Mos neglizhoni këto shenja, janë tregues i talasemisë

Ornela

Për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë dhe pacientëve që vuajnë nga sëmundje të tjera që kanë nevojë për transfuzion gjaku, dje në “Ditën Botërore të Talasemisë”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar çeljen e fushatës së dhurimeve vullnetare të gjakut.

Për më shumë se një muaj kjo fushatë do të shtrihet në të gjithë vendin, duke synuar nxitjen e dhurimeve të gjakut, dhurime të cilat janë të domosdoshme për të shpëtuar jetën e qindra fëmijëve të prekur nga talasemia.

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat e shëndetit, nevojat për gjak në Shqipëri janë më të mëdha se ajo që arrijmë të sigurojmë nëpërmjet dhurimit vullnetar. Shifrat tregojnë se në 1 mijë banorë, sigurohen 10.8 dhurime vullnetare. Ndërkohë që nevojat reale janë edhe dy herë më të larta se sa dhurimet e siguruara.

“Dhuroni gjak, gjaku as mund të blihet e të shitet, mundet vetëm të dhurohet”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se me nxitjen e dhurimeve vullnetare synohet mbulimi i nevojave të verës, stinë e cila është mjaft problematike sa i takon gjakut që u nevojitet këtyre pacientëve.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë kësaj fushate do të jetë aktive në të gjithë institucionet, në biznese, në të gjitha ato komunitete ku mundemi që të arrijmë me dhurimin vullnetar të gjakut dhe besoj se nëpërmjet kësaj fushate që kemi nisur do të mundemi që të plotësojmë nevojat për gjak gjatë sezonit veror që është periudha më e vështirë e vitit”, vuri në dukje ministrja gjatë hapjes së fushatës.

Studimet e deritanishme e kanë shndërruar talaseminë nga një sëmundje fatale të fëmijërisë, në një sëmundje kronike, por akoma jo të mirëmenaxhuar për të siguruar cilësi të jetës së tyre.

Talasemia është një sëmundje gjaku e trashëguar që shkaktohet nga një defekt në prodhimin e hemoglobinës, një pjesë e rëndësishme e qelizave të kuqe të gjakut.

Kur nuk ka hemoglobinë të mjaftueshme, qelizat e kuqe të gjakut nuk funksionojnë siç duhet, jetojnë për periudha më të shkurtra kohore dhe ka më pak qeliza të kuqe të shëndetshme në gjak.

Qelizat e kuqe të gjakut çojnë oksigjen në të gjitha qelizat e trupit, të cilin ato e përdorin për të funksionuar normalisht. Në personat me talasemi, qelizat e kuqe të gjakut nuk prodhohen në sasi dhe cilësi normale.

Kur nuk ka sasi të mjaftueshme të qelizave të kuqe të gjakut, nuk ka edhe oksigjen të mjaftueshëm për të gjitha qelizat e tjera të trupit. Njerëzit me talasemi mund të kenë anemi të lehtë apo të rëndë e cila mund të dëmtojë organe

Shenjat dalluese të talasemisë

Duke qenë se trupi juaj ka më pak qeliza të kuqe gjaku kur keni talasemi, shenja më e zakonshme që mund të keni është anemia. Sa më e rëndë të jetë talasemia, aq më pak hemoglobinë ka trupi dhe aq më e rëndë mund të jetë anemia.

Kur ju keni anemi mund të ndiheni të lodhur apo të dobët. Ju mund të keni edhe marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke ngërçe muskulore, si dhe vështirësi në përqendrim etj.

Një nga problemet e tjera te personat me talasemi është zmadhimi në masë të madhe i palcës së kockave, duke i bërë ato më të holla dhe lehtësisht të thyeshme. Kjo vjen për arsye se palca e kockave përpiqet të prodhojë gjithnjë e më shumë qeliza të kuqe për të luftuar aneminë, pra duke punuar më tepër se normalisht.

Një tjetër organ që preket është shpretka, ku një prej funksioneve të saj është filtrimi i gjakut për të luftuar infeksionet.

Kur keni talasemi, shpretka do të punojë shumë për të prodhuar më shumë qeliza gjaku, dhe për këtë shkak ajo nuk mund të përballojë punën për të filtruar gjakun dhe për të luftuar infeksionet.

Për këtë arsye njerëzit me talasemi janë me imunitet të dobët, që do të thotë se janë më të prekshëm nga infeksionet dhe ndonjëherë kanë nevojë për mbrojtje shtesë (si p.sh. vaksina të gripit dhe vaksina të tjera).

Si trajtohet talasemia?

Talasemia është një çrregullim që mund të mirëmenaxhohet me transfuzione gjaku dhe terapi. Lloji i trajtimit që merr një person me talasemi varet nga forma e talasemisë. Një mënyrë për të trajtuar aneminë është furnizimi i trupit me qeliza të kuqe të gjakut përmes transfuzionit të gjakut.

Transfuzioni i gjakut është i domosdoshëm për jetën e një talasemiku sepse:

  • U garanton indeve dhe organeve sasi të mjaftueshme oksigjeni.
  • Ndihmon palcën e kockave për të mos u sforcuar në prodhimin e rruazave të kuqe në mënyrë që kockat të rriten normalisht.
  • Parandalon ose pengon zmadhimin e shpretkës dhe sforcimin e organeve të tjera.

p.k/dita

Share This Article
1 Comment
  • Ju jeni te cuditshem. Anemia gjendet nga analiza speciale qe duhet te kerkojne njerzit edhe mjeket. Nuk duhet pritur te semuresh per te bere analiza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *