Moikomi dhe “universi së prapthi”

Ornela

Josif Papagjoni

Kam shkruar disa herë për letërsinë dhe eseistikën e Moikom Zeqos, madje edhe një libër para më shumë se dhjetë vjetësh: “Who is Who”.

Nuk do të kishin më shumë vlerë fjalët e mia për letërsinë e tij se sa të disa figurave imponuese të mendimit shqiptar si Akademik Rexhep Qosja: “Moikom Zeqo është krijuesi më erudit i letrave shqipe sot, me pasione dhe kulturë universale”; Dritëro Agolli: “Proza e Moikom Zeqos është një prozë e madhe, e nivelit të Umberto Eco-s”; Akademik Ali Aliu: “Rrëfimet në prozë të Zeqos janë një kopsht i madh erudicioni, kulturash dhe qytetërimesh.

Të gjitha vihen në një fill të përbashkët, edhe kur kjo duket e paimagjinueshme.

E bën këtë me lehtësinë e një magjistari, që kërcen e lëviz nëpër shekuj e hapësirë si në kopshtin e vet”;

Në këtë periudhë, unë nuk kam konstatuar asnjë shkrimtar tjetër që të ketë krijuar një vepër polidimensionale dhe estetikisht polifonike, si vepra e Moikom Zeqos”.

…Kam në dorë librin e tij “Universi së prapthi”.

Ç’ka u tha më sipër i gjen edhe në fletët e këtij libri.

Sepse Moikomi është koherent në letërsinë e tij, ka po atë stil qysh kur spikati me në fillim vitet ’70…

Janë tregime të habitshme, ku lexuesi ftohet të hyjë në një botë të çuditshme, të largët, si të mugët, herë-herë iluzive, të turbullt, mbushur përplot paradokse, si të gjendeshe në një kurth logjik, në një labirint (ai i Minotaurit për shembull).

Kur e mbaron vëllimin, ndjehesh disi i lodhur mes një rrugëtimi plot peripeci, herë-herë reale, të njëmendët, si të prekshme me dorë e të shikueshme me sy.

Ti ndjehesh as ashtu e as kështu, mbuluar nga misteri i gjithfarë historish me zanafilla mitike, religjioze, historike apo sendergjime të një mendjeje përsiatëse.

Dhe ti mbetesh si në ajër, ndonëse rri në mes të mesit, mes dritës dhe territ.

Por rishtazi i shastisur.
Rishtazi si i magjepsur.

Nga se vallë?

 Nga letërsia, trillimi, fantazia pa kufi që autori të ofron apo nga dituria, të pabesueshmet e historisë dhe jetës, të njeriut dhe dijes për të, të natyrës dhe simotrës së saj (të mundshmes a futuristes).

Moikomi aplikon shumë forma rrëfimi, por e tëra e këtij libri ngjan se luan me rilexime mitesh tretur në mendjen e njeriut të kohës së fundme, me habitë dhe paradokset që lindin syresh, duke çapuar mes një tymtaje ku gjësendet, format lëndore përmbysen dhe triumfon përfytyrimi, fantazia.

Gjendesh mes dijes dhe trillit, mes të njohurës dhe të panjohurës, kredhur në një alkimi dhe transhendencë që të huton.

Tregime si përralla moderne, tipologji onirike, surealiste.

Pastaj të tjerë që bëjnë shpjegime pandehmash shkencore, historike, kulturologjike.

Një shpjegim mes filozofisë dhe teologjisë vjen nga tregimi “Rebelimi i Nembrotit”, mbretit që guxoi të sfidonte Zotin me ndërtimin e Kullës së Babilonit, shumësia e gjuhëve (70 të tilla te ndërtuesit e kullës mitike) si moskomunikim, si ndëshkim, si absurd i pastër. “Të humbasësh mbretërinë s’është asgjë, – klith Nembroti në vetëizolimin e gjuhës unikale të zanafillës, – të humbasësh kuptimin e të folurës jetike është gjithçka”.

Vetmia e gjuhës qe e tmerrshme, e pariparueshme.

I vetmi shpëtim ishte gjuha e imazheve, instinkteve, abstragimeve.

Triumfi ishte shumësia në njësi dhe njësia në shumësi, një lojë mes Zotit dhe Njeriut.

Shkrimtari ka qejf që përmes hulumtimeve dhe rastësive të ngre hipoteza intelektuale dhe metafora letrare si me sozitë, siç bën me fytyrën e kompozitorit italian Belini me aktorin e famshëm francez të humorit Fernandelin, për të vijuar më pas me një midradije e qesëndi midis fytyrës së tij dhe futbollistit të të njohur, Mishel Platinisë.

Nga tregimet fantastike ku pllenohet një mendim i thellë filozofik i kuptimit të shoqërisë, historisë dhe vetë qytetërimitështë“Triglaciumi dhe njeriu i balonës”.

Autori bën një mea kulpa kur ka vënë në kllapa “histori e vërtetë”, sepse gjithçka është një fantazi, një trill i pastër që jep shkas për të kaluar midis ëndrrës dhe të vërtetës, si në siujdhesën e Skillës dhe Karridbës, veçse pa harruar kurrënjëherë se kufijtë mes epokave shpesh janë konvencionalë, ashtu sikurse janë edhe ndarjet mes ëndrrës dhe zhgjëndrës, të besueshmes dhe të pabesueshmes, mitit të krijuar dhe realitetit të vëzhguar ku njëherazi kalërojnë e vërteta dhe virtualja.

Më vjen keq që tregimi ndërpritet befasisht pa e zhvilluar, tashmë duke luajtur, ndoshta, me zbulimet e sotme futuriste dhe frikërat e njeriut se në këtë botë nuk është vetëm, siç mendonin se qenë tribuja e çuditshme e Triglaciumit, me tre heronjtë dhe ngjyrat: e kuqe, e blertë, blu.

Por pandehmat e së ardhmes, sa të frikshme aq dhe të habitshme, vijnë në të tjera tregime ku shkenca hyn në simbiozë me letërsinë, si te  “Kaosi i identiteteve”, e ca më ndryshe, duke provokuar në historinë e shqiptarëve me Gjergj Kastriotin dhe trashëgimtarët e tij të mundshëm te tregimi tërheqës “Ëndrra mbretërore”.

Një risemantizim të thellë pëson miti i Labirintit të Minotaurit, Ariana, Tezeu dhe filli i saj shpëtimtar, ku autori mediton se s’ka pasur kurrëfarë miti të përdhunimeve të virgjereshave kretane nga Minotauri-përbindësh gjysmë dem e gjysmë njeri.

Përkundrazi, e gjitha është sajuar si një mbulesë për të fshehur kultin e femrës si matkë dhe e vetmjaftueshme, një farë lezbizmi priftëreshash të ngujuara dhe hermafrodizmit, çka ripohon idenë e mëpasme të ontologjisë së botës dhe njeriut si raporte në dy sekset, mashkull-femër, nga pllenohet jeta, merr zjarr dashuria, dhe në fund vjen mbyllja e bukur e bashkimit gjithë epsh mes Tezeut dhe Arianës në një akt seksual thuajse parak.

Kuptimi i hershëm bie, heroizmi bëhet i kotë, i panevojshëm, absurdi shndërrohet në keqkuptimin e madh të historisë që mashtrohet duke e prodhuar po ajo vetë mashtrimin.

Në një shumicë tregimesh Zeqo bën një “konvertim” të dijes në një formë letrare tërheqëse.

Pra kemi po atë model të pëlqyer duke e derdhur njohurinë në narrativa kureshtare, mbushur rëndom me dilema e kundershti logjike, çka të sjell ndërmend teknikën retorike të përdorur herët, qysh nga antikiteti, që i parashtronte dijenitë në formë dialogu dhe më pas, në periudhën e Rilindjes Evropiane, kur shumëçka vinte përmes siluetave të rrëfimit letrar, veçse në rastin e këtyre tregimeve lënda letrare bëhet edhe më aktive.

Pra preteksti është letërsia si e tillë, jo dija dhe informacioni.

Kur i sheh të gjitha tregimet të duket se bota ka ecur mes keqkuptimeve të mëdha, gabimeve të mëdha dhe konflikti me absoluten, shpesh me hyjnoren, të amëshueshmen, mistiken dhe të parrokshmen bëhet tragjik.

Të kujtojmë tregimin “Letra e bardhë”, ku ideja hyjnore e shkrimit tëMesharit (Ungjillit) në shqip nga Gjon Buzuku vjen si vuajtja e shkrimtarit para letrës së bardhë për të kuptuar shenjat mistike të qenies.

