Mos luani me pronat e Steblevës

redaktor

Nga Mehmet Hasani*

 

Me të dalë në shtyp njoftimi ku Agjensia e Trajtimit të Pronave shpallte mijëra ha tokë kullota e pyje të Steblevës për kompesim ish pronarëve të Tiranës, gjithë komuniteti steblevas i shpërndarë në Elbasan-Durrës e më tepër në Tiranë, u shokua me vendimin.

Pyetja e parë që i bënë vetes është: “Pse me tokat e Steblevës të bëhet kompesimi i pronarëve në të gjithë Shqipërinë? Kush janë ata firmëtarë që e bënë këtë mënxyrë e që na tundin para syve 7501-in, apo prona të Shtetit? Po para këtij Shteti të kujt kanë qenë ato prona? Po në kohën e Zogut? Të turkut? Edhe në regjimin komunist, kur u kolektivizua çdo gjë, një tufë me dele nuk futej dot në ato çajre, apo të vinte sëpaten në ato pyje. Steblevasit nuk të falnin, kurse tani të luhet në kurriz të atij populli që me të drejtë e kemi thënë: më patriot se ç’duhet. Si nuk ka asnjë pronë nga Tirana në fondin fizik, po paska Stebleva dhe nga Tirana ish pronarët do të kompesohen me toka në Steblevë si mall belik? Pyetja e parë që duhet t’u shkonte në mendje që nga deputeti, këshilltari i Qarkut a Prefekturës, e deri edhe Kryeministri, si përfaqësuesi më i lartë i shtresave të ulta, i banorëve të thjeshtë që, kur cenohet integriteti i vendit të parët janë ata që do të bëhen therror, të pyesin: “Po kush janë steblevasit? Ç’kanë bërë në shekuj për t’i ruajtur ato prona? Po pse i ruajtën me pojakë të paguar nga qesja e tyre e varfër, ato pyje në këtë tranzicion të shëmtuar e nuk u bënë si pyjet e Pukës apo të Lurës për të mbjellë urof? Po meqë i gjetën të tillë, të virgjër, me një firmë të justifikojnë batërdinë e bërë në gjithë vijën bregdetare apo në Tiranë? Si nuk bënë një takim përfaqësuesit e Agjensisë së Trajtimit të Pronave me komunitetin nga Stebleva, Zabzuni, Borova, Llanga? Jo! Kjo nuk është e drejtë. Është e neveritshme, e papërgjegjshme e kriminale.

Të bësh tani gjyq për tokat e tua me Qeverinë tënde, me përfaqësuesit e tu që, për të votuar, qindra steblevas u regjistruan me Gjendje civile atje e të gjitha këto sakrifica për tokat e tyre, për Steblevën e dashur, për fëmijët që po rriten me mallin e pashuar për amanetin e të parevë. Jo! Kjo është e padrejtë.

Unë jam një intelektual që i bashkohem zërit të qindra intelektualëve tëe shquar të Steblevës. Kam punuar e jetuar për 20 vjet në ato hapësira që mallkoj veten tani, pse kam shkruar që janë të mrekullueshme, apo ta bëjmë Steblevën një Trentino të dytë. I kemi shkelë me këmbë e i mbajmë mend me rrugë e degë, me përrua e piramidë. Kemi shkruar për historinë e atyre njerëzve patriotë.

Që nga viti 1912 e deri në vitin 1922, kur u ratifikuan kufijtë, 3 herë u dogj Stebleva. Tre herë ikën muhaxhirë. U dha toka në Fushë Mbret, Aqif Pashë Elbasani dhe Baba Faja (Martaneshi) në Luz të Madh e të Vogël në Kavajë. Por ata u rikthyen në Steblevë, ku balta është më e ëmbël se mjalta.

Burrat e mençur, menjëherë ribënë Tapinë e vitit 1911 me laps në dorë e hap pas hapi, në fund firmëtarët e Kryepleqtë e fshatrave Steblevë, Klenjë, Borovë; nxorrën një tapi në Kadastrat e Mbretit Zog. U vranë intelektualë të përmasave kombëtare. Hazis Lilën, firmëtar në Kongresin e Manastirit, serbët vranë Hoxhë Moglicën e masakruan 500 burra, gra e fëmijë në Qafë të Prevallit. E përse gjithë kjo urrejtje? Për vatanin, për tokat e të parëve, që në vend të gurëve për sinor, hapnin gropa e i mbushnin me qymyr që po t’i hapim edhe sot, do t’i gjejmë.

Asnjë steblevas, borovas apo zabzunas, Llëngë e Studen nuk lëvizën nga shtëpitë edhe në rregjimin komunist. Me pun e djersë mbajtën familjet, rritën dhe edukuan fëmijët, u shërbyen pyjeve e mbetën njerëz të ndershëm, një komunitet unikal në qëndresën e vet për trojet e tyre.

Me të drejtë është vënë në lëvizje gjithë komuniteti steblevas. Shoqata, gjithë përfaqësuesit dhe kapacitetet intelektuale, me llogjiken e arsyes, siç e ka karakterizuar, larg çdo politizimi kërkojnë t’i ndalet dora firmëtare këtij veprimi arbitrar. Që nga deputeti i zonës z.Taulant Balla që steblevasit e kanë si djalin e tyre, deri te Kryeministri që gëzon simpati prej këtij komuniteti, është momenti të reflektojnë e të mos i provokojnë këta njerëz. Le të jetë ky artikull një apel gjithë strukturave shtetërore për një reflektim në të mirë të shoqërisë.

Le të mos harrojmë vargjet e të madhit A.Duka:

Shqipëri ç’u shite,

Shqipëri ç’të shitën,

mbahesh me lemosha,

mezi e shtyn ditën.

 

*Zv.kryetar i Unionit të Krijuesve Dibranë

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *