Mbi 13 mijë është numri i pacientëve që i janë drejtuar urgjencave spitalore gjatë javës së fundit për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga gripi stinor. Paralajmërohet shtim i fluksit të prekurve gjatë muajit shkurt, ndaj këshillohet marrja e vaksinës antigrip, mbrojtja e së cilës është ende e vlefshme.
Pranvera Kola
Virusi i gripit stinor mund të japë komplikacione të bronkopneumonisë, e në raste të caktuara mund të shkojë edhe drejt ndërlikimeve të rënda që prekin sistemin nervor qendror ,nëse neglizhohet trajtimi në kohë i simptomave të shfaqura. Duke marrë shkas nga rastet e rënda të raportuara prej urgjencave spitalore në vend, autoritetet e shëndetësisë kanë apeluar për kujdes maksimal për ditët në vijim, të cilat shoqërohen me shpërthime masive të gripit.
Deri më tani janë analizuar rreth 72 mostra në laboratorin e virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik ku janë konstatuar pesë raste të rënda të prekura nga gripi stinor. Sipas kreut të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, një nga rastet ka qenë në gjendje të rëndë, por falë mjekimit të marrë tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Pipero ka paralajmëruar se situata gripale pritet të jetë më e rënduar në mesin e muajit shkurt, pasi në këtë hark kohor përhapja e infeksioneve respiratore pritet të jetë më e lartë si rrjedhojë e luhatjeve të theksuara të temperaturave.
Në të gjithë vendin janë raportuar zyrtarisht mbi 13 mijë persona të prekur nga virusi i gripit vetëm gjatë javës së shkuar. Megjithatë, kjo shifër pohohet të jetë shumë herë më e lartë duke marrë parasysh edhe faktin se në shumë raste sëmundja trajtohet në kushtet e shtëpisë. Sipas Piperos, virusi që shkaktoi një numër të madh të vdekurish në SHBA është prezent prej vitesh edhe në vendin tonë, por nuk është në shkallë agresive.
Për të shmangur çdo situatë problematike tashmë janë udhëzuar të gjithë mjekët e familjes apo dhe ata pediatër që të marrin si të dyshuar çdo rast të rëndë të paraqitur me grip të zakonshëm, me qëllim që mostrat e tyre të analizohen pranë laboratorit të ngritur në ISHP. Gripi sezonal karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve.
Në shumë raste personat e prekur nga gripi kanë ethe, dhe brenda një jave manifestojnë probleme të shumta nëse nuk marrin mjekimin e nevojshëm. Koha e shpërthimit të gripit zakonisht është dy deri në tre ditë. Pas këtij afati fillojnë të shfaqen simptomat e dukshme të infektimit me virus të gripit. Gripi sezonal mund të prekë të gjithë popullatën për nga ana tjetër mund të shfaqe komplikacione të rënda tek një kategori e caktuar personash siç janë fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronike apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore, imuniteti i të cilëve është më i dobët.
Gjithashtu ata që rrezikojnë për t’u prekur nga gripi janë edhe personat me probleme të zemrës, mushkëri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike si diabeti etj. Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Por veçanërisht te fëmijët apo personat me imunitet të ulur, periudha infektuese mund të jetë pak më e gjatë. Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit stinor dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit stinor ose të bëjnë komplikacione nga gripi.
Në rrezik më të madh janë: “fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç, njerëzit 65 vjeç e sipër, gratë shtatzëna, si dhe të sëmurët kronikë”. Dy janë viruset e gripit që po përhapen në vendin tonë, ai AH3N2 dhe tipi AH1N1.
Vaksina antigrip, ende e vlefshme
Një ndër rrugët më të mira për t’u shpëtuar komplikacioneve të rënda të gripit është marrja e vaksinës antigrip. Duke qenë se javët e ardhshme shihen si më të rrezikshme, pasi pritet një shpërthim i rasteve gripale, ekspertët e shëndetësisë këshillojnë qytetarët që janë ende në kohë për të marrë vaksinën antigrip, e cila brenda një harku kohor prej dy javësh përgatit organizimin për t’i bërë ballë komplikacioneve që mund të sjellë gripi sezonal. “Epidemia nuk ka filluar, virusi sapo ka filluar të qarkullojë, janë izoluar vetëm pesë raste. Do të thotë që ka ende kohë për të aplikuar vaksinën, sepse janë dy javë të mjaftueshme për të krijuar imunitetin e nevojshëm. Vaksina ka efikasitet në pjesën dërrmuese të rasteve. Çka do të thotë që në 100 veta të vaksinuar, 62 apo 66 raste janë 100 për qind të sigurtë që fitojnë imunitet mbrojtës ndaj komplikacioneve të gripit”, bën të ditur kreu i politikave shëndetësore, Pëllumb Pipero.
Elbasan, merren masa ndaj gripit amerikan
Çdo ditë 70 fëmijë marrin kujdes në urgjencën e pediatrisë
Strukturat shëndetësore në Elbasan marrin masa për të parandaluar dhe zbuluar në kohë virusin e gripit amerikan AH3N2. Në këtë qytet ende nuk janë konstatuar raste të këtij virusi, por sipas mjekëve duhet treguar shumë kujdes me komplikacionet e virozave të stinës. Në spitalin pediatrik në Elbasan, numri i fëmijëve të prekur nga simptomat gripale është rritur gjatë kësaj periudhe duke arritur një fluks deri në 70 fëmijë në ditë në shërbimin ambulator.
Fëmijët paraqiten në spital me vështirësi në rrugët e frymëmarrjes, bronkopneumoni, laringit dhe probleme të aparatit tretës, të cilat shoqërohen më të vjella dhe temperaturë të lartë. Shefi i pavijonit Edmond Laho bën të ditur se “fëmijët nuk kanë pasur komplikacione të rënda dhe shumica i kanë marrë mjekimet në shtëpi”. Sipas Lahos, aktualisht qarkullojnë viruset e gripit të tipit A që janë H3N2, H1N1. Shenjat janë si të gripit të zakonshëm: dhembje koke, kollë, temperaturë e lartë, por nëse kolla sjell vështirësi në frymëmarrje, është e domosdoshme që të shkohet tek mjeku.
Mjekët këshillojnë :
Veprimet e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit:
• Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me shami,
• Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni solucione duarsh me alkool,
• Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës,
• Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë,
• Ushqehuni shëndetshëm,
• Bëni aktivitet fizik,
• Bëni gjumë të mjaftueshëm,
• Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni,
Konsultohuni me mjekun për mjekimin me ilaçe kundër gripit
Nëse jeni të sëmurë me grip apo keni të sëmurë në shtëpi duhet të mbani parasysh:
• Qëndroni në shtëpi,
• Qëndroni veç nga të tjerët,
• Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë,
• Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini,
• Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime,
• Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj,
• Evitoni kontaktet me njerëzit,
• Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës