Ministri i Mjedisit, Lefter Koka vlerësoi sot në Kuvend shpalljen e moratoriumit të gjuetisë, i cili tha ai, i shërben ardhmërisë së vendit.
“Moratoriumi i gjuetisë sot dhe ai i pyjeve i miratuar më parë janë masa ekstreme që do i shërbejnë të ardhmes dhe për të cilat ka nevojë Shqipëria. Nëse ka një gjë për të cilën do te mbahet mend ky parlamen vite më pas, ky do të jetë moratoriumi i pyjeve dhe ai i gjuetisë”, u shpreh ministri i Mjedisit. Kuvendi nisi punimet e seances plenare me diskutimin e “moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”. Shpallja e tij synon ndalimin e aktivitetit të gjuetisë sportive dhe turistike në vend për një periudhë 5-vjeçare dhe përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.
Deputeti i PS-së, Namik Kopliku shpjegoi arësyet e pezullimit per pese vjet të aktivitetit të gjuetisë, që sipas tij lidhet me kohën për rikuperim që ju nevojitet popullatave të ndryshme.
Ndalimi i gjuetisë pritet të ketë ndikim dhe tek pasurimi i biodiversitetit dhe popullimi i habitateve të ndryshme, si dhe rritja e turizmit që lidhet me vrojtuesit e zogjve, duke ndihmuar në rritjen e ekonomisë lokale.
