Mos gaboni të rrisni pensionin e pensionistëve se e “shpërdorojnë” për ilaçe

Ornela

Prof. Dr. Ago Nezha

Një nga sihariqet e Ministrisë së Financave të ditëve të fundit ishte dhe rritja e rrogave të punonjësve të arsimit,  të mjekëve, infermierëve, e të tjerëve… Është krejt normale që sektorët më delikat të shoqërisë, të kenë dhe privilegje e përparësi në trajtimin e tyre ekonomik, për tu motivuar për shërbimin e tyre specifik. Por duke parë kuotat e pensionit të pensionistëve me një karrierë të gjatë, të stërmundimshme dhe me një kontribut të pa shpërblyer nga të gjithë qeveritë, duhet të kishte një reflektim më human nga qeveria e majtë si përfaqësuese e shtresave të diskriminuara.

Po të bësh bilancin e jetës dhe veprimtarisë të brezit të pensionistëve që jetojnë sot, ka një diapazon dimensional, që fillon në minorancë, në kufijtë e atyre që bën luftën nacionalçlirimtare, që ndërtuan vendin mes errësirës dhe skamjes të tejskajshme dhe brezit që lindi pas luftës dhe ju bashkua të parëve në rimëkëmbjen e ekonomisë kombëtare.

Aleanca shpirtërore që i bashkon këto  dy shtresa të shoqërisë së sotme është ideali i përbashkët, që punuan dhe luftuan me ndershmëri dhe privacione gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shtresë e privuar nga ëndrrat dhe privilegjet e moshës së rinisë në monizëm dhe e diskriminuar dhe e harruar në vitet e “demokracisë”, kanë bërë një jetë që është për t’u harruar, që kanë jetuar.

Të moshuarit e sotëm u privuan nga pranvera e jetës,rinia, pasi ju shfaqën para kohe rrudhat në ballë, në mëndje dhe në zemër, dhe koha e vuajtjeve dhe sakrificave i poqi para kohe. Rina e qyteteve pas çlirimit gjeti një vend të shkatërruar nga lufta dhe i derdhi energjitë në rindërtimin e vendit, në ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, fabrikave, uzinave, shkollave, hidrocentraleve, dhe shumë veprave madhore, që e përvuajtur dhe e pa ngrënë, arriti t’ia ndryshojë pamjen Shqipërisë dhe për gjithë këto sakrifica u shpërblye me një pension, që pa e nisur mbaron.

Ndërsa rinia e fshatit feudal, transformoi bujqësinë dhe fshatin duke braktisur kazmën, lopatën dhe parmendën e drurit dhe vendin e saj e zunë traktorët dhe makineritë, që sistemuan e mobiluan tokat dhe krijuan sistemin e kullimit dhe vaditjes për një bujqësi intensive me rendimente të përmasave europiane. Ky brez, i persekutuar i profesionit, që rininë e tyre e mbollën ugareve, mes ngricave dhe shiut të dimrit dhe vapës së verës dhe pleqërinë e “korrën” rrugëve të papunësisë e varfërisë së tejskajshme, sot lëngon me një pension, që mbaron duke paguar drita, ujë e telefon dhe si do ta përballoj jetesën, kurrkush s’mendon. Ishin këta idealist, që sakrifikuan tërë jetën dhe besuan si dje te partia që e lindën, ashtu edhe sot te demokracia që e sollën, por që në të dy periudhat ndihen të zhgënjyer.

Kujtojnë të djeshmen, që kaluan një rini pa portofole dhe të sotmen me një pleqëri të mbytur në borxhe. Kur marrin pensionin, pensionistët kanë frikë, se me një llogari të thjeshtë, nuk sigurojnë dot minimumin jetik. Mosha e pleqërisë është mosha më kritike, që bie shëndeti, shtohen sëmundjet dhe rriten shpenzimet nga nevojat për ilaçe të ardhurat e pensionit nuk mbulojnë dot shpenzimet shëndetësore, pa folur më për një jetë të qytetëruar sociale. Por politikanët tanë nuk e kanë kuptuar akoma se: “Pleqëria është sëmundja më e rëndë nga të gjitha” siç thotë Hajnrih Man. Politikanët, pushtetarët, dhe”agallarët”, nuk e llogarisin këtë brez të humbur, se kur të shkojnë në moshën e pleqërisë, nuk do kenë nevojën e qeverisë, se do jenë të mbytur nga asetet e pasurisë, që i kanë grabitur shoqërisë. Politikanët dhe pushtetarët, digjen e përgjërohen një herë në katër vjet për pensionistët e shtresave të fshatit e qytetit,duke i vizituar e premtuar, se kanë për t’i rregulluar në jetën e amshuar. Gënjeshtrat më të mëdha janë të justifikuara para fushatës elektorale, me premtime e zotime për elektoratin, që pas marrjes së pushtetit kthehen në përçmime.

Brezi i pensionistëve të sotëm, po të dilnin në pension në kohën e monizmit me rrogat dhe çmimet e atëhershme, jo vetëm që siguronin nevojat e tyre por përballonin dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Një kuadër i lartë, që ka drejtuar në kohën e monizmit vepra gjigandë të ekonomisë si “Hidrocentralet e Fierzës” apo “Vaut të Dejës”, “Kombinatin e Autotraktorëve”, “Azotikun e Fierit”, “Superfosfatin e Laçit”, “Metarulugjinë e Elbasanit”, “Uzinën e Telave në Shkodër, “Fermën 29 Nëntori të Lushnjës” me 13.000 ha, “Ndërmarrjen Bujqësore të Lukovës”, e shumë e shumë vepra të tjera që u shkatërruan e u vodhën nga barbarët e “demokracisë”, merrnin një pension që nuk kishte diferencë të madhe nga drejtuesit më të lartë të shtetit, apo me punonjësit e thjeshtë të këtyre institucioneve.

Ndërsa sot, një deputet analfabet, me diplomë të blerë, me pasuri përrallore në një periudhë të shkurtër kohore, me aftësi të rralla për të përvetësuar e manipuluar, pensioni që ai përfiton sipas ligjit të shkruar, me deputetin e monizmit, që mund të ishte dhe shkencëtar i shquar, nuk ka të krahasuar. Po ti referohem një shembulli konkret, deputeti Ahmet Osja, një shkencëtar i përmasave europiane që ka eksperimentuar e prodhuar disa lloje të reja misri me kapacitet të lartë  gjenetik, duke qenë edhe Ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Stabilitetit, merr një pension qesharak më pak se 30.000 lekë.

Kur dihet dhe është e njohur publikisht, se president, kryeministra, ministra, pushtetar të lartë dhe parlamentar, që kanë parakaluar në të ashtuquajturën demokraci,  kanë vënë pasuri pa kufi dhe i pret një pension që s’njeh kufi, kur fjala më e ç’vlerësuar sot, është fjala ndershmëri.

Në vendin tonë ku papunësia dhe varfëria janë ulur këmbëkryq me një stazh të gjatë për gati 30 vjet, shoqëria jonë jeton me frikë e pushtuar nga pranga shpirtërore, morale, e sociale, për çdo kategori shoqërore, duke filluar nga rinia e duke shkuar te pleqëria. Në Shqipërinë e sotme “demokratike”, ka humbur hierarkia e vlerave dhe janë nëpërkëmbur intelektualët, dija, krijimtaria, dhe kontributi shoqëror. Të gjitha këto vlera shumëzohen me zero. Vlerat superior tek neve janë hierarkia në parti, në qeveri dhe në biznes. Anomalitë që shfaqen në të gjithë sektorët e jetës në “demokracinë” shqiptare janë të zakonshme, por anomalitë në pensione janë qesharake dhe s’kujtohet asnjë qeveri t’i standardizojë sipas hierarkisë së vlerave. Shqipëria është vendi ku profesorët vdesin lypsa.

Një nëpunës që ka punuar në një ministri të linjës, qoftë edhe një magazinier, pse ka statusin e nëpunësit civil merr një pension shumë më tepër se një profesor me prodhimtari të lartë krijuese e botuese,  për më tepër kur e kanë hequr para kohe nga puna për motive politike. Gjatë pushimeve të verës në Orikum, kam një episod personal që është tepër sinjifikativ për hierarkinë e vlerave, me një djalin e një kushërirës time që kishte punuar kapter në ushtri, në Pashaliman. Kishte shkruar një shkrim dhe erdhi ku pushoja për t’ia redaktuar. Pasi ja redaktova shkrimin shkuam për kafe dhe unë duke menduar se ai ka pension të vogël, insistova të paguaja unë  kafen. Ai, më pyeti profesor sa e ke pensionin? Unë ju përgjigja 35.000 lekë. Atëherë Ai, qeshi dhe më tha: “më takon mua ta paguaj kafen se marr 45.000  lekë”.

Ai, ta gëzoj pensionin se i takon për punën e vështirë që ka kryer, por e solla këtë shembull për të treguar kaosin në hierarkinë e vlerave dhe fytyrën e pushtetit “demokratik” në sjellje me intelektualët. Pensionistët, të persekutuarit e pushtetit pseudodemokratik, duhet t’i nënshtrohen fatit dhe të jetojnë edhe ditët e fundit të jetës së tyre në varfëri e mjerim, që s’ka ngushëllim. Puna intelektuale në vendet e zhvilluara perëndimore nuk njeh moshë.

“Në pleqëri më tepër se çdo gjëje i duhet trembur dembelisë dhe mospunës” thoshte Ciceroni. Por në Shqipërinë tonë postdemokratike nuk ka punë as për rininë, ndaj po marrin arratinë dyerve të Europës, pa folur më për të moshuarit. Kjo është një tragjedi kombëtare që po plaket Shqipëria, nga paaftësia dhe makutëria e pushtetarëve tanë sharlatanë. Mirë privati që ka vënë kritere, që për t’u punësuar duhet të kesh moshë  deri në 35 vjeç, por kjo sëmundje foshnjore ka kapur dhe administratën shtetërore, që edhe ata i duan punonjësit me minifunde, me pantallona të grisura dhe me  fjalor të prishur, që të vjen turp ti dëgjosh dhe nuk do t’i besosh.

Kjo është administrata moderne me një fjalor banal, që janë frymëzuar nga parlamenti ynë skandal. Një vend i vogël si yni, me resurse të mëdha natyrore, intelektuale dhe shkencore të trashëguara nga monizmi, po ti kishte menaxhuar mirë këtë trashëgimi, do kishte arritur një standard të lartë jetese për ta pasur zili. Është për të ardhur keq, që kapacitete të larta emblematike intelektuale si Dr. Moikom Zequa, është lënë pa punë për dhjetë vjet për të pritur parapensionin. Shqipëria nuk e ka komoditetin që të shpërdorojë këtë pasuri kombëtare intelektuale, që pak vende të vogla e kanë shansin ta kenë. Por fatkeqësisht klasa jonë politike ka qenë e korruptuar dhe e inkriminuar, kohët e fundit është zgjuar për të ndryshuar këtë situatë groteske.

Shteti i ka harruar pensionistët, veteranët e luftës dhe të punës dhe u është përkushtuar të ashtuquajturve të persekutuar politik, që po ti seleksionosh në shoshën e drejtësisë shumë pak dalin të dënuar për ideologji, propagandë anti parti dhe politikë. Pjesa më e madhe e tyre siç dëshmojnë shumë bashkëvuajtës që kanë qenë në burgje, kanë rënë për çështje ordinere si vjedhje, imoralitet dhe rrugaçëri.

Personalitete e intelektualë të njohur dëshmojnë se duke njohur të kaluarën e tyre ordinere, tregojnë dhe për qëndrimin e tyre në burg si njerëz të degjeneruar dhe me karakter të prishur. Kjo kategori sot është konvertuar në të persekutuar politik dhe marrin dhe dëmshpërblimin nga paret e popullit, me “bujarinë e shtetit”. Shteti kërkon të filtroj të gjitha ato familje që marrin me pa të drejtë ndihmë ekonomike (dhe mirë bën), por nuk tregon të njëjtin vëmendje për të gjithë ata që abuzojnë si të persekutuar politik. Votat i marrin nga veteranët, shpërblimin jua japin sharlatanëve.

Me këtë qëndrim të shtetit “demokratik”, pensionistët dhe intelektualët e kanë humbur personalitetin. Personaliteti i pensionistëve është nëpërkëmbur nga shteti, duke i mohuar lirinë dhe autonominë ekonomike, pjesëmarrjen aktive me mendime dhe përvojën e vyer shumë vjeçare, duke i vrarë vetëdijen dhe ndërgjegjen morale, duke e lënë në harresë, i papërfillur dhe i pavlerësuar për dijet, eksperiencën dhe kontributin e çmuar në vite për shoqërinë.

Share This Article
5 Comments
  • Korrekt!
    Erjon Veliaj – ALABAK, beri shpikjen e madhe te jetes se tij, nje formule qe brenda nates zeroi pensionet e nje plejade njerezish. Mallkuar!

    • Mendoj se qeveria eshte e detyruar te ngreje pensionet e pensionisteve pasi eshte ne ekstrem i pamjaftueshem,ul ne menyre drastike dinjitetin e te moshuarve duke mos perballuar dhe nevojat me elementare dhe se funmi nje shoqeri humane mbron dhe ndihmon shtresat me te dobta per t’a mbyllur jeten e tyre ne repekt dhe dinjitet dhe te mos harroje Rama se nga keta merr me shume se 400000 vota…

  • Shume shkrim i drejte dhe real,pensionin 35000 ti e mer nga titulli qe ke po ne agronomet e thjeshte 25000 marim edhe pse kemi punu 40 e kusur vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *