Lista e kalave që qeveria do të japë me qira

anazapta

Zbulohet lista e monumenteve të kulturës, të cilat me një vendim të ministrit disa ditë më parë, do të jepen me qira. Sipas GSH, propozimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës shkon për 22 objekte, nga të cilat, 19 janë kala dhe 3 janë hamame. Ndonëse deri më tani kjo listë është paraprake, mundësitë janë që shumë prej tyre të jenë dy funksionale: objekt trashëgimie, tërheqës për vizitorët, por edhe zonë fitimprurëse për biznesin, pasi ky i fundit do të ngrejë bare, kafe ose restorante, sipas një projekti që do të miratohet më herët nga vetë IMK-ja. Kalatë që janë pjesë e listës paraprake për t’u dhënë me qira tek bizneset janë: Kalaja e Beratit; e Shkodrës; e Delvinës; e Këlcyrës; e Pogradecit; e Kepit të Rodonit; e Kardhiqit, Libohovës dhe e Melanit në Gjirokastër; e Borshit në Sarandë; e Bashtovës në Kavajë; e Porto-Palermos; e Kaninës dhe e Pllocës në Vlorë; e Peqinit; e Ali Pashës në Xarë të Sarandës; e Ali Pashës në hyrje të Vivarit në Sarandë; Kalaja e Petrelës, e dhënë më herët në Tiranë; kalaja e Prezës në Vorë, e dhënë më herët, si edhe tri hamame, ai i Krujës, i Durrësit dhe i Slatinjës.

Dy ditë më parë, opozita e kundërshtoi fuqishëm këtë nisme, duke u shprehur se menjëherë pas ardhjes në pushtet, do të anulojë të gjitha kontratat e qirasë së monumenteve të kulturës.

Lista e monumenteve
Kalaja e Beratit
Kalaja e Shkodrës
Kalaja e Delvinës, Sarandë
Kalaja e Këlcyrës, Përmet
Kalaja e Pogradecit
Kalaja e Kepit të Rodonit
Kalaja e Kardhiqit, Gjirokastër
Kalaja e Libohovës, Gjirokastër
Kalaja e Melanit, Gjirokastër
Kalaja e Borshit, Sarandë
Kalaja e Bashtovës, Kavajë
Kalaja e Porto-Palermos, Vlorë
Kalaja e Kaninës, Vlorë
Kalaja e Pllocës, Vlorë
Kalaja e Peqinit
Kalaja e Ali Pashës, Xarë, Sarandë
Kalaja e Ali Pashës në hyrje të Vivarit, Sarandë
Kalaja e Petrelës, Tiranë
Kalaja e Prezës, Vorë, Tiranë
Hamami i Krujës
Hamami i Durrësit
Hamami i Slatinjës

 

PS: Berisha kërkon t’u japë klientëve të familjes edhe vlerat e fundit të pasurive kombëtare

Monumentet disashekullore të kulturës do të jepen me qira. Ministri i Kulturës, Visar Zhiti, ka firmosur urdhëresën ku përcaktohen kriteret e reja për dhënien me qira të monumenteve të kulturës. Sipas Shqiptarja.com, urdhri i botuar në fletoren zyrtare më 3 maj i jep të drejtë Këshillit Kombëtar të Restaurimit të përcaktojë rast pas rasti afatin e kontratës së qirasë.

Për sipërfaqe mbi 200-500 metër katror, afati i dhënies me qira është deri në 10 vjet, ndërsa për sipërfaqe më të mëdha arrin në 20 vjet. Dhënia me qira e monumenteve të kulturës ka ngjallur debate të ashpra mes specialistëve, por edhe mes opozitës dhe maxhorancës në Komisionin e Medias, një vit më parë. Por, megjithatë, urdhri është firmosur dhe tashmë ka hyrë në fuqi.

Dy pika të urdhrit janë kundërshtuar fuqishëm dje nga arkitekti Artan Shkreli. Ai shprehet se ky urdhër u hap rrugë ndërtimeve pa leje në ambientet e kalave dhe monumenteve të tjera të kulturës, si dhe abuzimeve për të përfituar sa më shumë.

Ndërkohë, në një konferencë shtypi sot në mesditë, në emër të Partisë Socialiste, deputeti Auron Tare u shpreh se kryeministri në ikje në tetë vjet të qeverisjes nuk ka bërë asgjë për të ruajtur pasuritë tona kulturore e natyrore, por përkundrazi, i ka rrënuar e shkatërruar ato.

“Dje qeveria e rrënimit, nëpërmjet Ministrit të Kulturës, vendosi të nxjerrë në treg edhe Monumentet e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare. Kjo përpjekje e kahershme për dhënien me qira të pasurive shpirtërore të shqiptareve përkon tashmë me ikjen nga pushtetit të partisë familjare të Berishës. Pasi shiti çdo pasuri natyrore, pasi dha çdo kodër për fabrika çimentosh dhe gurore; Pasi shiti çdo pyll për qymyr; Pasi dha me koncesion çdo lum për hidrocentrale, sot Sali Berisha po shet edhe Monumentet e Kulturës Kombëtare. Për këto 8 vjet të qeverisjes së Sali Berishës, Fondi i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare ka njohur një bjerrje të paprecedent duke i zhdukur kulturës sonë një numër të madh monumentesh dhe qendrash historike. Mjafton t’i hedhim sytë nga qyteti i Krujës, i cili sot po shkatërrohet me ritme galopante duke zhdukur një herë e mirë qendrën e pelegrinazhit kombëtar të shqiptarëve” , u shpreh Tare.

Tare u shpreh se me gjithë përpjekjet e shoqërisë civile dhe specialistëve të fushës për ta ndaluar këtë veprim jo logjik dhe shumë të dëmshëm për trashëgiminë kulturore, është publikuar tashmë në fletoren zyrtare vendimi, i cili do ta radhisë ministrin e Kulturës dhe vetë kryeministrin në ikje, në rreshtin e atentatorëve ndaj trashëgimisë kulturore.

“Ky akt i kryer vetëm një muaj para ikjes nga pushtetit të qeverisë së Berishës, kërkon t’u japë klientëve të familjes edhe vlerat e fundit të pasurive kombëtare. Ashtu siç ju ka dhënë deri më tani të gjitha fondet e buxhetit për restaurime të paqena. Partia Socialiste ju bën thirrje të gjithë atyre që të joshur nga këto orvatje të fundit të qeverisë për të blerë një grusht votash edhe me monumentet kombëtare, se pas fitores së datës 23 qershor nuk do të njohim asnjë Marrëveshje të lidhur në dëm të interesave të trashëgimisë kulturore. Ne nuk do t’i njohim askujt,  asnjë koncesion, qiramarrje apo forme tjetër ndaj monumenteve të kulturës”, tha ai.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Nuk ju mjaftoi qe vodhen e plackiten gjithca materiale nga ky komb, por tani kekojne te na lene edhe pa identitet kulturor….. keta pushtetare kane nje urrejtje parologjike per cdo gje shqiptare…u shofte fara e tyre, Po bejne ate qe nuk bene dot pushtuesit per qindra vjet me radhe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *