“Jam një njeri qesharak. Kam një jetë që e di se jam për të qeshur. Do të luftoja gjithnjë për të vërtetën. Do ta predikoja atë kudo– po si? Të vërtetën e kisha parë me sy, e kisha njohur, e dija që ajo është gjithçka. Që nga ajo kohë predikoj vetëm të vërtetën”.
Ky fragment është shkëputur nga një tregim i Fjodor Dostojevskit me titull “Ëndrra e një njeriu qesharak”. Fjalët e mësipërme mund t’i dëgjojmë ta dalin nga goja e çdo politikani shqiptar apo aspiranti politikan kur përpiqet të predikojë vetëm të vërtetën. Por me një ndryshim të vetëm. Ai nuk thotë kurrë se jam një njeri qesharak. Si kudo gjetkë, ashtu dhe në Shqipëri, thoshte Konica në vitin 1922, ka amatorë të cilët për të shkuar kohën, lozin mir’ a liksh nj’a dy herë në mot ndonjë dramë të çalë ose ndonjë komedi gjysmake. Konica kur donte të ironizonte figurën apo rolin që luante një person i caktuar në një çast të dhënë historik, shpesh i drejtohej atij me emrin “Sinjor”.
Zonja Topalli, njëra ndër tetë gratë kryetare të parlamenteve të mbledhura në Vjenë para disa muajve, shprehej: “Shqiptarët shikojnë me optimizëm të ardhmen. Në një kohë kur në shumicën e vendeve të Europës ka shkurtime të rrogave dhe pensioneve, në vendin tim ne vazhdojmë t’i rrisim ato”.
Në vazhdim të fjalës së saj, zonja Topalli e ka shumë të vështirë të përcaktojë se kishte qenë gruaja më e pushtetshme mes Hillary Clinton, Angela Merkel apo Lady Gaga. “Unë nuk e di këtë, – thotë Topalli. Ajo që unë di është se ato kanë një zë të fuqishëm vendimmarrës sot në botë. Ato janë model për miliona e miliarda gra në botë. Ato frymëzojnë!”
E parashtrova këtë panoramë të vogël ngjarjesh në kohë të ndryshme për të nënvizuar një element që i bashkon të tria këto deklarata të stilit të shkruar apo të folur. Ato janë vlerat e shoqërisë! Duket sikur idealet dhe vlerat shpirtërore që frymëzojnë këto ngjarje në fund të fundit humbasin letrave dhe nuk zhvillohen më tej sa duhet sepse “A ka si vihet më keq njerëzimi në botë, – thotë Anton Harapi, kur njerëzit janë si kuaj të vendosur në nji grazhd dhe mjer’ ai të cilit t’i mbarohet tagjia më parë”?!
Bëhet fjalë për një konkurrencë shumë të fortë. Cili e ka thënë të vërtetën më bukur? Dostojevski, Konica apo Topalli? Ose më saktë cili prej tyre ka thënë një të vërtetë të moralshme dhe cili jo?! Moralit të sotëm, që i ka humbur shpirti, e veshin me rroba të bukura dhe e shesin për të vërtetë duke i ngritur dhe përmendore parlamentare. Moralin e djeshëm e lexon dhe e kupton ajo pjesë e shoqërisë që e sheh atë të zbatuar në njeriun e vlerave. Dostojevski thotë një të vërtetë të madhe. Jam qesharak, -thotë ai. Konica thotë të vërtetën tjetër se ka amatorë që për të kaluar kohën lozin ndonjë dramë të çalë apo komedi gjysmake. Zonja Topalli thotë dhe ajo të vërtetën e saj. Në një kohë kur në shumicën e vendeve të Europës ka shkurtime të rrogave dhe pensioneve, në vendin tim ne vazhdojmë t’i rrisim ato, -“lexon” Zonja Topalli.
Ka njerëz që kur kanë dëgjuar të luhet kjo shfaqe e vogël nga “Zonja” Topalli me gëzim të madh, kanë qeshur si dikur, një apo dy herë në vit. Zonja Topalli frymëzon!
Opinion i nënshkruar: Menita Ljarja