Mos pyesni për varrin e misionarit rilindës lab!…

Leda Hysa

BILAL RUKIA

Mihal GJERGJI

Kërkoj një mësues dhe s’po e gjej, një edukator, rrezatimi i të cilit ende s’është venitur. Më lodhi rendja drejt një emri dhe s’di ku të ndalem, të një portreti dhe s’di kë të veçoj, të një atdhetari të vërtetë. Kam qënë kureshtar dhe vëzhgues i mprehtë qysh në fëmijërinë time, sikur ta dija që bota është mbushur falsitete dhe vështrimi duhet të kërkojë përtej maskave.

Kam qënë edhe fatkeq. Shumë gjëra dua t’i harroj, e ngaqë s’mundem ngulmoj t’i largohem trishtimit. Ai që më mbante dorën kur fillova të shkruaj a-në e alfabetit tonë, ishte një bir putane që kundërmonte ligësi gjaku dhe orgjine prej skllavi. Sa keq për mua dhe vërsnikët e mi! Sa keq edhe për shkronjat tona të çmuara. Në gojën e tij të ndyrë fjalët gjakoseshin, ndjenin dhimbje.

Pastaj, pak vite më vonë, gjuhën shqipe na e shpjegonte një mësues nga Dropulli. E dëgjoja me kërshëri dhe pyesja veten, nëse i kuptonte vetë ato që na thoshte apo jo? Shqipen e kishte gjuhë të dytë, mirëpo…edhe pse minoritar ishte njerëzor.

Si në mjegull më afrohen pamjet e shumicës së “mësuesve” e duke i bashkuar në mënyrë imagjinare krijohet pylli i dikurshëm me drurë të shtrembër. E njëjta sopatë i preu të gjithë.

Mes mësuesve të Nivicës gjeja fisnikërinë e munguar të argatëve tanë. Më vinte inat edhe pse unë jam stërnip atje, por s’mund të kërkoja pjesën e munguar të dajove. Mes tyre gjeje bukurinë në sjellje, sqimën në veshje, mirësinë që s’munda ta prekja te të tjerët. Çudi! E megjithatë, trungjet tona të dikurshme kishin lëshuar lastarë të rinj. Kjo më bënte entuziast, sepse mund të kapesha diku, si detari pas varkës së shpëtimit.

Ja pra, e gjeta atë që meritonte titullin e lartë të mësuesit, Bilalin, atë që sillte ‘haberet’ e mira nga kurbetllinjtë përtej deteve. Edhe abetaret që botoheshin në Bukuresht. Misionar i palodhur i dijes, Bilal Rukia, ka bërë vendin e tij në panteonin e ndritur të Kurveleshit.

Pavdekësia s’ka tjetër fron ku mund të ulet. Shkonte dhe kthehej nga qyteti i Manastirit, para dhe pas kongresit.

Do ju afroj një portret. Mos u bëni kurreshtar për detaje, është një prej rilindasve. Ata ngjajnë me njëri- tjetrin, nga flokët e gjatë, nga vështrimi zhbirues, gjithmonë rojtarë të trojeve. Kanë të njëjtën dritë në sy, dritën e diturisë që ushqejnë idetë e larta.

Por Bilalin e vranë në fushën e Vanovës, në lartësinë e Pilurit. E gjakosi pabesia e andartëve grekë.

Jam i bindur, i ka mallkuar në gjuhën e bukur shqipe. E ç’rëndësi ka viti, 1936-ta apo 1937-ta? Edhe për varrin mos pyesni.

U pikëlluan gusmariotët. E ndjeni kujen nga Manastiri në Janinē, nga Labëria në Podgoricë ku luftonin trimat e Kurveleshit me mandilet e lidhura ballit!

Unë e ndjej. U mblodhën shkronjat e alfabetit për ta vajtuar dhe për t’i bërë vend brenda gjirit të tyre. Patën frikë mos ia hidhnin eshtrat në lumë si Gjergj Fishtës, apo ta rivrisnin përsëri njerëzit e gjakut, siç ndodhi me mikun tjetër të Bilalit, Mit’hat Frashërin. Edhe Sali Nivica s’është më, s’kam kë pyes.

Por mjafton kaq; u vra për Shqipëri! Bilali u shëmb si një këmbë mali, apo si një lis shtatlart që digjet nga rrufeja. Nuk di pse më erdhi në mëndje pikërisht sot, në një moment trishtimi.

Share This Article
3 Comments
  • krimet e greko serbit jane te pafundme, jane qelbesira qe pasi na moren shumicen e trojeve me rusin e anglezin pas, e donin te gjithen se ndryshe i binte ta kthenin dhe ate qe na kane marre dhe lufta ndaj gjuhes shqipe ishte pjese e asimilimit dhe kane vrare prere dhe ndersa bota i nderon te renet edhe kur ishin pushtues (si keta greket qe na u bene rropoth) ne belbezojme dhe si klase politike jemi bere 100 karatash proBE pale se si shtet kemi ulur breket para fqinjeve dhe botes. Patriotizmi eshte bere gje e rralle. Bravo autorit, i perjetshem kujtimi i kurveleshasve trima e patriote dhe gjithe shqiptareve patriote pavaresisht kufinjve te 1913 qe duhen denoncuar ne gjykate nderkombetare sepse kane qene dhe mbeten arbitrare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *