Shkencëtarët pohojnë se inteligjenca jonë është duke u pakësuar, aq sa në një të ardhme nuk do të kemi më nevojë për neuronet për të mbijetuar.
Veprimtaria jonë e përditshme kërkon funksionimin optimal të një numri të madh të gjeneve, të cilat, nga ana e tyre, kanë nevojë për një shtytje përzgjedhëse që të ruajnë gjendjen e tyre funksionale.
Teoria ‘provokuese’ e një grupi studiuesish nga Universiteti i Stenfordit pohon se ne jemi duke humbur aftësitë tona intelektuale dhe emocionale, sepse një seri gjenesh, të cilët bëjnë të mundur funksionimin e trurit tonë, janë shumë të ndjeshme ndaj mutacioneve. Si pasojë e këtyre mutacioneve, që nuk po arrihet t’u jepet një zgjidhje, në një kohë të afërt shoqëria moderne mund të mos ketë më nevojë për inteligjencën njerëzore për të mbijetuar.
Pakësimi i aftësisë së trurit, me kalimin e kohës, mund të bëhet problem i madh edhe për vetë teknologjinë, sa që do të lindë nevoja për të gjetur zgjidhje me anët të rrugëve të vjetra dhe natyrore, pra, në sajë të mendjes njerëzore.
“Zhvillimi i aftësive intelektuale dhe prurja e mijëra gjeneve inteligjente në kushte optimale mund të ketë ndodhur në një kontekst jo verbal, para se paraardhësit tanë të dilnin nga Afrika. Në këtë mjedis, inteligjenca ishte një pikë kritike dhe thelbësore për mbijetesën. Me shumë mundësi, ka ndodhur procesi i një presioni të madh selektiv dhe evolucionist mbi gjenet, gjë e cila kërkoi domosdoshmërisht nevojën e zhvillimit intelektual, duke çuar kësisoj në kulmime të reja inteligjencën njerëzore”, thotë Dr. Xherald Krabtri, autori kryesor i kumtesës “Prirjet në gjenetikë” të botuar në gazetën “Cell Press”.
“Por, me mbërritjen e kohëve moderne, në momentin kur makineritë kryejnë dhe zëvendësojnë pjesën më të madhe të funksioneve tona intelektuale dhe fizike, ka të ngjarë që inteligjenca njerëzore të ketë filluar të humbasë terren”, shprehet studiuesi.
Bashkë me zhvillimin e agrikulturës, erdhi urbanizimi i shpejtë, i cili mund të ketë dobësuar fuqinë për të pastruar mutacionet që çojnë në kufizimin e aftësive intelektuale. Duke u bazuar në llogaritjet e shpeshtësisë me të cilën shfaqen mutacionet e dëmshme në gjenomin e njeriut dhe supozimin se 2 mijë në 5 mijë gjene janë të nevojshme në aftësitë intelektuale, dr.Krabtri vlerëson se brenda tre mijë viteve, për gati 120 breza, ne kemi pësuar më shumë se dy mutacione të dëmshme në stabilitetin tonë intelektual.
“Gjithashtu, gjetjet e fundit të neuroshkencës sugjerojnë se gjenet e përfshira në funksionimin e trurit janë unike, por njëkohësisht më të ndjeshëm ndaj mutacioneve. Numri i madh i gjeneve të prekura është duke shkatërruar aftësitë tona intelektuale dhe emocionale”, shton Dr. Krabtri.
Por, fatmirësisht, humbja është mjaft e ngadaltë dhe duke gjykuar nga ritmi i shpejtë i zbulimeve e avancimeve të shoqërisë në shumë drejtime, teknologjia e së ardhmes është e detyruar që t’i gjejë zgjidhje edhe këtij problemi.
“Unë mendoj se në të ardhmen do të specializohemi për të kuptuar se cili prej miliona mutacioneve mund të kompromentojë funksionet tona intelektuale apo se si këto mutacione ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe me proceset e tjera. Kur të arrijmë këtë pikë, do të të jemi në gjendje, që, si me magji të korrigjojmë çdo lloj mutacioni në çdo fazë zhvillimore të qelizave të kujtdo organizmi, jo vetëm atij njerëzor. Pas kësaj faze, procesi i vrazhdë i seleksionimit natyror do të jetë thjesht i panevojshëm”, përfundoi dr. Krabtri.