Pirro Loli
(Për Moikomin si metaforë)
Kur Oscar Wild-it tha ”Dua të jem një libër”, të gjithë miqtë e tij krijues mblodhën supet me skepticizëm. Shumica nënkuptonte se ai kërkuaka shumë pak nga kjo jetë; Vetëm koha pak nga pak i dha të drejtë mjeshtrit të madh që kish folur për dëshirën e të gjithë poetëve dhe artistëve të vërtetë. Që kërkojnë pavdekësinë. Mijëra e mijëra poetë në botë lakmojnë të jenë një libër por nuk munden. I rëndësishëm është procesi, nisja, përditshmëria deri në fund të frymëmarrjes. Pavarësiash kush kualifikohet për të mos vdekur.
Nga mjediset e letërsisë sime unë zgjodha Moikom Zeqon, më produktivin, njeriun që e ka kthyer jetën në libra, të njohurin dhe të paeksplorueshmin; zgjodha poetin që vete ngrë dolli me korifejtë e letërsisë, shkrimtarin që nuk dëshëron të ngjajë me asnjë, eseistin që nuk ha bukë po libra, ha poetë, shkencëtarë, filozofë dhe shpesh herë futet nën dhe për të ngritur bustet dhe statujat modeste të të vdekurve tanë të mëdhenj. Aleksandrit, Pirros, Buzukëvë, Bogdanëve, Onufrit, Naimit, Migjenit…, zgjodha Moikomin si një metaforë të errët mbushur me rubinë të zinj. Që e ka diellin përbrenda . Zgjodha eruditin e pashoq që e ka kthyer jetën në luftë për t’i rrëmbyer dijen, poezinë ose metaforën. Dhe këta janë shkrimtarë të lindur. E nëse do kisha mundësi t’u thërrisja njerëzve të lexonin poezi, tregime romane, drama, filozofi, psikologji , teologji, metafizikë, psikoanalizë, histori arti.., pra gjithcka që përbën kulturën krijuese dhe dijen njerëzore, mos hapni enciklopedinë e ftohtë, por kërkoni Moikomin. Të gjeni njeriun. Punëtorin, eksploruesin e metaforës. Këtë metaforë vetullzezë sa fisnike e çoroditëse, aq kryelartë e sqimatare që përvecohet nga të gjithë krijuesit shqiptarë.
Ai punon nën dhe. Në një kafene budrum. Tepër mikpritëse për të gjithë poetët. (Unë them, do shkoj tek Hadi të takoj Moikomin). Ca vjen si ezmer nga fytyra, ca nga mungesa e dritës , më duhen disa minuata ta shquaj atje tek punon në trojet e tij të vetmisë, atje në Had, në një tryezë të vogël, përqafuar me djajtë dhe hyjninë e vet. Rreth e rrotull mureve ka afishuar pikturat e tij; biblioteka e tij e rrëmujshme duket silur përmban të gjitha librat e mëdha; për njeriun dhe detin, lashtësinë, Durrësin, arkeologjinë , kritikën , gjithçka, gjithcka dhe djallin me brirë…Dhe më duket se po takon një murg nga ata të mesjetës që punonin të vetmuar ngarkuar me të gjitha dijet e botës mbi shpinë.
Moikom Zeqo hyn ndër ata krijues që mendon se letrërsia nuk bëhet vetëm kur bie Hëna, ylli i mëngjezit a kur të vjen vidha. Shkrimtari është gjithmonë i karikuar; punon e shkruan me mendje e me zemër çdo ditë e çdo orë. Dhe natën. Dhe më tepër kur nuk shkruan. Sidomos në ëndërr. Të tillët si Moikomi jetojnë gjithmonë në një kryqëzim ere përballë natës. Ai dhe banaliteti i vrazhdët i jetës janë dy thika që rrotullohen tek njëra tjetra. Demoni banon kudo. Ka dalë hapur tani. Pa maska. Dhe në krye të shtetit. Dhe brenda njeriut. Dhe nuk njihet mirë origjina; është demon që del nga lulja apo lule që çel nga demoni. Poeti është opozitë e përhershme. Edhe kundër vetvetes. Moikomi është një libër fletëshumë. Voluminoz. Galaktikë shkronjash të zeza mbi fletën e bardhë a mbi ekranin e kompjuterit. Por dhe i padukur, ose i zi mbi të zezë. Për të tillët Hajdeggeri e njëjtëson veprën me qenien. Vepra është një qenie poetike. Ajo ka strukturën e shtresimin e qenies njerëzore dhe arti i lindur me njeriun, më së shumti, ka shërbyer si përgjigje për të panjohurat e pikëpyetjet që e rrethonin çdo ditë, me të cilat ndeshet dhe sot; arti hyn te përpjekjet e pafund të njeriut për eksplorimin e vetvetes, me të gjitha regjistrat e saj të koshiencës dhe subkoshiencës, me një mënyrë të veçantë, që ne e quajmë poetike. Moikomi është nga të parët shkrimtarë të RS që braktisi dinakërisht idetë, mesazhet, tematikat apo problematikat e diktuara dhe, relativisht, me të tjerët u muarr me librin e tij, metaforën dhe formën, natyrisht larg disidencës së pamundur. Edhe i përkëdhelur edhe i kërcënuar. Vazhdimisht në shinjestër. Sipas oreksit të xhelatit.
Nëse herë herë në këtë sprovë e tepëroj duke hedhur trëndafila më shumë se c’duhet, gjithsesi, drejt një metafore të rëndësishme të fjalës shqipe, i pamundur ta fus në skaner të tërin , desha të përgjërohem për të gjithë ata poetë dhe shkrimtarë shqiptarë, për të tillët me vullnet të palëkundur që punojnë sistematikisht për fjalën shqipe, duke sfiduar shpërfilljen e shoqërisë, varfërinë dhe injorancën. Respekt për ata kolegët e mi (Nuk po i i rendit në një listë se vlerat letrare ngrysin vetullat dhe kanë një farë pezmi sqimatar për listat, rreshtimin dhe numurat). Letersia mbahet me korifejtë por e pranon hierarkinë dhe e di se vlerat e vërteta gjithmonë dhe në cdo disiplinë të dijes dhe kulturës njerëzore, janë relative. (Dihet që ka dhe nga ata që botojnë kotsëkoti. Që kanë ca para në xhep dhe i kthejnë në libra. S’ka të keqe këtu. Dhe ata duan të lënë një libër për familjen, farefisin, lagjen apo fshatin…, pse jo, dhe të duken pak si shkrimtarë. Është e drejta e tyre. Jetët e njerëzve janë relative. Dhe metaforat. Respekt edhe për këta që dëshirojnë të vdesin të bukur. Faji qëndron tjetërkund.)
Të shkruash vazhdimisht do të thotë, ta kthesh jetën në kërkim të së bukurës, ta përfytyrosh botën një libër fletëbardhë të pafundme që duhet plotësuar fije për fije, ta ndjesh jetën në çdo qelizë e të futesh në të fshehtën e gjërave; do të thotë t’u japësh zë zonave të shurdhëta, t’u ngrohësh sadopak zonat e ftohta, t’u japësh dritë zonave të errëta – dhe këto jo në kuptimin fizik e astronomik, por përbrenda njeriut, t’i japësh zë e dritë dhimbjes së tij. “Arti im dhe hiri im qëndrojnë për të emëruar botën pasi kam njohur bukurinë dhe patjetër më duhet të siguroj shtigjet dhe territoret e saj, – do shkruante Rene Çhar – prandaj duhet të pranojmë se shkrimi është shkatërrimi i të gjitha zërave, i çdo origjine.”
Ky është thelbi, Nordi dhe Deviza e çdo poeti….
* * *
Dhe ka një revoltë të brendshme ky poet, një dëshpërim të thellë, një pezmatim aq fin, sa kur e pyes për veprën enthusiazmohet si fëmijë, por një lot i zi i shfaqet në qepallë; e di se librat e tij janë jashtë kohe, për të gjithë dhe për asnjë. Bashkëkohësia nuk mund të merret me të, edhe nuk do, edhe nuk mundet. Të dy palët heshtin. Me shpërfillje tinzare.
Ai është më i pranishëm në të shkuarën e hyn e del nëpër selitë e të vdekurve të mëdhenj…Moikomi shkrun për gjithcka , ndërsa në “kapitujt” e fundit të metaforës së tij preferon heshtjen dhe mungesën, hidhet përtej varreve dhe yjeve dhe nxiton të të përqafojë engjuj të dyshimtë e trëndafilav që vrapojnë si kuaj. Si i dehur. Mistik. Dhe orakull. Magjik në detaje por romantik i lindur, lëndor dhe iracional, imponues si diktator dhe fantastik e absurd si Bibël e panjohur, a Kuran i palexuar.…
Letërsia është punë sistematike, vullnet çmendurak, pasión përvëlues, dhunti e lindur, përditshmëri dramatike. Dhe Ankth. Dashuri. Dramë. Seks, shkurt dhimbje njerëzore.
* * *
Nuk merrem dot me dhjetra e dhjetra libra të tij në të gjitha gjinitë (me duket se e ka kaluar qindëshin), jo. Unë do t’i përmbahem tezës se shkrimtari shkruan vetëm një libër me kapituj të shumtë me qindra e mijra faqe. Dhe nuk e vë në dyshim drejtimin e duhur. Ose nordin e poetit. Këtu nuk ka receta. Floberi thosh do bëj në libër të madh pa emër …dhe bëri “Zonjën” e famshme me emrin Gustav Flober. Tjetri bëri 90 drama dhe nuk i mbeti asnjë. Një tjetër ndërton galeri të tëra metaforash në dhjetra libra , një tjetër pallate shumkatshe. Tjetri vetëm një. Xhojsi me tri libra mbeti shkrimtar botëror, E pra, bëhet fjalë për të mëdhejtë e kësaj bote, Homerin e Danten, Shekspirin dhe Gëten, Servantesin… e tek ne, pse jo, për Kadarenë dhe talente të mëdha si , Konica e Migjeni…
Jeta e një artisti të vërtetë është një jetë ankthi, një jetë të tërë zhytur në moçalin e neveritshëm të materies, ndërkohë i duhet të ëndërrojë një jetë tjetër, të burimit të rrjedhshëm e të pastër të iluzioneve. Dhe për këtë nuk disponon asnjë mjet veç gjuhës artistike. Por Krijuesit si Moikomi janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka fjala. Dihet se që në lashtësi mendimi estetik mori funksionin e soditjes së botës si tërësi semantike, pa e pasur sistemin e provave që ka shkenca, por që nga lashtësia deri sot, poezia, arti janë të privilegjuar se, me vetëdije marrin përsipër një funksion ontologjik. Gjuha artistike është përçuesja e çdo pranie. Deri në barazim me qenien. Poeti e di se brenda gjuhës ka një forcë vdekjeje – kur ai e shmang realitetin duke e fshehur, duke e mbuluar dhe në boshësinë që krijon me ndërgjegje(ose instinktivisht), i jep imazhit pasqyrim jo lëndor – dhe kjo, bota si imazh, ndoshta është gabim i burimit të saj, e ndoshta prandaj izmat e shumta poetike e artistike kanë lulëzuar duke u zbehur e harruar. – shkurt, gjuha artistike bëhen prani e re e qenies njerëzore.
E së Pathënës
* * *
Libri i Zeqos nuk është një pemë me degë shumë, është një pyll i dendur me të gjitha llojet e pemëve; nuk është një pus i thellë nafte, por një zonë e tërë me shpërthime tip fontane; nuk është një lumë i qetë që ecën dremitur nëpër fushë, jo, jo është lumë i sertë bubullues që gremiset malit, del nga shtrati dhe si një rruspë gjigande e frikshme merr përpara gurë e trungje, metale të cmuara e dhera, plisa e trungje e baltë dhe gërryen, oshtëtin, vrapon për të trazuar detin e tij; nuk është një sy që sheh tutje në thellësi të pamjes, jo, është një radar që merr e jep dritë yjesh…Ai priret në letërsi për të gjetur fillimin dhe fundin, ai pjell ide dhe i rrit në gjumë. Në mëngjes i vret për t’i bërë metaforë. Mund ta quash dhe “Parafjala për infinitin”, “Dorëshkrim”, “Perpetum mobile”, I thoni c’të doni, ai është “Makabe Zaharia”, “Ofeli me mjekër, “, një “Univers së prapthi”…
Ai që tani është një libër. Të synosh të jesh një libër është pretendim aq i madh sa ka estetë që e barazojnë me “të jesh hyjnor”. Me gjithë hiperbolën poeti e di se poezia e përsosur ose nuk ekziston, ose bëhet e pakapshme; re e bardhë që e shtyn era për në vitrinën e radhës në sallonet e modës.
* * *
Duke ndjekur Moikomin nëpër stacione të largët e të lodhshëm, qëndrova te “Libri i sinopseve”, që m’u duk si katalog i një qyteti të ndërlikuar. Dhe u futa në qindra subjekte, portrete, e m’u duk se Ferri qe më i bukur, më i pasur, më i njohur se Parajsa… Nuk e di, këtu i lexova librat “Papagajtë e Nembrotit”, “Refuzimi i shkrimit”, “Eunukët ëngjëllorë” “Ofelia me mjekërr”… Nuk e di. M’u duk se lexova në një libër bërthama të cuditshme tregimesh, romanesh, poemash, të shkruara e të pa shkruara, ide vetëtimash, sfinksa, simbole emblematike e metáfora të cmendura, dhe fytyra të vdekurish që nuk duan të vdesin, plot 125 sinopse. Projekte pallatesh për një qytet të tërë me urbanistikë moderne mbushur me piktura asimetrike. Ai flet për letërsinë shqipe si letërsi provinciale, letërsi e painkuadruar në letërsinë evropiane…
(Shpesh më merr prej krahu e më thotë se do të duhej të celej një dialog te vërtetë intelektual. Po, vëlla, ne kemi nevojë të ballafaqohemi me vetveten . Dhe të mohojmë metrazhin e hijeve të mëngjezit e të darkës. Të heqim dorë nga tabutë, nga liliputët dhe gjigandizmi artificial. Ne kemi nevojë të jemi të zakokshëm ose të natyrshëm. Kur do t’i shfryjmë dogmat që si tullumbacet mbushur me gazera asfikësuese për letërsinë si ato fetare, ideologjike, nacionaliste, pseudopatriotike?, ë ? por “me sa duken bathët, janë larg Pashkët”..)
Të bëhesh një libër do të thotë të kuptosh sekretet e procesit të krijimit. Brenda artistit, jo vetëm në çastet e frymëzimit, është një hije permanente, embrioni i një bote të pafundme, imagjinatave. Sendet që “prek” poeti riemërohen në monoklin e syrit të tij, zmadhohen a zvogëlohen, abstragohen, tjetërsohen deri në mosnjohje. Bota poetike ridimensionon botën dhe njeriun në anët e padukura; zogu të digjet në duar dhe qielli e toka marrin përmasa të tjera shpirtërore.
Po të perifrazoj Roland Barthes, shohim se procesi i krijimit nis me një fatalitet të lumtur. Është ai çasti kur një fakt tregohet me qëllim jo kalimtar, dmth, jashtë çdo funksioni tjetër përveç ushtrimit të simbolit. Pikërisht këtu, kur fillon një shkëputje, (nis fataliteti), zëri humbet origjinën, autori i qaset vdekjes, dmth, fillon shkrimi;të duhet të gjësh dritën e shpirtit të njeriut,të duhesh të ndërtosh lirinë.
* * *
Unë nuk jam në gjendje të them , në cilin gjini është ylli i Moikomit. Herë herë më duket se ka hapur krahët e gjatë për t’i përfshirë si ujkonjë të gjitha gjinitë në stomakun e tij. Por, gjykuar sipas shijeve të mia, ai së pari është poet dhe eseist. Të dyja këto dhunti e e lejojnë tu bjerë trojeve të artit, historisë dhe dijes njerëzore kryq e tërthor.
Poezia e tij(mijra vargje e poezi) në dhjetra vëllime përbëjnë një magmë të nxehtë, kontinentale; të duket se krejt tejpamja është vullkanike e se pritet të shpërthejë….por ai i ka tronditjet të brendëshme, lumenj të nëndheshëm dhe më kot presim shpërthime.
Në poezinë më të mirë Moikomi ka një turbullim të brendshëm, dritë parajsore, boshësi që dhemb; ai fluturon gjetiu dhe jashtë konteksit, ai kërkon metaforën me një entusiazëm qiellor dhe dëshpërim prej ferri… Dikush tha metafora e ngeshur i ngjan gruas në ditët e saj të lindjes, plot ankthe dhe komplekse enigmatike për atë që pret.
Ai e di se metafora e zgjon lëndën. Ajo, kur vjen spontanisht u ngan zogjve që këndojnë pa e ditur ç’thonë. Por poeti e di, zogu e ka brengën në gushë, atje te notat, ku ngjizet simfonia. Metaforat e Moikomit kanë një energji neutronesh e protonesh jashtë formulës së shpërthimit, bërthama të thella palimsestesh, pamflete seriale që i drejtohen botës për njohjen e botës, vdekjes dhe paqes njerëzore. Ai propozon që fjala pranëvenë në gurvarre mermeri të ketë statujat e saj. Kjo poezi e lashtë si te tragjikët grekë, e re si te Gëtja dhe më e re si te Stivensi e Lorka, njëkohësisht origjinale si te Moikomi.
Se Poezia(Princesha e Letërsisë , Artit) është guxim i të pathënës. Përbrenda saj është aftësia dhe prirja për të heshtur, për të heshtur për gjërat që dihen, për ato që nuk thonë asgjë; fjala poetike triumfon në zgrip të vetvetes. Ajo e merr dimensionin e saj në mosdukje. E fjala artistike, ngjyra, tingulli veç sekreteve brenda gjinisë, karakterizohen nga ajo mjeshtëri artistike që ka dy sekrete të mëdha, të thjeshta në dukje që duken si kontradiktore: e para, ta zbulojë sendin që do eksplorojë, e dyta, ta fshehë (Oaze).*
* * *
Personalisht , ky organizëm ngjizur metaforash, mua më kujton Borgesin, atë djallin e bibliotekës kozmike, që as vetë nuk e dinte erdhi në tregim nga ese-ja apo eseja ishte një lloj celësi për të hapur cdo derë të letërsisë dhe dijes njerëzore.
Sidoqoftë, që ta kuptosh Moikom Zeqon, duhet të hipësh në të gjitha pemët e pyllit të tij, t’i shposh të gjithë puset e naftës; të notosh dhe të mbytesh në një det të trazuar…, dhe do shikosh të gjithë rrathët e ferrit, të shkosh në lashtësi, në mesjetën e Buzukut e Bogdanit, e pastaj përsëri të nisesh galaktitave e fund deteve duke mbajtur frymën…Por unë nuk jam “cmendur” të bredh hap pas hapi ndaj një të “cmeduri” tjetër…
Të shkruash vazhdimisht për të qenë një libër, do të thotë që në kraharor të kesh një flakë të veçantë si Moikomi, që synon ndriçimin e dhimbjes njerëzore. Poeti, ai i pari, i ka besuar plagët e Krishtit se ai që i ka shkruar, më së paku, ka qenë poet. Dhe lexuesi i vëmendshëm e beson se ato gozhdët në trupin e Krishtit çelin rreze drite në trupin e çdo njeriu. Dhimbja është universale. Dhe mbi të qarën e shiut e të erës.. Se jeta e njeriut është gropa gropa ngopur me natë. Dhe vjen poeti, zogu i shpresës, mbi të, së sipërmi sikur bie një dritë e së bashku me vuajtjet e tij, faqe më faqe fle dikush tjetër që është gati të vdesë me të. Se kjo botë ka shumë, uri, etje, përbuzje, nënshtrim, spitale, borxhe, telashe e plagë shumë.
* * *
Aty këtu revoltohem dhe flas me vete, po pse , Moikom, them, pse nuk e ke zhvilluar këtë apo atë gjetje kaq interesante, pse më thua që të lexoj një roman që nuk është shkruar akoma; pse e gjen mademin e metalit të cmuar, e piketon vendin, e shpall zonë të minuar, i vë kryqin si ata minakërkuesit e paslufrës tinzare dhe ikën, ë, pse?; pse nuk zgjedh 100 poezi që të rrojnë më tepër se ne?…, Më duket se duke botuar mijëra poezi, na humbasin dhe ato 100 të artat, që do dëshëronte t’i kishte cdo poet i madh në botë për t’ia lënë njërëzimit. Më duket se vjen një kohë që duhet të vëmë rregull, të bëjmë inventarin, t’i sistemojmë dhe t’i vendosim monedhat sipas vlerës…Se dihet që thesari përcaktohet nga sasia e monedhave që konvertohen në flori. Ti je i cuditshëm , vëlla , milioner i krimbur në para dhe ti nuk e di ku i ke pronat. Dhe unë të qasem duke të treguar ku i ke arat! (Ndoshta dhe qeveria jote ta di pasurinë ndaj nuk të jep punë. Ti punon për nesër. Të rrofshin metaforat, vëlla.)
Po c’po them? Po i tregoj poetit busullën e pamundur, po i them metaforës të zbatojë rregullat e qarkullimit! Më fal, poet! Nuk dua t’i tregoj “babait” ku i ka arat, por njeriu në monolog shan edhe vetveten. Nuk mund të kritikohet një “i lënur” që po ndërton “Kullën e Babelit”. Nuk e besoni? Shiheni! Ai e ka ndërtuar skeletin, shiheni, është krah për krah me të gjithë poetët e botës, , me murgj të ditur dhe projektuesit e një Ferri të ri; Ka dhe Pessoa-n pranë, e kam parë dhe me me Arqitekt Sinanin te Xhamia Blu apo te kisha e Shën Sofisë; dhe me De Radën e Naimin. E kam parë dhe me Onufrin që skuq majëmalet shqiptare si Diell i gjakosur…Oh, oh! Ai …”shamia prej zjarri”…Oh. Oh! “Kam harruar të qaj”… “Onufri është vajtim/ i burgosur në lëkurë/ A e thith dot gurin/ ashtu si ajrin?/ Peizazhet janë një koncert/ i shekujve/ pa dëgjim/ Një zambak/ lehonë/ ka pjellë/ një nepërkë/ Po kush flokët e kuq të Judës/ i kthen në trëndafila?”)
Të kam parë përqafuar me Migjenin si puthje gjaku duke i dhuruar mushkëritë e tua se s’ngopej me ajër ai, poeti i brishtë, sythi më modern i letërsisë shqipe…, se e kish mpakur dhimbja e kish thithur varfëria dhe mjerimi i njeriut shqiptar. Dhe vdiq ai, buzëpjekur nga zjarri. I dhimbur deri në palcë, por i patretshëm. Se metaforat nuk treten. Vdiq Migjeni! E mua m’u bë se the vdiq Moikomi! Se kjo botë e poshtër kurrë nuk i ka kuruar poetët. “Mushkëritë e Migjenit në gjoks/ shëroj përfundimisht/ i kthej në Kashtë të Kumtrit/ për të bërë frymëmarrje vetë kozmosi”; se ai qe nisur për në Parajsa por ajo i zvogëlohej dhe në Bibël, Moikom, dhe ti ndosha e di se atje nuk ka shtëpi banimi për të gjithë; dhe ti duhet të kesh një sinjal prej së sipërmi që kërkon t’i kapërcesh pa zhurmë të vdekurit e mëdhenj duke i rënë ferrit kryq e tërthor!
* * *
Por e pamëshirshme vjen pyetja: C’do mbetet nga libri ynë, nga kapitujt e jetës sonë mbrujtur shkronjash të zeza në tekst? A ka kritere vlerësimi? Po ka. Vetëm një kriter”shkencor”, niveli artistik. Matësi është dhënë. Që në kohën e Aristofanit. Të matim peshën e metaforave – tha ai mjeshtri i madh… Dhe gjyqin e fitoi Eskili kundër Euripidit… Nuk më kujtohet sa peshonin figurat e tij, se prova u bë në Had, por e mësoi gjithë bota mijëra vjet para nesh. Ky është gjyqi i fundit i poetit. Pesha e metaforës.
* * *
- Umbrol me “Të jesh shkrimtar do të thotë të të mos arrish botën”, Ky kontradiksion disi fatal, ka futur në mendime shumë estetë. E pra, po e hoqe atë monoklin nga sytë, bota të jepet direkt – me bukuritë dhe shëmtitë e veta të dukshme për të gjithë; pikërisht këtu humbet poeti. Një libër a njënqind të Moikomit janë libra autobiografikë. Është autori dhe kanë një subjekt , njeriun. Ai e njeh dhe Jeronimin dhe ia beson fjalën: Poeti duhet të punojë në qeli. Për të bota është një fletë e bardhë që duhet nxirë.Ta kthesh këtë botë në tekst, do të thotë të digjesh, të marrësh flakë me gjithë idetë e tua. Pastaj të kthehesh në prushërimë zjarri. Pastaj në hi. Pastaj ta lexosh hirin . E pastaj të ringjallesh nga hiri.Poeti i pranon të tëra sfidat. Dhe nëse është i vërtetë i ngjan lëndës së mermerit që mund të rrijë i mbuluar me kodra dheu për një kohë të gjatë, por ai duron gurë e dhera përsipër, me baltën e rëndë në sy, por e di se: Në mos gur në tempuj a statuja perëndish, në mos buste për vasha të bukura, Një ditë, mbi ballin e tij të lëmuar do çelin gërma të arta.
1- më saktë dhe më shumë do fliste analiza e një vepre të Moikomit, ose analiza e dikujt nga ajo mori autorësh që keni përmendur, përmes ‘gojës’ së Moikomit.
do ishte më interesant leximi, nuk do dukej thjesht si fletë lavdërimi.
2- vërej në gjithë shtypin dhe autorët pa përjashtim, një mungesë totale referencash.
psh ju përmendni Barthes, për mua është i ri në repertorin tim, nuk ju fsheh se e gjeta të vështirë ( fragments d’un discours amoureux për spjegimin e problematikës te adoleshentët -le cadavre exquis de la consommation-Cairn.info)
dhe do isha e kënaqur nqs ju vendosnit referencën e librit ku ju e keni gjetur tekstin që i referoheni. Nqs unë do e bëja ktë ktu ku jam, do e quanin plagjaturë.
përpos kësaj, do ishte ndihmesë për ne që lexojmë,
qëllimi ky duhet të jetë, shpërndarja dhe prodhimi i diturisë.
ah,Moikomi, çfarë mendon Moikomi psh për Le démon de la totalité ? asnjëher nuk kam pasur rastin të lexoj prej tij një mendim deçisiv dhe heshtja quhet …bashkepuntorë…
Nji pershkrim i kendshem ,
nji gjuhe letrare ,kujdesur nga autori i shkrimit te spikase
ke lexuesi e reflektoje njohurite e tij ne fushen e Letersise
vendase dhe ate Boterore .
Eshte mire te njohim vlerat e kohes ,sado te zbehta te jen ato .Moikomi meriton nji vleresim te tille ,por qe do ishte me i pranueshem ,te shoqerohej pa superlativa .Poashtu edhe sterzgjatja e shkrimit ,ai udhetim ne Kozmos i autorit te shkrimit ,
le ne nji far menyre ,ne hije… Fokusin Moikom i cili padashur te jep pershtypjen se i i sherben shkrimit si nji Fasade .
S’kan intensione te paragjykoj apo hedh gure mbi autorin e shkrimit ,qe per hir te vertetes ka bere nji shkrim mjaft te kendshem ,qe i sherben Letersise Shqiptare sot ,mbetur ne udhekryq .
Secili ka njohurite e veta dhe konceptin mbi Letersine ,Shkrimtarin ,Poezine etj dhe ne ate Bote te mjergullt ,kerkon konfirmim ,te duket ,dallohet ne kte mjergull dhe eshte ok. Duket qarte qe ajo ndjenje e bukur ,ai pasion mbi Letersine s’e le te qete ,e motivon e nepermjet ksaj motivon edhe levruesit e Letersise ,qe jane jo te pakte por qe qendrojne ne Hije te asaj epoke te Lajthitjes se gjithaneshme qe nuk kurseu as Literaturen ne ate vend .
Sa i takon pastaj nji Shkrimtari & Romani ~ Poeti & Poezia ,
ne Boten e tyre ka nji Simetri ,qe poashtu edhe me lexuesin kane diferencat ,pelqimet ,shijet ,ndjesite qe te gjitha se bashku perbejn lidhjen e tyre ,e cila varet nga pasioni . Nqs nji shkrimtare do ta perfytyroje nji shkrim te tij nji Roman si nji femije te tij ,Poeti e quan Poezine te Dashuren e tij .Pra ka disa koncepte relative mbi vleresimin .Kjo duhet theksuar .
Un vet , kam qen nji Fans i nji Atmosfere se sburkuar ,e cila do t’i ngjante nji atmosfere Festive ,siperfaqsore , plot tollumbace shumengjyrese ,por me exzistencialen e se bukures ,
edhe pse me duhet te pohoj se e bukura me inspiron ne jete (siedhe ky shkrim i autorit ) ,eshte nji veti ,qe un e kam zbuluar ne nji moshe relativisht te re …
Sidoqofte asaj cfar ne ktu komentojme autori fiton rrespektin tone per kte shkrim .Asnji nuki mundet t’i shpetoj ndikimit te atmosferes klimes ku jeton .
Nji pershkrim i kendshem ,
nji gjuhe letrare ,kujdesur nga autori i shkrimit te spikase
ke lexuesi e reflektoje njohurite e tij ne fushen e Letersise
vendase dhe ate Boterore .
Eshte mire te njohim vlerat e kohes ,sado te zbehta te jen ato .Moikomi meriton nji vleresim te tille ,por qe do ishte me i pranueshem ,te shoqerohej pa superlativa .Poashtu edhe sterzgjatja e shkrimit ,ai udhetim ne Kozmos i autorit te shkrimit ,
le ne nji far menyre ,ne hije… Fokusin Moikom i cili padashur te jep pershtypjen se i i sherben shkrimit si nji Fasade .
S’kam intensione te paragjykoj apo hedh gure mbi autorin e shkrimit ,qe per hir te vertetes ka bere nji shkrim mjaft te kendshem ,qe i sherben Letersise Shqiptare sot ,mbetur ne udhekryq .
Secili ka njohurite e veta dhe konceptin mbi Letersine ,Shkrimtarin ,Poezine etj dhe ne ate Bote te mjergullt ,kerkon konfirmim ,te duket ,dallohet ne kte mjergull dhe eshte ok. Duket qarte qe ajo ndjenje e bukur ,ai pasion mbi Letersine s’e le te qete ,e motivon e nepermjet ksaj motivon edhe levruesit e Letersise ,qe jane jo te pakte por qe qendrojne ne Hije te asaj epoke te Lajthitjes se gjithaneshme qe nuk kurseu as Literaturen ne ate vend .
Sa i takon pastaj nji Shkrimtari & Romani ~ Poeti & Poezia ,
ne Boten e tyre ka nji Simetri ,qe poashtu edhe me lexuesin kane diferencat ,pelqimet ,shijet ,ndjesite qe te gjitha se bashku perbejn lidhjen e tyre ,e cila varet nga pasioni . Nqs nji shkrimtare do ta perfytyroje nji shkrim te tij nji Roman si nji femije te tij ,Poeti e quan Poezine te Dashuren e tij .Pra ka disa koncepte relative mbi vleresimin .Kjo duhet theksuar .
Un vet , kam qen nji Fans i nji Atmosfere se sburkuar ,e cila do t’i ngjante nji atmosfere Festive ,siperfaqsore , plot tollumbace shumengjyrese ,por me exzistencialen e se bukures ,
edhe pse me duhet te pohoj se e bukura me inspiron ne jete (siedhe ky shkrim i autorit ) ,eshte nji veti ,qe un e kam zbuluar ne nji moshe relativisht te re …
Sidoqofte asaj cfar ne ktu komentojme autori fiton rrespektin tone per kte shkrim .Asnji nuki mundet t’i shpetoj ndikimit te atmosferes klimes ku jeton .