Petro Çerkezi
Shtëpia botuese “24 grammata” në Athinë botoi antologjinë poetike dy gjuhëshe, shqip dhe greqisht “MAGJIA E INFINITIT” të Moikom Zeqos, përkthyer prej Petro Çerkezit që pati jehonë pozitive në Greqi. Po sjellim në vijim parathënien e këtij libri, si dhe një letër të Moikomit drejtuar përkthyesit pak kohë para se të ndahej nga jeta
A ka dhimbje kujtesa? Besoj se kujtesa e dhimbjes është më e forta. Kur mbarova përkthimin e këtij libri këtë pranverë që shkoi, poeti Moikom Zeqo hynte dhe dilte në spital çdo muaj. I dërgova përkthimin dhe u ndje i lumturuar. Nuk dinte si të më falënderonte. Më ngjite në shtatë qiejt. As botimi në Amerikë nuk më dha aq shumë gëzim dhe kënaqësi, më tha në një nga bisedat tona. Më dhe frymëmarrje jete!
E kishte ëndërruar shumë një përkthim të veprës së tij në gjuhën e poezisë së madhe të Homerit, Kavafit, Seferit, Elitit, Ritsosit dhe shumë poetëve të tjerë që e kishin lënë shumë net pa gjumë duke i studiuar e thithur gjer në palcë. Zeqo është ndoshta poeti më i guximshëm i letrave shqipe, një vizionar me përmasa të mëdha që prej kohe i ka kaluar kufijtë e Ballkanit. Metafora është shtëpia e tij, simbolika qielli i tij. Frymon me malet dhe detet, ndërton shkallë me të gjithë poetët e botës, (të gjallë a të vdekur) mishëron kulturën e shekujve dhe ndërton kullën e vet fantastike me një stil modern, duke përçuar mesazhe universale. Poezia e tij është atdheu i gjithë botës dhe ai është i integruar dhe i përkushtuar në rendin apostolik të luftëtarëve iluministë. Librat e Moikom Zeqos (mbi njëqind) janë ëndrra poetike në universin prej makthesh të dekadencës së botës së sotme dhe manifest për brezat e ardhshëm. Inkandeshenca e imagjinatës së tij poetike janë shkëndija rrufeje nga qielli i epokave dhe brezave të ndryshëm.
Lajmi për shtegtimin fizik nga jeta e poetit u rrokullis si shkëmb në këmbët e familjes letrare dhe më gjerë. Profili i tij poetik kishte karakteristika profetike, njohuritë e tij enciklopedike, temperamenti dhe dinamika e tij e jashtëzakonshme, mjekra me kapelën e gjerë që të kujtonin Uitmanin e madh është portreti i tij autentik.
Zeqo padyshim është një institucion letrar, një shkollë e veçantë poetike dhe filozofike. Është poeti dhe prozatori, studiuesi, historiani, arkeologu, veprimtari social, gazetari dhe politikani i papajtueshëm. Ligjërimi i tij poetik ka një rol themelor në funksionin dhe veprimtarinë e ansamblit intelektual që karakterizon strukturën e një letërsie të re. Është zëri më i veçantë, më modern dhe më kompleks i letrave shqipe. Është sa tradicional aq edhe bashkëkohor, sa struktural aq edhe universal, me një shkrim sintetik që do ta kishte zili krijuesi i çdo vendi. Truri i tij akumulonte përherë fakte jetësore dhe letrare, i bën skanerin shoqërisë dhe kohës me predispozicion dhe përkushtim absolut e përpunon gjithçka në mekanizmin e tij artistik për të na falur krijime me vlera të rralla dhe mesazhe evropiane. Edhe në kohrat më të errëta kur çdo modernitet quhej heretizëm, kur arti i mirëfilltë mallkohej e përndiqej e kur krijuesi martirizohej, poeti Miokom Zeqo nuk ndaloi kurrë të dalë kundër rymës, të mendojë e të shkruajë ndryshe, të konceptojë, të metaforizojë e t’i kundërvihet me artin e tij regjimit, mediokritetit dhe konceptit të vjetëruar te artit të glorifikimit
Ai mbart mbi supe tragjedinë bashkëkohore të njeriut të thjeshtë që çdo ditë e më tepër humbet orintimin në labirinthin me Minotaurë, Cerberë e Centaurë. Prona e vet e patundshme është pena që bëhet e mprehtë si shtizë dhe si shpatë. Përsillet në një amfiteatër me hije, ëndrra e fantazma dhe udhëton herë me fytyrë amletiane, herë me zemërim demoniak e herë me aureolë shenjtërimi. Qëndron përpara detit dhe zhytet në të për të nxjerrë që andej amfora me mesazhe botrash te humbura, por zhytet thellë e më thellë në detin e trazuar te shpirtit njerëzor e lexon dhe e traskripton ashtu si gurin e lashtë. Zemra e tij galopon, vrapon drejt të papriturës, drejt mistereve, për t’i zbuluar ato, për të gjetur një rrobë për të mbuluar lakuriqësinë e botës që ka ftohtë e ndjen vetmi mortore.
Këtë ftohtësi vdekjeje e ndjen intensivisht, sepse për disa vjet rresht e mundonte leuçemia, por dashuria e tij e pakufishme për jetën dhe artin i jepnin forcë. Ishte i ndërgjegjshëm se koha po i mbaronte, ndaj vitet e fundit, i stërmunduar nga sëmundja, nuk e humbi kurrë shpresën dhe bënte përpjekje mbinjerëzore për të përfunduar veprën e tij. Sëmundja i ngulte sqepin si shkaba, por ai me durim Prometeu shkruante si në ethe krijimet e reja duke përpunuar njëkohësisht disa nga librat e tij. Më 15 qershor, muajin e ditëlindjes së tij, në moshën 71 vjeçare, portat e qiellit u hapën për ta pritur në panteonin e përjetësisë. Njeriu nuk e afron kurrë vdekjen e njerëzve të dashur, aq më tepër të krijuesve si Zeqo. Nuk e mendoja se do të na linte kaq shpejt. Sidoqoftë, me të gjitha përpjekjet në këtë vit të çuditshëm, kur pandemia galoponte dhe gjithçka kishte shkuar në pikën zero, i kisha duart të lidhura dhe nuk munda të përshpejtoja botimin e librit të tij. Mund t’i kisha dhënë ndoshta edhe disa ditë jetë akoma. Ajo që do t’i falte më shumë gëzim është fakti se redaktimin e poezive të tij, në këtë Antologji, e ndërmori poeti Kristo Tumanidhi, i cilin e kishte takuar nga afër Moikom Zeqon, në Shqipëri, dhe i cili e vlerësonte veçanërisht, si dhe Tumanidhi atë.
Le të jetë kjo Antologji poetike një buqetë, një depozitim shpirtëror në kujtesën e dhimbjes për humbjen e poetit Moikom Zeqo. Përkulem me venerim ndaj veprës së tij dhe i bëj thirrje lexuesit grek ta nderojë duke lexuar poezinë e tij të madhe, në gjuhën që ai adhuronte. Greken.
CURRUCULUM VITAE E MOIKOM ZEQOS
Moikom Zeqo ka lindur në qytetin e Durrësit në Shqipëri në 3 qershor 1949. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë letërsi si dhe për 2 vjet ka përfunduar studimet pasuniversitare per arkeologji dhe histori. Ka bërë kualifikime shkencore në “L’Ecole Francaise” në Romë dhe në Athinë për artin e skulpturës antike. Në vitet 1996-1997 ka studiuar për bizantologji ne Washington D.C.
Pas mbarimit të Univeristetit ka punur si redaktor në gazetën letrare “Drita” në Tiranë, pastaj si mësues në shkollën e mesme të Rogozhinës, arkeolog me Muzeun e Durrësit, specialist në Akademinë e Shkencave në “Sektorin e Artit antik dhe mesjetar”. Në vitin 1991 – 1992 ka qenë Ministër i Kultures i Shqipërisë. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet në Parlamentin e Shqipërisë, në vitin 1997 deri ne 2006 ka qenë Drejtor i Muzeut Histoirik në Tiranë. Deri pak para vdekjes më 15 qershor 2020, vazhdonte të punonte dhe të krijonte intensivisht.
