Në ligjërimin politik të këtyre ditëve, Monika Kryemadhi është distancuar nga shumë veprime të LSI-së gjatë bashkëqeverisjes me Partinë Socialiste, duke pranuar se Ilir Meta ka pasur jo pak faje për kanabizimin e vendit.
Por sot ka shkuar edhe më larg, kur në një intervistë për “A1 Report”, ka thënë se Ilir Meta ka kushtëzuar veprimet politike të LSI-së për shkak të një marrëveshjeje politike që kishte me Edi Ramën.
“Në të gjitha akuzat e LSI nuk ka prapaskenë politike. Edhe të kushtëzuara nga Meta, dhe sot ku jemi? Qetësia dhe dashuria e Ilir Metës ja ku na solli, ça na solli?!”, ka thënë ajo.
Sigurisht që kjo është një taktikë e mirëmenduar nga zonja Kryemadhi, si për të forcuar lidershipin personal në Lëvizjen Socialiste për Integrim duke lënë pas vetes hijen e Metës, ashtu edhe për të dhënë imazhin e një partie të penduar për “gjynahet” e qeverisjes, e që tani kërkon sërish të vijë në pushtet.
Kryemadhi e ka quajtur Saimir Tahirin të mbaruar politikisht dhe se objektivi i opozitës tani do të jetë rrëzimi i Ramës, pasi ka përgjime të tjera.
“Nuk është problemi Tahiri, ai mbaroi. Ishte një nga pagatorët e Ramës, që e përdori për të pasur ndërmjetësues të tij me bandat më pas kur filloi të cenohej imazhi e hoqi nga posti dhe këtë nuk ia kërkoi Meta. Ka akoma përgjime të reja dhe nuk kanë dalë. Janë edhe shumë të tjerë të përfshirë në nivel ministrash, oligarkësh dhe familjarësh. Situata ku jetojmë sot është shumë e rrezikshme. Shqipëria është në vendin e parë në një raport të fundit për përdorimin e kokainës”, ka thënë ajo
