Moisiu: Jemi në një “dimër” që nuk mbahet mend, rotacioni është i domosdoshëm

anazapta

Ish-presidenti Alfred Moisiu komenton situatën politike parazgjedhore në Shqipëri. Moisiu thotë se tashmë është kritike nevoja për rotacion politik, por kjo duhet bërë jo vetëm në aspektin e rotacionit të figurave, por edhe metodave të qeverisjes.

Në një intervistë për revistën “Java”, Moisiu thotë se aktualisht vendi ndodhet në një dimër politik e social. “Është një dimër që nuk mbahet mend prej kohësh, si rrallë ndonjëherë. Dua të them jo vetëm për klimën, por edhe për gjendjen social-ekonomike, si dhe për zhvillimet politike. Me gjithë mungesën e paparë të transparencës, nuk është vështirë të kuptohet dhe të ndihet një rënie e përgjithshme ekonomike. Vihet re një rritje e theksuar e varfërisë së shqiptarëve, e papunësisë, mungesës së sigurisë si dhe rritjes së krimit e korrupsionit. Një rritje e përmbytjes së strukturave tona shtetërore me militantë të etur për të ruajtur statukuonë dhe të gatshëm për të bërë gjithçka që kërkon partia në pushtet. Pra një situatë e tejmbushur me negativitete të dëmshme dhe të padurueshme”, thotë ai.

Ish-kreu i shtetit thotë se vendi ka nevojë maksimale për rotacion, që do të thotë jo vetëm ndërrim figurash politike, por edhe ndryshime rrënjësore në mënyrën e drejtimit të vendit.

“Edhe disa ditë më parë, në një intervistë dhënë një organi mediatik shqiptar, jam shprehur se në natyrë ekziston një ligj biokimik, që edhe uji i ndenjur prishet, ndaj ndryshimi është progres. Pa folur për këtë ligj të natyrës, mendoj se tetë vite në pushtet nuk janë pak, por shumë tepër, për të parë se po ecet përpara apo po rrimë në vend, për të mos thënë që ka gjëra që kanë ecur prapa. E them këtë, sepse të dhënat e publikuara si dhe analizat e ndryshme nga burimet vendore e ato ndërkombëtare, tregojnë se ka nevojë për një drejtim më të mirë të vendit. Pra duket më se qartë se Shqipëria ka nevojë maksimale për të pasur një rotacion. Por ama me fjalën rotacion, dua të them jo thjesht ndërrim figurash politike, por ndryshim rrënjësor të metodës së drejtimit. Është e nevojshme që më në fund të kemi një shtet të vërtetë, sipas modeleve europiane, që kushtetuta jonë e parashikon, me gjithë sakatimin që i është bërë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të justifikojmë kërkesën tonë të ligjshme për integrim më BE”, thotë ai.

Në lidhje me aleancën parazgjedhore mes PS-së dhe LSI-së, Moisiu shprehet se është një kompromis i nevojshëm, pavarësisht se është jo shumë i pëlqyeshëm.

“Në politikën shqiptare këto vitet e fundit kanë ndodhur veprime të çuditshme, që më parë, jo vetëm nuk njiheshin, por as ndodhnin. Pra, po ndodhin kompromise politike që megjithëse jo të pëlqyeshme do t’i quaja të nevojshme, kur ato janë në të mirë të vendit”.

Moisiu kujton edhe mosmarrëveshjet me Fatos Nanon dhe Sali Berishën, të cilët sipas tij kërkonin me ngulm forcimin e pushtetit të tyre personal. Megjithatë, Moisiu veçon Nanon si “më qytetar”.

“Me të dy kam pasur probleme. Ato nuk kanë qenë probleme personale, por vetëm fërkime për një mbarëvajtje më të mirë të zhvillimit dhe forcimit të demokracisë dhe të shtetit shqiptar. Që të dy, me veprimet e tyre kërkonin me çdo kusht të forconin pushtetin e tyre personal, gjë që, kur dilnin jashtë kufijve të ligjeve dhe të kushtetutës, aq sa më lejonin kompetencat e mia si Kryetar i Shtetit, nuk i lejoja. Por ama qëndrimet e Nanos, ndonëse të papranueshme, ishin më qytetare. E them këtë se asnjëherë Nano nuk arriti në ato veprime indirekte, sikundër veproi Berisha me familjarët e mi në kompaninë “Albatros”. Deri në mbyllje, sepse nuk plotësoja kërkesën e tij për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Por nuk dua të zgjatem me këto. Duke ju përgjigjur pyetjes tuaj, se përplasjet me mua u përsëritën, në forma të tjera edhe me Presidentin Topi, nuk ka dyshim që kjo tregon katërcipërisht se Kryeministri ynë nuk ka aspak dëshirë të ruajë raportet kushtetuese, si me presidentët ashtu edhe me institucionet e tjera të pavarura kushtetuese. Ai kërkon pushtet të pakufizuar nga çdo ligj dhe Kushtetutë. Vetëm në këtë mënyrë ai mendon që ta mbajë pushtetin në pafundësi.

 

 

Share This Article
3 Comments
  • E keqja jone eshte se mbas rreximit te diktatures, neve votojme, apo bejme sikur votojme, po ata te cilet i kane sherbyer deri ne vetmohim po asaj diktature qe ne themi se e rrexuam…..shikoni se per ke ben fjale ky pinjoll i komunizmit,…..Berisha, ish sekretar nga me te egrit, te ppsh….Fatos Nano ish nje nga me te miret punonjes ne vartesi te Nexhmie Hoxhes…..pra nga te tre keta, vetem Bamir Topi i takon shtreses qe ne duhet te mbeshtesim….dmthen, ne kater drejtues kryesor te shtetit mbas diktatures, njeri eshte ai i verteti i djathte……kjo eshte e keqja jone e pa ndryshuar….nuk shkeputemi dote nga ndyresia komuniste…..sote, aktualishte eshte ne minorance e djathta……dhe ju te kesaj gazete qe une e pelqei, ne nje fare mase, i beni interviste nje njeriu qe vetem ka vrare shqipatre qysh nga mosha 13 vjece, i jati po ashtu, dhe me vone ka spiunuar shoket e vete per te mbijetuar……..lereni te lozi domino se atje e gjen vehten ky komuniste i pa ndreqshem…..

  • O MOIZI per ty dimer ,qamet e bunker ka qene gjithe jeta .
    Nuk besoj se me te vertete ke guxuar te besh ato qe thua.
    Mblidh brinjet e rri shendosh se te ka ikur koha kur mund te japesh mend.

  • Mjergull quhet kjo gjendje, jo dimer, se dimri ka bukurine e tij. Por ju o zoteri ato vite qe ishit president dhe pate gjithe zullumet, se si Shqiperia sakatohej perse pranuat te rrini president dhe nuk dhate doreheqjen. Vetem nje njeri qe reagon ne kohe dhe parandalon te keqen meritojne respekt te degjohen, te tjeret per mendimin tim jane vetem perfituesa, karrierista, njerez me moral dobet. Keqardhje zoteri, por cdo fjale qe thua nuk i hyn ne pune askujt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *