Pajtim Bello
Të indinjuar për dinjitetin e “nëpërkëmbur” të SHBA, në delir për të shpalosur idetë gjeniale mbi zhvillimet gjeopolitike para, gjatë dhe pas rëniës së Kabulit në duart e talebanëve, të gatshëm për të hedhur rromuze mbi SHBA dhe NATO por mbi të gjitha të ngazëllyer e të etur për të hapur shishe shampanje më shumë për fitoren e talebanëve se sa për “dështimin” e SHBA; amerikanofobët pushtuan median e shkruar e të ekranit. si këpurdhat pas shiut Më me intesitet se vetë zhvillimi i ngjarjeve në Kabul, shpura e analistëve amerikanofobë në Tiranë u energjizua dhe iu duk sikur mori në dorë fatin e botës mbarë!..
Nga amerikanofobët, në mediumin shqiptar u bënë analiza historike e gjeopolitike, u hodhën ide e teori, u shpallën fitues e humbës në atë masë sa që vështirë se ka mbetur vend të flasin kanceleritë e shteteve të mëdha apo analistët autoritarë të këtyre ngjarjeve. Gjithçka dëgjuam mbart një sens keqdashës për SHBA dhe NATO. Duket se disa gjetën rastin rastin për të shfryrë një mllef të grumbulluar në shpirt dhe e bënë këtë pa sistem frenimi. Me symbyllur prej gëzimit shpallën dështimin e SHBA dhe NATO. Sipas tyre autoriteti i SHBA dhe NATO është zbehur ndjeshëm dhe ato nuk mund të garantojnë qëndrueshmëri e stabilitet si më parë! Akoma më keq dritëshkurtërit nxituan të heqin paralele mes Afganistanit dhe Rajonit Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi duke aluduar haptazi se një situate si e Afganistanit është e pritshme edhe në këtë rajon. E hapën sëndykun e djallit dhe lëshuan tymnajë; pa dyshim ky ishte misioni i tyre. Por ata gabojnë rëndë.
Së pari ra Kabuli në duart e talebanëve por nuk ra SHBA dhe as NATO!. Ngjarjet në Afganistan u shpejtua dhe precipituan në ditët e fundit por në ditët në vijim do të shikojmë çfarë ka ngjarë në Afganistan për 20 vitet që NATO qëndroi në atë vend. Drama që përjetohet këto ditë vërtet që është tejet e dhimbshme por nuk jep thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare. Procesi 20 vjeçar është shumë kompleks. Ndikimi në ambientin politik, social, kulturor, fetar dhe të traditës të vetë Afganistanit do të provohet dita ditës në vijim. Nuk ka dyshim se zgjidhjet do të jenë të vështira por periudha para viti 2001 nuk do të pllakosë si një kopje e shëmtuar mbi Afganistan. Tashmë Afganistani nuk është më ai i para vitit 2001, kurrësesi jo. Dështimi apo sukesesi i një opracioni 20 vjeçar nuk vlerësohen sot dhe as priten si me thikë. Sot shohim dramën e për këtë padyshim autoritetet e SHBA dhe Komanda e NATO do të gjenden para kritikës së ashpër nga popujt e tyre dhe jo vetëm. E përsëris se kjo dramë në asnjë mënyrë nuk pasqyron gjithë procesin e qëndrimit 20 vjeçar. Dita ditës do të shpalosen suksese e dështime dhe peshorja do të flasi vetë. Rezultati do të pasyrohet në konfigurimet dhe zhvillimet politike sociale të Afganistanit brenda vendit, në raport me fqinjët dhe superfuqitë.
Së dyti më duket guxim i tepruar, për të mos thënë oreks i madh e veprim i keqqëllimshëm, paralejlja mes ngjarjeve në Afganistan me pritshmëritë për zhvillimet dhe perspektivën e Rajonit Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi. Ide të tilla janë shfaqur me shumicë në mediat serbe e ruse dhe nuk ka vend të transplantohen edhe tek ne. Ky rajon nuk është Afganistan. Marrëdhëniet mes vendeve të këtij rajoni me SHBA, NATO dhe BE kanë historinë e tyre të vjetër e të re. Nuk gjen asnjë pikë ngjashmërie pa lere më të heqish paralele. Perspektiva Euro-Atlantike e popujve të këtij rajoni është një aspiratë e vjetër që po përmbushet dita ditës. SHBA dhe NATO pas ngjarjeve të Afganistanit do të jenë të fuqishme, aktive dhe prezente në rajon edhe më shumë. Së bashku me popujt dhe shtetet e rajonit do të sigurojnë paqe, stabilitet dhe prosperitet demokratik. Askush, përfshi edhe Amerikanofobët, të mos ushqejë shpresa të vdekura. Amerikanofobët mund të flasin, mund ti luten zotit në kishë a xhami por ëndërra e tyre do të mbetet ëndërr e përjetshme dhe jeta e tyre do të tretet duke u lutur.