Moikom Zeqo ka botuar krijimtari artistike që nga viti 1964, është autor i mbi 100 librave në poezi, në prozë, në arkeologji, histori arti, në eseistike, politikologji dhe publicistikë. Është marrë edhe me pikturë, ka peruruar 5 ekspozita personale arti.
Disa nga veprat kryesore me prozë të gjatë të Zeqos janë:
“Kështu foli Mona Liza”, “Mes Laokoontit dhe Krishtit”, “Syri i Tretë”,
“Anima Mundi”, “Gjumashët e Efesit”.
Si dhe me prozë të shkurtër librat:
“Fjalëkryqet e Babilonisë”, “Njeriu Jeshil”, “Klepsidra”, “Papagajtë e Nembrotit”,
“Shitja e Hënës”, “Centauri i fundit”, “Fata Morgana”,
si dhe shumë libra për letërsinë fëminore.
Librat poetikë të përkthyera nga poeti i shquar amerikan Wayne Miller në SHBA janë vlerësuar lart nga kritika e specializuar dhe shkrimtarë të njohur, duke e krahasuar poezinë e tij me nivelin e poetëve të tillë si: Thomas Eliot, Rilke dhe të Ernesto Cardenales.
Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në shumë gjuhë: në anglisht, italisht , frëngjisht, sërbisht, greqisht, polonisht, rumanisht, bullgarisht, turqisht si dhe në gjuhën esperanto.
Në gjuhën greke është botuar libri i tij me tregime “Kalorësit Dardanë”, ky libër poetik është libri i dytë.
MOIKOM ZEQO
LETËR PETRO ÇERKEZIT PËR POEZINË
Zëri i tjetrit, i demonit flet gjithmonë tek dikush; zëri që nuk mund të vdesë, sepse tashmë i ka mbijetuar vdekjes – poeti i vdekur rron tek dikush. Νë fazën e mbrame, poetët e fuqishëm mëtojnë t’u ngjiten të pavdekshmëve, duke jetuar tek poetët e vdekur, të cilët gjëllojnë në ta. Ky Rikthim i vonë i të Vdekurit na grish të njohim motivin zanafillor të katastrofës së mishërimit poetik.
Harold Bloom
Dear Petro Çerkezi,
Aventura e Poezisë më ka drobitur, poeti është arketipi i Jobit biblik parahamletian, ose siç shkruan Soren Kierkegard: “çfarë është poeti? – një Fatkeq, që përjeton tortura të rënda shpirtërore, klithmat dhe rënkimet shndrohen në buzët e tij në muzikë madhështore dhe demoniake.
Shortin e tij mund ta krahasosh me shortin e atyre njerëzve, të cilët i digjnin për së gjalli në një zjarr të ngadaltë brenda demit të bakërt të Falarisit: flitë nuk arrinin ta trondisnin veshin e tiranit me klithmat e tyre, që për të tingëllonin si kumbi i një muzike të ëmbël”.
Dyzimet, silepsjet, mospranimet, skepticizmi grotesk, urrejtja ndaj poetit janë të vetëkuptueshme, ekzistenciale.
Kësaj thagme nuk i shpëton askush, absolutisht.
As unë.
Vetvetja e poetit dhe vepra e tij nuk janë e njëjta gjë, identiciteti është në bigëzim fluid me një vetëdije dhe ritëm orakullor.
Krahasimi delikat dhe i vështirë i Ezra Paundit i lirikës imazhiniste me ideogramin kinez më ka torturuar intimisht, duke e pohuar jo pa ironi dyshuese dhe argëtuese.
Logosi është instrumenti i poetit, jo Fjala.
Është një ndryshim konceptual, ndonëse koncepti i Fjalës është përafërsisht i pazëvendësueshëm, por poezia është shumë më tepër se substanca linguistike, tingëllore dhe grafike.
Poezia e tejkalon teologjinë e teknikave prozadike si një ikonoklasti e rrezikshme e strukturave pitagorike muzikore dhe numerologjike.
Por edhe mitizmi suksesiv i vargut të lirë, ose i psalmologjisë nuk është absolut e përjashtues i alternativave të panjohura.
Eskatilogjia e të shkruarit apokaliptik e universalizon qytetërimin e imazheve.
Sipas Zhak Derridase destruktivizmi krijues i tekstit, ose i intertekstit është kapërcim i “gardhimit logocentrik”.
Këtu ftillëzohet një risi e patjetërsueshme e poezisë së fosilizuar nga kujtesit dhe përvojat mijëravjeçare.
Petro, miku im, në email-in ,-që më dërgoje para ca kohesh vërejtjet e tua për
dorëshkrimet e mia poetike me kujdes dhe delikatesë alegorik, më artikuloje vërejtjet e tua.
Por në thelb po parashtroj idetë e mia për Poezinë:
1) Poezia është makina më e ndërlikuar e intelektit njerëzor. Fuqia sinkronizuese e metaforës (dhe metonimisë) është e pafund in infinitus.
2) Maksimalizmi është kur punon edhe me poezinë si formë të mbyllur edhe me poezinë si formë të hapur, asnjë teknikë nuk e përjashton apriori arritjen poetike, ashtu siç nuk ka asnjë që e garanton automatikisht ky është një sekret i madh. Moskuptimi i këtij sekreti është dështim i sigurt.
2) Po struktura simetrike nuk është gjithçka.
Poezia është udhëtim i gjatë (edhe pas vdekjes) drejt vetëzbulimit.
3) Të pajtosh botën me imagjinatën do të thotë se poezia është një botë e tretë më siperane.
4) Poezia është prova dhe potenciali i intelektit njerëzor ashtu si dhe shkenca, por edhe ndryshe, shkenca dhe poezia nuk përbëjnë një simetri, por më shpesh një asimetri.
5) Ezra Paund – ka thënë: nëse poezia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet.
Edhe tërë planeti!
6) Poeti e çon gjuhën (leksikun por dhe gramatikën) jo vetëm në skajet më të largëta të kuptimshmërisë, por shumë shpesh dhe përtej saj.
Kjo është vështirë të kuptohet, akoma më pamjaftueshmërisht të përcaktohet.
7) Përsëri Ezra Paund: “poezia përfaqëson trajtën më të përqendruar të shprehjes verbale”.
8) Kur përdoret një fjalë në poezi, ka thënë George Steiner, ajo duhet të jetë shuma (sinteza) e gjithë historisë së saj të përgjithshme, të përshtatshme, potenciale, që është bërë konkrete dhe adekuate në kontekstin individual të autorit.
9). Poezia e shpërthen çdo korse parnasiane, e shkatërron dekorativitetin, qoftë edhe simbolik.
Mineralizimi i shkrimit bën që të humbasë lëvizja e mendimit të gjallë.
Midis stilit lapidaresk dhe stilit shpërthyes ripërtëritja është që në gjenezë vullkanore.
Ambiguiteti i jetës është edhe ambiguiteti i poezisë, misteri është një marramendje kinetike, imazhpllenuese.
10) Çelësi i artë është origjinaliteti, çelësi i vetiaktë.
Këtu është dilema dhe paradoksi kolosal tmerrues.
Kaosi i pamëshirshëm na tjetërson, kulti i parasë është një duel për jetë a vdekje me poezinë.”
Petrua im, idetë per Poezine më ngazëllojnë, por edhe më trembin, sepse përgjegjësia e vetëdijes bëhet gati kozmike, përderisa ekzistencialiteti detyrimisht shndërrohet në një poetikë shpëtimtare.
Sipas rikthimit të homo poeticus, fjalët na zbulojnë heshtjen e amshuar, si ekologji të shpirtit.
Poezitë e përkthyera mjeshterish në greqisht nga Petro Çerkezi, miku im i mrekullueshem, poet dhe përkthyes në bilingue në greqisht dhe në shqip janë një plotësim, ku kronologjia kalendarike e veprës sime depoziton kristalet e dhimbjes, nostalgjisë dhe revoltës, por ama në pakohësi të paklasifikueshme.
Në çastin e botimit libri s’është më imi dhe jam krejtësisht i pambrojtur, deri në
pafundësi, por nuk e fsheh kenaqësinë e papërballueshme të përkthimit në gjuhën greke, me substancën linguistike të poetëve që kanë qën ikona për mua si Kavafi, Eliti, Seferi, Ricosi etj
Falenderoj dhe shtëpinë e njohur botuese 24 grammata në Athinë që e bëri realitet estetik këtë përfaqesim.
Lukreci ka shkruar:
Est etiam magnis Heliconis montibus arbos
Floris odore hominem teatro consueta necare
Në shqip kjo profeci e përkorë tingëllon kështu:
Pranë Helikonit, rrotull Kodrës së Diturisë
Rriten pemë që mbytin Njeriun me lulen e tyre.
Është e kuptueshme Petrua im, se të shkruash poezi është të familjarizohesh me vdekjen dhe se meditimi poetik është një stilizim i vetëvrasjes.
Më përpara këtë gjë nuk e kam ditur, kurse tani e kuptoj në thelb, por s’kam ç’bëj, nuk tërhiqem dot më.
Shumë të fala.
2020
Rrespekte te madhit Moikomdhe te krahasosh kulturen , perkushtimin dhe NDERSHMERINE e tij me ministrat e sotem eshte nje tragjedi se nga kush drejtohemi nga ANONIME te mjere qe rojne ne hije dhe ikin pa i kujtuar kush
Do ishte mire qe Moikomi me Emer te huaj jo vetem te ligjeronte Greqisht por edhe te fliste Glosan (Gluhe Camce) e pare te Evropit asaj Grekes.
Ashtu sic flisnin Ilyret qe ishin pjese e Istorine (Histori “shqip”) dhe Mitho-Logise Greke.
Vetem Kbi Greke i Ilyreve, Epiroteve, Maqedhonasve, Ioneve ku eshte sot Tur-qia kane ndertuar Polis (jo Qitet ital nga Cita) me Agora,Akadhimia tou Platonis,Skolio (Shkolles “shqip’),Liqeo (Liceu) i Aristotelit,Simposio (Simpozium “shqip”),Thea-tro ku luheshin Tragodhia (tragedy “shqip”),Komo-Dhia (Komedi “shqip”),Dhrama (Drame “Shqip”) etj.
Epirotet qe nuk u turqizuan ne Vorio Epirin e Arxileas,Odhiseas,Agamemnonit,Pirros,Megas Aleksandros, Megas Kostantinos,Kastriotit etj qe ruajten Kombesine Greke per Shekuj jane Heronj ne nje vend me shumice Islamike te vetequajture Shqiperia.Shqiptaret Jane i vetmi State (Shtet “shqip”) qe eshte kaq after me Greket dhe me Antigreke nuk ie ben dot Nena.
Jane me pro Angloamerikane qe i percare ne Vorio Epir Myslimane dhe Epiri i Jugut per interesat e tyre.
Jane hajdutet e Parthenonit dhe mijera Vepra te Kombi tone Greko Ilyre.
Erdogani grek mos germo shume se do gjesh p. e sateme pastaj πισογλεντη, e do shkosh tek aziatiket e tu.
I dashur Petro, madheshtine e vlerave tuaja, e konsolidon edhe më, ngjyrimi, dinamika dhe larmia e bukur gjuhesore qe përcillni nga njera gjuhe ne tjetrën. Kjo vepër me kaq përgjegjësi e përkushtim dhe mjeshtëri nga ana juaj e një prej ikonave shqiptare, Moikom Zeqos, do shperndajë, shpirtin, talentin dhe artin shqiptar edhe në Greqi.
Uroj suksese si ngaherë.
Ligjero Mojkom, te ndrit shpirti aty ku je. Mesoji rraces se poshter nga gerke nga Anadolli se nga vijne dhe c’fare gjuhe kane folur deri dje, se sot e harruan grekqirat
Moikom Zeqo , Krenaria e Letërsisë Shqipe….
Sigurisht që Letërisa shqiptare ka shumë personalitete me të cilët mund të krenohet ,por Moikomi mbetet një nga më të Shquarit…