Dhjamosja është një ndër shkaqet e shpeshta që po ndikon në shtimin e nivelit të sëmundshmërisë në popullatën shqiptare, të cilat nuk prekin vetëm moshat e rritura, por në masë po shfaqen edhe tek nxënësit e arsimit parauniversitar. Ekspertët e shëndetit publik sqarojnë se kjo situatë vjen për shkak të mungesës dhe braktisjes së aktivitetit fizik, si dhe rendjes drejt një jete sedentare, ku mbizotëron ushqimi i thatë e me kalori shumë herë më të larta se sa sasia që i nevojitet organizmit. Kjo problematikë shfaqet edhe më e theksuar tek nxënësit e arsimit të detyruar, tek të cilët po vërehen në rritje sëmundje të tilla si obeziteti, diabeti, etj. Ndërkohë, që në shkolla prej vitesh nuk funksionon as kabineti i shërbimit të mjekut, çka mund të ndihmojë në evidentimin e problemeve shëndetësore të fëmijëve. Konkretisht, rreth 98 për qind e nxënësve të sistemit tonë arsimor nuk kanë kartelë mjekësore, ku të reflektohet ecuria e tyre shëndetësore, ndryshe nga sa ndodh në vendet e tjera. “Në vitet e fundit sëmundjet kardiovaskulare të popullsisë janë rritur me 25 për qind, numri i vdekjeve të njerëzve të sëmurë nga kanceri është rritur me 30 për qind, krahasuar me vitet 90. Po gjatë këtyre viteve është dyfishuar edhe numri i pacientëve që shtrohen në spital për sëmundjen e diabetit, 20 për qind e grave dhe 28 për qind e burrave në Shqipëri, kanë tension të lartë gjaku dhe përdorin barna antihipertensivë. Matjet mbi popullsinë me moshë mbi 20 vjeç, tregojnë se 54,4 për qind e saj është me mbipeshë dhe 21,3 për qind është beze”, sqarohet nga ISHP. Këto shifra mund të përkeqësohen edhe më shumë nëse nuk merren masa për frenimin e tyre, ku ndër më të rëndësishmet është kryerja e aktiviteteve sportive dhe kujdesi ndaj regjimit ushqimor. Sipas specialistëve të ISHP-së, obeziteti mund të godasë cilindo person, sidomos ato kategori që bëjnë jetë sedentare dhe shoqërohet me një sërë pasojash siç janë “sëmundjet zemrës, diabetit, mbitensionit, disa lloje të tumoreve, shqetësime psikologjike, dhimbje dhe dëmtime të kolonës vertebrale e të gjymtyrëve”.
Përfitimet nga kryerja e aktivitetit sportiv
Në rastet kur aktiviteti fizik nuk neglizhohet, por zhvillohet në mënyrë të përshtatshme dhe të vazhdueshme, është një mjet i dobishëm që ndikon pozitivisht gjatë jetës së njeriut dhe mbron nga këto sëmundje, që kanë të bëjnë me : “Mënjanimin e obezitetit dhe mbipeshës, rrit masën e fuqinë muskulore, rendimentin e zemrës, të mushkërive dhe të enëve të gjakut, mënjanon osteoporozën dhe rrit masën kockore, mënjanon dhimbjet e shtyllës kurrizore dhe të artikulacioneve, zvogëlon mbitensionin e gjakut, mbron nga infarktet kardiake dhe nga sëmundjet e arterieve”. Gjithashtu mbron nga hemorragjitë cerebrale, zvogëlon rrezikun nga streset dhe rrit tolerancën ndaj tyre, përmirëson diabetin, zvogëlon rrezikun nga kanceri, mbron nga zhvillimi i proceseve negative të koagulimit të gjakut, rrit me 5 vjet jetëgjatësinë, ndihmon në mënjanimin e duhanit, alkoolit, drogës, përmirëson marrëdhëniet sociale, etj. Për të frenuar këtë situatë, Ministria e Arsimit ka hartuar tashmë një strategji, në të cilën krahas shtimit të orëve mësimore për edukimin fizik në shkolla, do të monitorojë edhe zhvillimin korrekt të tyre, dhe jo të neglizhohet më ora e fizkulturës, ku nxënësit qëndrojnë në oborret e shkollave duke ngrënë ushqime të blera në fastfood-et rrethe e rrotull.
Ambientet sportive në shkolla mbahen të kyçura
“Ambientet sportive nëpër oborret e shkollave shqiptare, janë të kyçura me çelës dhe ndër to spikasin tabelat që ndalojnë hyrjen dhe zhvillimin e aktivitetit fizik, domethënë promovojnë sedentaritetin dhe dhjamosjen e fëmijëve tanë. Aktiviteti fiziko-sportiv në vendin tonë, fatkeqësisht konsiderohet si një aspekt me përmbajtje të pakët kulturor, ndërkohë që bota e përparuar e kualifikon si një nga shtyllat themelore të zhvillimit të jetës së qytetarëve. Në Finlandë, masivizimi i aktivitetit të rregullt fizik, është shumë i madh dhe konkretisht praktikohet prej 92 për qind të popullsisë, ose masivizimi atje është 23 herë më shumë sesa në Shqipëri”, bëhet me dije nga burimet zyrtare të MAS.
Rezultatet e vëzhgimit mbi funksionimin e aktivitetit fizik në shkolla
•Qendra Kërkimore Shkencore e Sportit në Shqipëri, ka konstatuar se popullsia jonë aktivizohet fizikisht-atletikisht, në masën prej 4 për qind, çka do të thotë se aktiviteti fizik është pakësuar në përmasa të theksuara dhe individi është bërë sedentar.
•Masa prej 98 për qind e nxënësve të sistemit tonë arsimor, nuk ka kartelë mjekësore.
•Masa prej 96 për qind e nxënësve të sistemit tonë arsimor, nuk ka kartelë për matjet e antropometrike, të ekzaminimeve mjekësore, të cilësive fizike-atletike.
•Pjesa prej 86 për qind e numrit të shkollave të arsimit parauniversitar të vendit, nuk ka kërkuar ndonjëherë bashkëpunim me median.
•Pjesa prej 86 për qind e numrit të shkollave të arsimit parauniversitar të vendit, nuk ka mjetet e nevojshme të materialeve didaktike në shërbim të orës së mësimit të Edukimit Fizik.
•Pjesa prej 60 për qind e numrit të shkollave të arsimit parauniversitar të vendit, nuk ka nxjerrë ndonjëherë situatën e peshës optimale, të mbipeshës ose të obezitetit, për nxënësit e shkollës.
•Pjesa prej 96 për qind e numrit të shkollave të arsimit parauniversitar të vendit, nuk bën gjimnastikë mëngjesi në shkollë.
•Pjesa prej 94 për qind e numrit të shkollave të arsimit parauniversitar të vendit, nuk ka evidentuar ndonjëherë arritjet e shkollës nëpër aktivitete fiziko-sportivë jashtëshkollorë.
•Asnjë nga shkollat e arsimit parauniversitar në vend, nuk ka vlerësuar asnjëherë nxënësit për nivelin e konsumit maksimal të oksigjenit, domethënë të rendimentit kardiak-respirator-vaskular.
•Sedentarizmi tek ne tashmë e ka fillimin e tij që në kopsht.
•Janë eliminuar orët e mësimit të Edukimit Fizik në vitet XI dhe XII të shkollave të mesme të vendit.
•Testet e cilësive fizike-atletike që u zhvilluan në muajin prill-maj 2014 në Tiranë, me 3000 të rinj 20-28 vjeç të cilët konkurruan për të fituar të drejtën e shkollimit në policinë e shtetit, nxorën në dukje se niveli metabolik, funksional, strukturor i tyre është nën nivelin e standardit të moshës.
•Përqindja e faktorëve të rreziqeve kardiovaskularë (sedentariteti, obeziteti, mbitensioni, hiperkolesterolemia, etj.), po godasin gjithë grupmoshat, duke filluar nga ato rinore dhe po dëmtojnë individët e rritur, të cilët po i nënshtrohen situatave të rënda me kohëzgjatje spitalore.