Moikomi, më në punë se të punësuarit

redaktor

Lexova në “DITA”, 16 qershor 2015, një përsiatje të pazakontë, për një autor të jashtëzakonshëm, Moikom Zeqon, ose të jesh një libër me autor Pirro Lolin. E përgëzoj autorin veprashumë dhe për gjinitë që ka lëvruar. Letërsia jonë duhet të krenohet me veprën e gjithanshme të dr. Moikom Zeqos, paçka se këto 10 vjet ai është i papunë!

Gjithsesi ai është më në punë se të punësuarit. E si mund të lihet në hije nga shteti dhe strukturat e tij një personalitet i tillë, i cili më shumë se partive, i shërben devotshmërisht atdheut. Shkrova dhe unë diçka për “harresën” zyrtare ndaj tij, në dy gazeta, por asnjëra nuk e botoi vëzhgimin tim të shkurtër për këtë kolos të veprave shqipe.

Librat e Moikom Zeqos kanë e do të kenë jetë të gjatë për frymën që bartin, filozofinë që shtjellojnë kuptueshëm, origjinalitetin dhe këndvështrimin e gjetur, atë mbi shfrytëzimin e arkeologjisë dhe të mitologjisë si askush tjetër në letërsinë tonë. Po ashtu veprat e tij kanë gjuhë të pastër, kolorit dhe forcë, risi, figura të qarta e peshërënda e të freskëta; të gjitha, të gjitha…

Lum ne që kemi shkrimtarë, studiues e hulumtues kaq sqimatar veprash frymëgjata si Moikom Zeqon! Ai na tregon rrugën për të sotmen e për të ardhmen. Me atë ke dëshirë të bisedosh (po më tepër ta dëgjosh), të mësosh, të këshillohesh për diçka të thjesht, të pish një kafe “kohëshkurtër”. Dhe është ai paskëtaj, si papritur, shkëputet tërë kulturë e mirësjellje, për të nisur një meditim të ri, një përsiatje, një studim apo vepër tjetër artistike, siç di ai.

Letër e nënshkruar,

Izet S. Çulli, mjek neurolog, shkrimtar

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *