Dy motra saudite i kërkuan publikisht Google dhe Apple të anullonin aplikacionin Absher, që, sipas tyre, është jonjerëzor dhe suporton sistemin saudit të kontrollit të burrave mbi gratë.
Pasi ia kanë dalë mbanë të arratisen nga familja dhe legjislacionet diskriminuese të Arabisë Saudite, Maha (28) dhe Wafa (25) al-Subaie, janë tashmë në Gjeorgji në pritje të një dore që do tu ofrojë ndihmë, pasi i janë drejtuar nga rrjeti social Twitter me një video edhe UNHCR – raporton Dita duke cituar media europiane.
Në ditët e para të ‘lirisë’, motrat i bënë thirrje publike ‘gjigandëve’ të teknologjisë Google dhe Apple të anullonin Absher, një aplikacion që ofrohet nga sistemi virtual shtetëror i Arabisë dhe kontribuon për abuzimin e grave në familje.
Sipas tyre,aplikacioni i jep burrave mundësinë të monitorojnë dhe kontrollojnë gratë dhe të afërmet e tyre në çdo hap.
Absher është një aplikacioni i lehtëgjindshëm dhe që mund të zbritet pa pagesë në versionet saudite të Google dhe Apple.
Fillimisht ideuar si një aplikacion për të aksesuar shërbimet zyrtare online, si rinovimi i pasaportës, apo njoftimi për thyerjen e rregullave të qarkullimit, Absher, gjithashtu, i jep burrave mundësinë të rinovojnë ose tërheqin lejet për lëvizjen e grave.
Në të njëjtën kohë, i njofton burrat me SMS kur gratë nën supervizimin e tyre përdorin pasaportat.
Në sistemin abuziv të mbretërisë islamike, gratë duhet të pajisen me nje autorizim nga të afërmit e tyre meshkuj në rast se ato duan të punojnë, të martohen apo të udhëtojnë.
Motrat al-Subaie thonë se Absher e shton kontrollin e burrave mbi gratë dhe tregojnë se që të realizonin arratisjen e tyre të planifikuar që në 2014-ën, ato u detyruan të ‘vidhnin’ celularin e të atit dhe të përdornin Absher për të nxjerrë pasaportat dhe autorizimet për të udhëtuar.
Dy nga shumë gra saudite që janë arratisur nga vendi për shkak të abuzimit familjar të suportuar edhen nga ligji vendas, motrat al-Subaie pretendojnë se ato njohin personalisht edhe shumë gra të tjera që po përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë.
Thirrja e tyre për anullimin e aplikacionit i bashkohet atyre të disa organizatave për të drejtat e njeriut si dhe të disa diplomatëve dhe politikanëve europianë dhe amerikanë.
e.ll. / dita