U transferua te Kukësi me shumë bujë, por gjatë muajve të tij të parë, Mario Morina nuk ka arritur të fitojë një fanellë titullari te skuadra verilindore, kjo për shkak edhe të paraqitjeve fantastike që ka bërë Izair Emini. Gjithsesi ish-bomberi i Flamurtarit dhe Tiranës nuk pendohet për zgjedhjen e tij dhe është i lumtur që është bërë pjesë e Kukësit.
“Unë përderisa erdha këtu te Kukësi, normalisht e dija se si ishte klima në ekip, sepse mbi të gjitha njoh futbollistët, trajnerin, stafin dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë përsa i përket një aventure në Shqipëri”, pohon sulmuesi kryeqytetas.
Kukësi do të sfidojë sot në transfertë Bylisin, një kundërshtar jo i thjeshtë për t’u kaluar. Diçka të tillë e ka mëse të qartë Morina, i cili gjithsesi ka besim se skuadra e Duros do të arrijë të dalë me tre pikë nga kjo përballje: “Bylisi është një rival i vështirë e ka treguar këtë si në transfertë ashtu edhe në shtëpi. Ballshiotët kanë lojtarë të mirë që dinë të luajnë futboll bukur. Me afrimin e trajnerit të ri ata janë konsoliduar akoma edhe më tepër si ekip, dhe po bëjnë maksimumin për të arritur mbijetesën. Megjithatë besoj se do dalim me tre pikë nga ajo sfidë edhe pse do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne”.
Në fund, 23-vjeçari i bëri një analizë paraqitjes së skuadrës gjatë 3 muajve të fundit, ndërsa nënvizoi se Kukësi i ka të gjitha kartat në rregull për ta përfunduar kampionatin në vendin e 3-të dhe për të fituar Kupën e Shqipërisë: “Jo vetëm kjo periudhë ka qenë e mirë, pasi nga janari e këtej i gjithë grupi ka qenë i plotë dhe kemi arritur rezultatet e dëshiruara. E mbyllëm në mënyrën më të mirë fazën e tretë, dhe shpresojmë të bëjmë paraqitje po kaq të mira edhe në fazën e 4-t, për të arritur dy objektivat sezonalë vendin e 3-t në kampionat dhe fitimin e Kupës së Shqipërisë”.
