Monolog (i hamendësuar), i një kryekomunari në qeli

redaktor

Policia e Sarandës ka arrestuar kreun e komunës së Ksamilit, Besnik Abedini, së bashku me shefin e urbanistikës, me akuzën për mbi 10 leje ndërtimi të dhëna jo në përputhje me ligjin. Abedini ka më pak se tre vjet në atë detyrë. I përket PS-së, në një komunë që më së shumti është përfaqësuar nga PD-ja. Mund ta ketë shkelur, pa dyshim, por nëse ndiqet i njëjti standard dhe me të tjerë “krerë” bregdeti – pra, shkelja e ligjit në dhënie lejesh për ndërtim, ose çështje pronash – duhet një strukturë hetuese, policë, pranga e një burg i veçantë, vetëm për bashkiakë, komunarë, shefa urbanistike, drejtues hipotekash, nëpunës të linjës, prokurorë e gjyqtarë, që të gjithë “bregdetas”. Tek ndërtimet në bregdet, është krimi më “aisbergian” që ka ndodhur në Shqipëri, ku ajo që duket – po aq e shëmtuar e makabre siç është – tregon makabritetin e asaj çfarë nuk duket. Një e dhënë e thjeshtë sa për “argëtim”: Gjen dhe raste kur janë hipotekuar godina që nuk ekzistojnë, por me perspektivën për të ekzistuar. Këtë ka menduar e mendon ndoshta dhe Abedini, sapo e ka parë veten në qeli: Po tek unë i gjetën shkeljet?! Unë, një qengj i mjerë, pata fatin e zi ta pësoja për çfarë kanë shqyer “ujqit e ndërtimeve” në gjithë këto vite?! E me grushtin e marrazit ngjeshur fort në mur, pëshpërit vajtueshëm: “Ksamilin – ashtu, të batërditshëm – nuk ua solla unë, atë e gjeta mes tuaj!” dhe më pas: “Ah si nuk kam një grusht të fortë që t`ia ngjesh mu në zemër drejtësisë që s`bzan…me peshkaqenët; por merret me cironka si puna ime!”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *