Mos vallë loja me dy “porta” hap dyert e BE!

redaktor

Kemi kusure plot si shoqëri dhe politikë kur vjen puna për integrimin në BE por për ironi edhe vetë BE ka dorë në “turqizimin”e tij dhe shndërrimin në mit. Nuk ka pse të jetë as “karrotë” e as “kopaçe”, thjesht një shans për të gjithë – Shqipëria që futet në “pilot automatik” në proçeset demokratike dhe vetë BE që zgjeron influencën gjeopolitike-ekonomike të saj. Nëse shihet si proçes, ku më mirë përsoset demokracia sesa brënda BE? Lojtarin nuk e bën stoli por fusha dhe nëse gjatë në “stolin” e BE, të tjera “ekipe” sillen rrotull.

 

Izolimi i Ballkanit apo autogoli i BE

Me letra, me standartet strikte sot, Shqipëria nuk është për BE. Standarte ama që hanë vetë debat. Si kur (a) shohim të shkuarën (pranimi “ekspres” i Greqisë së varfër apo Lindjes për gjeopolitikë), (b) faktit nëse ato inkurajojnë apo dekurajojnë integrimin, apo dhe (c) mungesës së standarteve të “daljes” (paradoksalisht një vënd aplikant mund të bëhet më i avancuar se një “veteran” në BE).

Këto standarte “veriore” të  BE (ndërkohë që kultura e shtetit dhe qytetaria varion brënda asaj vetë – greku, rumuni, siçiliani etj nuk sillet si britaniku apo gjermani), që të mos shihen si alibi cinike, duhet të jenë objektiva, arritja e të cilave është e mundur vetëm brënda BE.

Europa e lodhur nga ëndërra e saj, e djegur nga “qulli” prej zgjerimit të shpejtë pas 2000, shtimi i nacionalizmit në vëndet “pionere” të BE, po i fryn sot “kosit” ballkanik ndonse efekti “ballkanik” është i pandjeshëm për tregjet modeste që ka. E nëse ka rrezik, ai vjen nga mbyllja e dyerve të BE.

Ballkani në BE është gjëja më e natyrshme për BE. Mbyllja e “mozaikut” BE, krijon një zonë “tampon” në interesin e vetë të “mëdhenjve” në BE (Ballkani do të luante rol kyç në akomodimin e fluksit migrator afrikan dhe jo thjesht si tranzit pakthim drejt “zëmrës” së  BE). Vonesa në integrim, bart kosto – zhgënjim ndaj BE, prirje nacionaliste, terren për mafian politike etj pasoja të dëmshme për vetë BE. Nëse integrimi është “favor”, është favor për të gjithë.

 

A po e inkurajon apo dekurajon BE integrimin e Shqipërisë?
Shqipëria duhet të ishte prej kohësh në BE. Nëse integrimi i djeshëm i Greqisë problematike u motivua prej luftës së ftohtë, ai i Shqipërisë duhej bërë në emër të gjeopolitikës ndaj ndikimit lindor, tensioneve nacionaliste por dhe si “ndjesë” për 1913 (coptimi i territoreve komplikoi ngjizjen e shtetit ligjor të ekspozuar ndaj oreksit greko-sërb për ta sabotuar këtë shtetformim) nga trashëgimtarët e “Kurvës” plak, zanafilla e mosmirënjohjes e së cilës daton nga koha kur Arbëria u martirizua përballë osmanllive në emër të civilizimit perëndimor!

BE ka të drejtë në presionin për përmbushje të standarteve demokratik nga ne por ndërkohë nuk dëshmon paanshmëri dhe vijimësi në qasjet e tij. Nëse integrimi është peng i drejtësisë, apeli i BE për të mbetet “larje goje” teksa duke ndërhyrë në emër të “stabilitetit” bën që elita e korruptuar shqiptare të gëzojë ende “imunitet” perëndimor ndaj ligjit shqiptar.

BE nuk ka një listë të “zezë” dhe embargo lëvizjeje ndaj elitës së korruptuar politike dhe rrethit pranë (ndërsa qytetarit të thjeshtë i ofrohet “shengen” i kushtëzuar). Akoma më keq, BE vijon partneritetin politik apo protokollar me ta. Cinizmi i BE nuk kursen as votën e lirë. Hem denoncon abuzimin elektoral duke e përdorur si alibi për notën “4” në integrim, hem vijon me hipokrizinë e “zgjedhjeve më të mira deri tani” dhe partneritetin me “fitimtarët” e përfolur!

Që ligjet të mos mbeten në kornizë dhe shqiptarët të jenë realisht përgjegjës për reformat dhe standartet e BE, ndërhyrja e BE duhet të jetë parimore dhe jo “hem prift, hem të rruaj”. Qytetari nuk duhet të izolohet për abuzimet e politikanëve që gjejnë dyer të hapura dhe bëjnë foto e qoka në Bruksel. Ajo krijon veç konfuzion dhe domosdo vota shkon tek i “forti” që e ka mirë edhe me BE.

Që faturën e ngërçit të integrimit të mos e paguajë qytetari, BE duhet t’i dalë borxhit atij duke u distancuar së pari vetë qartazi prej politikanëve të korruptuar e kërkuar më pas këtë gjë edhe prej votuesit shqiptar (një ndërhyrje kjo e shumëmirëpritur në “punët e brëndëshme”). Vetëm atëhere qytetari nuk ka më kë fajëson përveçse vetveten nëse ende ndjehet “alien” në Europë.

Ndryshe nga Serbia që luan me dy porta (refuzon Kosovën, genocidin, flirton me Rusinë etj), vokacioni unik pro-europian i yni dhe “medaljet” e faktorit të stabilitetit në Ballkan (në kurriz edhe të kauzës legjitime kombëtare), nuk paskan efekt në integrim.

Të gjitha “vezët” në një shportë (apo “besa” ndaj BE) po na lënë edhe pas Serbisë! Ndoshta na kanë në “xhep”, ndoshta Serbia joshet për gjeopolitikë apo ndoshta ka ardhur koha për një axhendë anti-BE dhe lojë me dy “porta” edhe tek ne që të na përshpejtohet integrimi në BE!

 

Integrim në BE pa komplekse ndaj BE

Romuzi kryeministror ndaj BE nuk zhbën shanset për integrim. 25 vjet servilizëm nuk na sollën më pranë! Nëse integrimi është “martesë” ku fitojnë dy palë, deri atëhere dhe në dinjitet të vetvetes, më shumë se një romuz kryeministror, nevojitet reciprocitet ndaj BE. Nga hyrje-daljet, favorizimi i investimeve strategjike, mosndërhyrja në punët e brëndëshme etj.

Integrimi në BE nuk arrihet me komplekse ndaj BE dhe drejtësia ndaj kupolës së abuzimit, ngritja e kauzave të “arkivuara” të shqiptarëve në Serbi, Çamëri e gjetkë, reciprociteti me fqinjët etj nuk bien ndesh me vokacionin europian. Ato janë europianizëm, as më shumë e as më pak sa ç’ka vetë vëndet e BE bëjnë për interesin e tyre kombëtar.

Askush në BE nuk ia nënshtron interesin strategjik kombëtar BE ku bën pjesë. Nëse jemi vënd strategjik, të jemi së pari për interesat tona. Aq më tepër kur lobet antishqiptare gëlojnë në BE si “sofër” e stërmadhe që është me çdo shtet “dollibash” me veto për çdo gjë (psh. kakofonia ndaj njohjes së Kosovës).

BE ka dëshmuar historikisht më së paku ngurrim, dilema dhe cinizëm ndaj prirjeve perëndimore dhe faktorizimit tonë në rajon – 1913, genocidet antishqiptare, braktisja në fatin tonë pas daljes nga kampi rus (ndonse luftë apo tension sërisht ulet me Putinin, Iranin etj) e deri “legalizimi” i pseudodemokracisë pas viteve 90.

Standarti i dyfishtë nuk flet për strategji të BE ndaj nesh. Në 1990 hapi ambasadat ndonse shumica ishin azilantë ekonomik dhe sot përzë shqiptarët nga Gjermania (ndoshta kosovarë që lufta e 1999 i solli në Shqipëri ndërkohë që mund të ishin bërë azilantë në BE). E ndërsa siriani meriton sigurinë e jetës, vërshimi drejt Gjermanisë kur ndërkohë Turqia, Greqia, Maqedonia, Serbia apo Shqipëria etj janë vënde të sigurta, nuk flet më për për azil politik por shans ekonomik por në dallim nga shqiptarët, ata pranohen me bujë.

Nëse BE me shumë “koka” ka dilema dhe metri i saj është bërë “llastik”, ne nuk kemi përse. Brezi i ri nuk ka pse të vuajë sindromën e “mirazhit”. Ndërsa strategjia e BE është në kaos dhe hezitimi është bërë normë, SHBA mbeten i vetmi partner strategjik interesi i të cilit përkon historikisht me atë shqiptar. Nëse jemi 100% pro-perëndimorë, më së pari jemi 100% pro-amerikanë E ndërsa pritshmëria prej partnerit historik është përtej shanseve të një llotarie green-card, partneriteti me të mbetet jetik për integrimin në BE.

Në BE nuk hyhet me zor dhe integrimi lyp dinjitet. Shanset as nuk fillojnë e as nuk mbarojnë me BE. Të sillemi si europianë që jemi duke vënë interesin tonë në plan të parë. BE, që ndoshta kupton vetëm “lojën me dy porta”, është “bonus” që vjen vetë.

 

*******

*Prof.As.Dr. / Karikatura shoqëruese nga Agim Sulaj

Share This Article
1 Comment
  • Sa qenka lodhur mendja ketij gazetari per te shpikur teori ala albanistani! Ky kujton se albanistani eshte lojtar! Ky harron, qe jeton ne kolonine Amerikano-BE. Ky kujton se mund te bej lojtarin me BE!
    O keta „super te zgjuar“, qe sja kane haberi botes flasin per politike te jashtme, sikur te ishte koha e Xhaxhit. Keta jetojne ne nje koloni dhe drejtohen nga marioneta dhe meqe marionetat bejne lojen e radhes me kete popull debil keta gazetare mjerane kujtojne vertete se kolonia tyre eshte dhe vend lojtar ne arenen nderkombetare! Se di se ku jetojne keta njerez! Akoma skane mesuar „abc e botes se sotme“ ,nuk duan te pranojne te verteten e verbert se kush jane dhe cfare rroli kane sot ne kete bote. Nuk ja kane haberin se kush jua ben buxhetin, ekonomine, rrogat, politiken pa peshe dhe vlere dhe cdo gje tjeter, se perndryshe sdo na flisnin akoma sot per politike geostrategjike.Cfare Ironie!
    E vetmja gje qe ju ka lene ne dore eshte vetem te beni gam gam! Se kur do futet Albanistani ne BE, se percakton kurre as Edi Rama, as Lul Basha dhe as Ilir Meta dhe as ndonje mercenar tjeter, por vetem dhe vetem BE! Vetem kur te behesh skllav i denje, atehere do te pranojne ne BE. Deri tani dhe pse je treguar skllav i zellshem, se e ke shitur tere pasurine kombetare dhe je bere skllav i bindur, kjo nuk mjafton akoma per te hyre ne BE. Pra ke dhe ca detyra te tjera te brendeshme skllavi, se ato te jashtmet i ke bere pike per pike, qe spo i ben sic duhet ne shtepine tende. Duke pare qe detyrat e brendshme sklleverit si gjithmone i bejne me veshtersi, pasi zihen tere kohes se kush do mbaje copen me te madhe te therrimes dhe pse behet fjale per gjera elementare, albanistanit sot do duhet te prese dhe ca dekada qe te behet skllav i denje per BE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *