Faraoni kishte kohë që kishte vdekur dhe zëvendësuesi i tij mezi po e mbante në këmbë Perandorinë nga pasojat shkatërruese të sundimit të gjatë dhe të egër të Faraonit të madh. Njerëzit e uritur dhe të shtypur çdo ditë po bëheshin një kërcënim real për përmbysjen e pushtetit faraonik. Pjesa më e egërsuar mbeteshin hebrenjtë që tradicionalisht në historinë e gjatë të pushtetit faraonik kishin qenë më të persekutuarit dhe më rebelët në përplasje të vazhdueshme që kishte pasur Faraoni i madh me këtë racë të pandreqshme të cilët për hir të së vërtetës ai kishte mundur me egërsinë e pushtetit të tij. Por përsëri ata ishin bartësit e një rreziku të madh ndaj atij pushteti që gjithmonë kullonte gjak dhe lot. Për ta dhe ndaj tyre duhej gjetur patjetër një zgjidhje me sa më pak pasoja që të ishte e mundur dhe këtë zgjidhje e impononin rrethanat e vështira në të cilat po kalonte perandoria.
Rreth kufijve të perandorisë popujt e tjerë e kishin fituar me kohë lirinë dhe flakët e kryengritjes vazhdonin çdo ditë të ngriheshin rreth kufijve aq të vegjël dhe të pamasë në qiellin deri në atë kohë të qetë të perandorisë. Duhej patjetër të gjendej një zgjidhje, një zgjidhje që duhet t’i shërbente në kohë dhe vazhdimisht ëndrrës për pushtet dhe dëshirës për të mbijetuar… dhe befas një ditë mendja djallëzore e zv/Faraonit, pasi ishte këshilluar gjatë me 3 kastat e fuqishme të pushtetit të tij, me kastën e magjistarëve (sigurimi i shtetit), me kastën e priftërinjve (sekretarët e partisë së tij) dhe me kastën e ushtarakëve (hierarkinë e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes), ai vendosi të lëshojë pak pushtet nga pushteti i tij sa i frikshëm dhe aq i pakufishëm. I njohur për djallëzitë dhe poshtërsitë si dhe lidhjet e shumta me familjen faraonike, zv/Faraoni kishte krijuar besimin e nevojshëm tek këto kasta të fuqishme të pushtetit absolut për të bërë ndryshimet e nevojshme për mbijetesën e tij dhe gjithë familjes faraonike.
Në rradhë të parë duheshin rregulluar marrëdhëniet tejet të acaruara nga shtypja e gjatë dhe e pamëshirë me hebrenjtë (armiqtë e popullit ose klasat e përmbysura). Hebrenjtë donin lirinë e ëndërruar prej kohësh dhe në kushtet e krijuara ishte e pamundur t’ua mohoje… por atyre u duhej një udhëheqës që t’i drejtonte në drejtimin e gabuar (demokracisë dhe lirisë). Pasi morën në konsideratë të gjitha kandidaturat e mundshme u zgjodh ai më i përshtatshmi, Moisiu i rremë i cili do t’i printe turmat e hebrenjve drejt një itinerari të paracaktuar nga zv/Faraoni, ku do të binin pa e kuptuar në moçalin e madh të zhgënjimit nga ku kurrë nuk do mundeshin të arrinin në tokën e premtuar (lirisë së demokracisë). Moisiu i rremë me devocionin pervers ndaj familjes faraonike do të zgjidhte gardën e tij pretoriane për të realizuar sa më suksesshëm detyrën sa të vështirë aq dhe delikate. Me ndihmën e pakursyer të zv/Faraonit, i cili do interesohej dhe për uniformat e tyre (pardesytë e bardha dhe xhupat e zinj), për t’u bërë të identifikueshëm në turmat e egërsuara duke ju garantuar paprekshmërinë nga ana e organeve të rendit, si dhe paratë e nevojshme e të shumta që kërkonte organizimi i mitingjeve dhe lëvizjet e pandërprera në çdo cep të perandorisë për të realizuar misionin që u ishte ngarkuar. Moisiu i rremë me djallëzinë e tij karakteristike, shumë shpejt do të dilte në krye të turmave si një lider i gjithëpranuar prej tyre duke shfrytëzuar ëndrrën që ata kishin për t’i udhëhequr drejt tokës së premtuar.
Pas një marshimi të shkurtër në shkretëtirën e asaj kohe, Moisiu i rremë u thotë që e mundën të keqen, e përmbysën zv/Faraonin dhe pushtetin e tij gjakatar dhe hebrenjtë e lumtur duke parë njëri-tjetrin me habi filluan të pëshpëritnin midis tyre: si ndodhi kaq shpejt? Ata kishin dekada të tëra që luftonin për të drejtat e tyre të mohuara duke derdhur lumenj gjaku, burgosje e internime pafund dhe tani papritmas toka e premtuar (liria dhe demokracia), paskan qenë kaq afër dhe ata s’e kishin parë. Gjithë lavdërimet shkonin për Moisiun, por pa kaluar shumë kohë ata do ta kuptonin se gjithçka ishte thjesht një mashtrim i zv/Faraonit, i cili i kishte futur në një kurth ku ata do ta kishin shumë të vështirë të dilnin pavarësisht nga përpjekjet e pareshtura të tyre. Zv/Faraoni ishte kujdesur shumë në instruktimin që i kishte bërë Moisiut të rremë duke ja mësuar të gjitha taktikat korruptive dhe represive në ushtrimin e pushtetit. Moisiu i rremë me gardën e vet pretoriane u mundua dhe ja doli pa shumë mundim të zgjedhë nga turma e Hebrenjve disa pseudo-përfaqësues me një të kaluar të dyshimtë duke shfrytëzuar arkivin e zi të policisë sekrete dhe i vendosi ata në poste periferike të pushtetit të tij të pamatë. Ai i joshi ata me disa prona nga pasuria e pakufi e perandorisë, të cilën filloi ta shfrytëzonte sipas orekseve të tij duke mos i dhënë llogari kurrkujt. Ndonjë “guximtari”, që tentonte të dilte nga rreshti dhe s’u bindej më urdhrave të tij, ai do t’i kundërvihej egërsisht duke e dënuar dhe denigruar pamëshirë e moral.
Shpejt e shpejt përfaqësuesit e hebrenjve do pakësoheshin deri në mosekzistencën e tyre në sferën e lartë të pushtetit dhe çuditërisht do pyesnin njëri-tjetrin: si ndodhi kështu? Kjo është toka e premtuar për të cilën ne ëndërruam dhe sakrifikuam jetët tona? (liria dhe demokracia për të cilin ishin sakrifikuar breza të tërë). Imazhi i fitores së mohuar po tretej dalëngadalë në horizontin e errët të një qielli ku kishte një Zot absolut, Moisiun e rremë, i cili në dehjen e tij luciferiane kishte filluar talljen e pakursyer ndaj tyre. –Ja e shikoni, unë ju çova drejt tokës së premtuar, ju dhashë lirinë dhe demokracinë të cilën ju s’mund ta fitonit kurrë pa mua! Dhe ata në dyzimin e tyre të natyrshëm pyesnin: “Po pronat tona kush i mori?” Për hebrenjtë e pabindur Moisiu i rremë ulërinte në çmendurinë e tij të pafund: “Pronat prisni se do ua japim, kur t’i kemi marrë ne të tëra.” Moisiu i rremë sipas mësimeve të kryeustait u kishte mohuar çdo të drejtë prone hebrenjve sepse dhënia e tyre jo se linte pa gjë oborrin e tyre tashmë të fuqizuar, por u jepte atyre mundësinë të shkëputeshin nga sundimi i tij duke krijuar pavarësinë e cila kthehej në kërcënim për pushtetin e tij të pakufishëm dhe të pamerituar. Po të drejtat e tjera? Ç’u duhen të drejtat skllevërve. Ata kaq meritojnë.
Le të jetojnë në kufijtë e mbijetesës fizike, që kurrë mos i kthejnë sytë nga karrigia ime e ngritur mbi gjakun dhe mundin e tyre. Koha, në ecjen e vet të pamëshirë, dalëngadalë i rrëzon mitet e gënjeshtrat dhe erërat që fryjnë po ja shqyejnë çdo ditë e më shumë mantelin rrëzëllitës. Hebrenjtë, dalëngadalë po dalin nga gjendja e hipnozës që ju injektoi ai, duke parë çdo ditë e më qartë realitetin e lemerishëm ku ndodhen.
Çdo ditë që kalon dielli i së vërtetës po ndriçon fort dhe shndritshëm duke verbuar pandalje e mëshirë Moisiun e rremë, duke e lënë atë të zvarritet më kot kalldrëmit plot gropa të ditëve të tij të numëruara. Tani është shumë vonë për atë. Thërrasin në kohë hebrenjtë e zhgënjyer: ai paska qenë Juda i vërtetë dhe ndëshkimi ynë atë do ta ndjekë deri në frymëmarrjen e tij të fundit! Ç’rracë e keqe janë tradhtarët? Në çdo gjuhë të botës kjo fjalë mbart mbi vete gjithë imoralitetin dhe turpin e kësaj bote.
Ish i Burgosur Politik

Zoti Lamaj nuk me duket me vlere te besh kronikanin e ta thuash te verteten duke perdorur personazhe biblike , historike e politike , shkrim shume i llastuar e kulturuar i vlefshem e deshmi per nje maturant vertet hartim politik . i gjithe ky hartim , ajo pretence mendoj do te thote se ky Derr i dhjamosur , gjakpires e do ate ne balle apo reze veshit .
E ka për saline por i bie rrotull e rrotull me arkiva faraonike! Metafore jo shume e sakte per gjoja ekzistencën e koncepteve te lirise e demokracise qysh ne kohrat faraonike. Paralele e papershtateshme. Mbyllja/ish-iburgosur politik nuk shërben si deshmi për vërtetësine e fabulës faraoniko-saliste. Nje gje eshte e vertete: saliu i rrente vit per vit dhe këta prape shtynin qerren e tij!? Të emancipuarit iken dhe nje pjese u shkrumbuan si liraku,ndreca,tufa etj,por këta s’u pane gjekundi! Bëjnë mirë që shkruajne por dhe pena ashtu si pushka e ka nje shenjester!? Kesaj radhe kishin moisine e rreme jo saline e vertetë. Nuk ju ka dale akoma dehja!?