinë e këngëtarit, të instrumentistit, që interpreton një tekst, një karakter, një melodi, një partiturë. Pra, rikrijimin e një diçkaje të krijuar jo prej tij. Dhe kjo, patjetër, kërkon një prirje, një talent, që në thelb ka imitimin. Moikomi ka ditur të operojë me kujdes në përkthimin e Majakovskit futurist.
Majakovski i jep rëndësi, jo vetëm brendisë dhe trajtimit të saj artistik dhe estetik, por edhe paraqitjes grafike të vargut, paraqitje e cila ka të bëjë me diagramën e mendimit dhe të emocionit poetik.
Ai përdor edhe strofën katërshe, por edhe strofën monokollonë, sidomos në poemat, ku gjejmë dyvargëshin e rimuar në formë strofe jo strikte, të çrregullt.
Moikomi, duke shfrytëzuar natyrën stilistike të gjuhës sonë, ka operuar me guxim duke e ndryshuar këtë strukturë rreshtore, pa e cënuar vlerën artistike të vargëzimit.
Dyvargëshin e ka kthyer në strofë, pa cënuar aspak brendinë dhe ritmin e vargut.
Në përkthimin e një poezie mund të preket vargu, metri, por kurrë ritmi dhe figuracioni.
Dhe Moikomi u qëndron besnik ritmit dhe figuracionit futurist të poezisë së poetit të madh novator rus.
Rima e Majakovskit është elementi i prozodisë më pak i nënshtrueshëm ndaj përkthimit. Moikomi është gjendur përpara një dileme të vështirë. Rimat e Majakovskit janë rima disonante dhe të larmishme. Ato janë të jashtëzakonshme.
Mund të rimojnë fjalët e fundit të dy vargjeve, fjala e fundit e një vargu me fjalën e parë të vargut tjertër, variante nga më të pabesueshmet dhe kryesisht, rima jo harmonike.
Rimat novatore të poezisë futuriste të Majakovskit janë në përputhje me dinamikën e emocioneve të tij të jashtëzakonshme, me ritmin e vargut
Ato përmbyllin si tamtamet e tamburit një marsh marcial. Këto rima nuk janë përputhje e zakonshme e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve, por përputhje disonante, asonanca zanoresh dhe bashkëtingëlloresh të çiftesh fjalësh.
Majakovski ndjek modelin e “çastushkave”, këngëve popullore ruse. Ja disa modele të kësaj rime (rusisht): “noski’ poda’reni”/ “naski’peda’reni”; no’ç njikem/pozvono’çnji’ke; shago’v mnu/ Go’fmanu; u’lici u’zki/ kro’vi sgu’stki… Roli i tyre është tejet i rëndësishëm për vargun e Majakovskit. Ato janë të lidhura ngushtë me ritmin e vargut.
Majakovski shkruan :
“rima është fuçia me barut,
vargu fitili i saj
vargu tymon,
fuçia shpërthen,
qyteti fluturon në erë
bashkë me strofën”.
Moikomi, gati, e ka mënjanuar këtë rimë. Ka bërë ndonjë përpjekje sporadike të zbehtë. Por ka hequr dorë. Është i mendimit se rima e Majakovskit është e papërkthyeshme. Poezia futuriste e Majakovskit i jep rimës një vlerë të veçantë. Në testamentin e tij poetik “Si shkruhen vargjet”, ai shkruan: “rima të kthen te vargu i mëparshëm, të detyron ta kujtosh atë, i detyron të gjitha vargjet, të formojnë një mendim, të qëndrojnë të bashkuara”. Majakovski, pra, i jep rimës, jo vetëm rëndësi organizuese, por edhe kuptimore. Poezia e Majakovskit në përkthimin e Moikomit si dhe në përkthime të tjera në gjuhën tonë, e ka humbur, në mos fare, por e ka humbur fuqinë dhe dinamikën e rimës së tij shpërthyese dhe, bashkë me të, ka humbur diçka të veçantë nga timbri i zërit dhe nga temperamenti i tij i furishëm, poezia ka humbur diçka nga ritmi i saj tingëllues marcial. Kjo dëshmon se përkthimi i vërtetë është një mjeshtëri e vështirë.
Se të gjithë poetët e mëdhenj janë humbësa në përkthim. Kush më pak e kush më shumë. Ideale, për mendimin tim, do të ishte ajo që profetizon Pushkini në poezinë “Profeti”, po e perifrazoj metaforikisht: përkthyesi duhet ta “shkulë” gjuhën e vet dhe të “verë” gjuhën e poetit që përkthen. Të heshtë përkthyesi dhe të flasë poeti. Detyrë jo e lehtë, për të mos thënë, aq e vështirë për t’u arritur, gati e pamundur. Prandaj mbetet lapidare shprehja “tradutore, traditore”. Të paktën, kjo “tradhti’ të jetë sa më pak penalizuese për përkthyesin. Poeti ynë i madh dhe i jashtëzakonshëm avangardist, Moikom Zeqo, ka bërë maksimumin e mundshëm në këtë sprovë të më shumë se njëzet viteve më parë. Qëllimi kryesor i saj, sipas hamendësimit tim, ka qenë hulumtimi dhe zbulimi i sekretit mjeshtëror të figuracionit novator futurist të Majakovskit.
Moikomi, falë intuitës së tij artistike dhe estetike, të mjeshtërisë dhe kulturës së tij të gjithanshme, e ka përcjellë në gjuhën shqipe të plotë brendinë emocionale të kësaj lirike të angazhuar qytetare me të gjithë gamën tematike dhe problematikën e jetës së shoqërisë ruse të gati dy dekadave të fillimit të shekullit të njëzetë.
Ai përcjell emocionalisht shpirtin e revoltuar të heroit të tij lirik, që turfullon kundër realitetit borgjez, duke i bërë një kritikë të gjithanshme këtij realiteti. Moikomi na ka përcjellë bukur intonacionin e revoltuar satirik të këtij heroi si dhe tragjedinë e vdekjes së njeriut me ideale humane dhe demokratike. Moikom Zeqo e ka thithur dhe e ka përcjellë në në këtë përkthim esencën avangardiste të mjeshtërisë së poetit rus. Moikomi e ruan natyrën hiperbolike të figuracionit, ruan natyrën spontane të krahasimeve dhe spontanitetin e çuditshëm futurist. Na e ka sjellë filozofinë krijuese të Vladimir Majakovskit, njërit prej firmëtarëve më në zë të Manifestit të Futurizmit Rus të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, poezinë e tij që pati një ndikim reformues, jo vetëm në poezinë ruse.