Por këtu njohuria nganjëherë kthehet në qëllim më vete (pjesa e parë) dhe shndërrohet në pretekst të mirëfilltë letrar vetëm kur kalohet te Buzuku dhe Meshari i tij.

Zeqo, ashtu i rrëmbyer pas dijes, jo rrallë herë e përdor ligjërimin dhe narrativën letrare thjesht si një velaturë, si fill qepës, jo si brendësi estetike e formale, si vetëshprehje poetike.

Por në shumicën e tregimeve ai e tejkalon këtë mangësi dhe e tret dijen në vezullim letrar.

Bukur ngjet kjo te tregimi “Poema e Krishtit”ku ai e shndërron në personazh Fan Nolin falë një përsiatjeje që, në fakt, është e tija dhe jo e vetë Nolit, teksa komenton e hamendëson një dorëshkrim të hershëm, “Phitis Sophia”, i papranuar nga kisha dhe i shpallur si blasfemi.

Thelbi sipas shkrimtarit është: “Çdo njeri është Krisht. Vdes për shkak të ringjalljes. Ajo që i ndodh secilit i ka ndodhur të gjithëve. Çdo gjë lëviz në tingull dhe kjo është gjuha e vërtetë fizike, pikërisht se është e vetmja gjuhë e pazëvendësueshme shpirtërore”.

Pra keqkuptimi i Krishtit dhe Ungjijve të tij e ka shoqëruar nëpër shekuj  dijen, me vuajtjen e ardhur nga pamundësia për të dekriptuar kumtet e tij hyjnore përmes semantikës së fjalëve, kur në fakt gjithçka është një përzierje germash dhe tingujsh, muzikë dhe poezi, që çdo semiologji e ka të pamundur ta zbërthejë…

Brenda gjuhës parabolike M. Zeqo e skicon portretin e Nolit me vija të forta e përplot antinomi, kur thotë: “Qe i shkujdesur, por dhe i përqendruar. Shkrimtar më shumë se teolog. Sensual, por i pamartuar asnjëherë. Dashuronjës, por edhe asket.  Plak, por edhe i ri.  Përziers imoshave si lodrat çudipërhapëse të një prestigjatori. Kaledioskop gjuhësh të gjalla dhe të vdekura. I famshëm dhe absolutisht i vetmuar. Ëndërrimtar dhe ritual. Plot disfata të dukshme dhe fitore të padukshme. Kryesor dhe i rastësishëm. Protagonist dhe frymë. Shqiptar dhe njeri global. Traditë e antropomorfizuar, por me shumë risi. Njeri i lirë, për shkak të mungesës së lirisë…”

Keqkuptimi ështënjë teknikë rëndom e hasur në këto tregime dhe narrativa eseistike. Shkrimtari kërkon të hedhë dritë në tunel dhe përplëlitet tek të panjohurat e mbivendosura, herë duke dalë prej andej e herë duke mbetur aty brenda si në një rrjetë merimange.

Edhe te tregimi “Memoriali i Nitche-s”,filozofia e tij u bë një keqkuptim tragjik, teksa e motra, Elisabeth dhe i shoqi i saj, pas vdekjes sëfilozofit, ia botuan gjithëdorëshkrimet, por shpesh duke ndërhyrë në to.Filozofia e Niçes u keqkuptua dhe u shfrytëzua më pas nga nazistët dhe Hitleri si filozofia e Mbinjeriut,duke e shpallur atë “Filozofin e Rajhut të Tretë”.

Niçja u quajt madje antisemit, çka ishte në të kundërtën e mendjes dhe ndjeshmërive të tij, kundër vetë inspirimit të tij prej idolit të Zarathustrës, i ardhur si vegim diku në Zvicër, në Sils Maria, atje ku edhe dëshironte të varrosej.

Me mbështetjen e njerëzve të mëdhenj të dijes, artit dhe letërsisë, posaçërisht Harry Kesler, u projektua më 1906-1911 një memorial antropomorf madhështor, fantastik, por i frikshëm, me fytyrën e Niçes dhe simbole qytetërimesh, çka nuk u realizua.

Herë-herë Zequa i ikën rrëfimeve mitike me kuptimet e reja që u jep dhe cek dialogje me natyrë estetike e filozofike, duke ftuar sërish personazhin e tij të njohur në shumë vepra, Makabe Zaharia (alter-i i Moikom Zeqos).

Dhe ia nis me qejf të komentojë domethëniet mistike, si për ekspozitën e MKZQ (pra Moikom Zeqos) mbushur përplot kuaj, e ndër ta edhe autoportreti i tij me fytyrë kali, si për të riaartikuluar mendimin e Platonit se kuajt janë qeniet më inteligjente apo si për t’i dhënë metaforës së Xhonatan Suiftit të kuajve që mendojnë si njerëz, jo thjesht fuqinë e imazhit të trasformuar, por dhe për të lartësuar pushtetin e imazhit, ato që duken përmes thadrimit në gur, suva, pëlhurë (skulpturë pikturë) apo ato të tjerat, që rrjedhin nën tingujt e muzikës, gjer dhe tekëndrrat.

Kjo teknikë tashmë e njohur, që e sjell Makabe Zaharian si një ciceron të diturisë, arkeologjisë, religjionit vijon edhe me tregimin “Pergamenët e Kumranit”.

Këtu ai rreket mes profecive dhe realiteteve të rrëfenjave biblike me qytete të rrënuara (Sodoma dhe Gomorra), me profetë, mbretër të dikurshëm, zanafilla qytetërimesh të vdekura, me arkeologjinë e “vdekjes” së planetit dhe vetë historisë njerëzore.

Një shëtitje të bukur të mendjes bën Zeqo edhe te tregimi “Fantazma e Helenës”, e cila është më shumë një përsiatje në formë sinopsisi, se sa tregim.

Nga pandehma sfiduese e Euripidit se Helena nuk ka qenë asnjëherë në Trojë por veçse një sozi e saj, autori përthellohet në variante të mundshme kur imazhi shndërrohet në histori dhe po aty historia fsheh vetveten, rishfaqet në gjasa të ndryshme, mitizohet ose më drejtë, rimitizohet pafundësisht.

 Dhe asiherë mendja e Zeqos shpik një tjetër “filirt” me mitin e Helenës, ku pliksen e ndërkallen së toku Agamemnoni dhe kinse dashuria e tij e fshehtë ndaj Helenës, gruas së Menellaut, vëllait të vet, dhe motrës binjake, Klitenmnestrës.

Dhe e gjitha për të mbretëruar Lindje-Perëndim, duke fshehur shkakun real të Luftës së Trojës dhe shkatërrimin e saj, etj., etj.

E njëjta tenikë shihet edhe te “Sozia” për mbretin Gent të ilirëve.

Disi më ndryshe bën me tregimin “Princi i lumtur”, ku tashmë letrarësia veçse ndërkallet fare lehtë dhe personazhi i parapëlqyer, Makabe Zaharia, zvogëlohet deri në maksimum si i tillë, për t’ia lënë vendin vlerësimit kritik të autorit për shkrimtarin e famshëm anglez Oskar Uajlld, jetës dhe artit të tij, në kontradiktën fatale të homoseksualitetit, mjerimit dhe shkëlqimin estetik.

Shumë tregime në trajtë të shkurtër ngjajnë si ese, thjesht janë derdhur në një formë letrare, si “Unë nuk jam unë”, “In tenebris eksteriores”, “Mbishkrimi”, “Flutura”, “Lavdi metamorfozës”, “Emrat e Zotit”, “Pëllumbi misterioz” etj.

Tregimet sjellin dhjetëra emra të njohur të arkivave të historisë dhe mitologjisë, të cilëve u sajohet një subjekt, diku një parabolë, diku gjetkë një strukturëe lehtë narrative që ngjajnë me struktura filmike të tipit Descavery Chanell,prej ku shkrimtari derdh njohuritë e tij si dhe konceptin ndaj këtij apo atij personazhi, gjësendi.

Ai ecejaket nëpër përsiatjet e tij, ndonjëherë duke e rënduar kuptimin me tepritë dhe tundimet nga leximet,por më shpesh duke u kënaqur nga mendjeshkrepja (p.sh. tregimet: Të murosurit, Pasqyra e Savonarolës, Nestos, Kthimi i kokës, Merimanga e Louise Bourgeois-ës etj.).

Dhe pikërisht këtu, te ky damar i fortë kurshtjesjellës, ky libër për ata që grishen nga dija, fantazia, paradokset dhe mendjehapja, ia vlen të lexohet e të mësohet…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *