Të gjithë e njohim “legjendën” e zanës së dhëmbit. Para se ta zërë gjumi, fëmija vendos nën jastëk dhëmbin e qumështit që sapo i ka rënë dhe gjen në mëngjes “dhuratën e zanës së dhëmbit”, një shumë që zakonisht e vendosin aty prindërit apo të afërmit. Por tashmë në Itali ka lindur një tjetër praktikë.
Një studim i ri pediatrik sugjeron se dhëmbët e qumështit mund të përdoren si burim qelizash staminale, të cilat mund të ruhen për t’u përdorur në të ardhmen. “Fëmija mund të ketë në të ardhmen nevojë për rigjenerimin e një muskuli ose kocke, gjë që mund të bëhet lehtë me anë të qelizave staminale”, thuhet në studim.
Megjithatë, specialistët e fushës së pediatrisë janë paksa skeptikë në lidhje me sasinë dhe jetëgjatësinë e këtyre qelizave staminale. Ata thonë se sasia që gjendet në një dhëmb qumështi është e vogël dhe për më tepër, ashtu si në rastin e kordonit ombelikal apo lëngut amniotik, efikasiteti i tyre nuk është provuar ende 100 për qind.
Origjina
Gjithçka ka nisur nga SHBA-ja, ku banka Bioiden nisi praktikat e “depozitimit” të dhëmbëve të qumështit, shembull që u ndoq më pas edhe në Europë dhe konkretisht në Britaninë e Madhe dhe Itali. Banka amerikane duket se ka nxjerrë fitime të mëdha, për shkak të çmimeve të kripura që u ka servirur klientëve: 1200 euro për trajtimin e dhëmbit plus një taksë ruajtjeje prej 100 eurosh në vit. Por a është dhëmbi i qumështit një burim qelizash staminale? Kjo nuk është ende e sigurt, por ajo që nuk ka nevojë për diskutim është se kjo ide është një burim i madh të ardhurash për ata që e kanë aplikuar të parët.