Mos besoni!

Ornela

Në ju thënçin-u thye Arbeni,
në është mik-pa turp-do t’ju gënjejë,
po të më kërkoni do më gjeni,
do më gjeni veç ku ka betejë.

Në ju thënçin-ju ka tradhëtuar,
miq të dashur-ju gënjen sërish,
Zoti vetë më ka komanduar,
nëpër Divizione poezish.

Në ju thënçin-zëmra i ka ngrirë,
dhe lypsarit nuk i dha lëmoshë,
mos besoni-o njerëz të mirë,
mos besoni-ç’ju thotë një kodosh!

Në ju thënçin-në të artën stinë,
braktisi pa turp një lozonjare,
mos besoni-se për dashurinë,
unë shkoj këmbëzbathur përmbi zjarre.

Në ju thënçin-tani është sëmurë,
dhe shtratin ka zënë si një meit,
mos besoni-unë nuk shtrihem kurrë,
edhe po të vritem ndonjë ditë!

Në ju thënçin-humbi burrërinë,
dhe u bë lëpitkë në këmbë të shtetit,
mos besoni-nuk e fal lavdinë,
shpirt’ i flakëruar i poetit!

Në ju thënçin-se shpresën ka humbur,
në avuj rakie është mbytur,
mos besoni-asgjë s’më ka tundur,
ylli i shpresës kurrë s’më është venitur!

Në ju thënçin-nata e ka zënë,
dhe ka humbur në një errësirë,
sërish një gënjeshtër ju ka thënë,
mos besoni-o njerëz të mirë!

Në ju thënçin-t’ju thonë ç’të duan,
Bota është e mbushur me kodoshë,
Arben Duka asnjë fije s’luan,
dhe për të ndryshuar nuk ka moshë…

E mira do shpallet Mbret…

Dhe fituan të pabesët,
dhe u shtypën të pashpresët,
nga kjo luftë e kjo përpjekje,
shpresa u plagos për vdekje.

U plagos e u hoq zvarrë,
po akoma s’është vrarë.

Pak kanë mbetur-shumë kanë ikur,
shumë kanë rënë e pak janë ngritur,
lufton drita errësirën,
lufton e keqja të mirën.

Po shpresa ime nuk humb,
se do ketë një gjyq në fund,
paskëtaj do hapen retë,
e mira do shpallet Mbret!

A.DUKA

Share This Article
3 Comments
  • Pershendetje nga Nju Jorku, i madhi Arben…..kam ender T” Ju takoj nje dite …nuk di si mund tju gjej…faleminderit per shpresen dhe entuziazmin qe me falet kaq larg per Jush..

  • Moto sublime, sa njerezore dhe madheshtore. Fjalet gjenden permes ndjenjes dhe mendimit, permes brumit me te cilin eshte gatuar vete poeti.

  • “do më gjeni veç ku ka betejë.”
    ti je me të vërtetë në betejë o duk,por mos harro se të jesh në betejë nuk është se je në krah të SË VËRTETËS,TË SË DREJTËS!!
    o dukëëëëë¨!!
    edhe tradhëtia është në betejë!mos kujto se është në gjumë!!shpesh ajo e ka betejën më të fortë e e kundërta e saj!!
    tradhëtia duhet të luftojë me një popull të tërë!!
    tradhëtia është gjithnjë pakicë o dukë!!
    tradhëtia ka vetëm një gjë në favor të saj!!
    ka armatimin më të mirë!!
    ps:më tutje nuk e vazhdova dot,do më kishte zënë dhe purtha!!për të vjellë më mjaftoi strofa e parë!!

    ndrroje emrin në belul o beno!!
    sa i bukur do të ishte belul duka!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *