Moska ka akuzuar Uashingtonin për nxitje të tensioneve ushtarake, pasi SHBA testoi raketën e parë, që kur u tërhoq nga Traktati për Armë Bërthamore INF, në fillim të këtij muaji.
Zëvendës ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka thënë për mediat ruse se testimi i raketës tokësore me rreze të mesme në Kaliforni është “shkak për keqardhje”.
AI ka shtuar: “Shtetet e Bashkuara shihet se janë nisur drejt nxitjes së tensioneve ushtarake. Ne nuk do të reagojmë ndaj provokimeve”.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi Pentagoni njoftoi se ka testuar një raketë konvencionale Kruz në një ishull Kalifornisë.
Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja e vitit 1987, më 2 gusht. Sipas kësaj marrëveshjeje, testimet e raketave tokësore dhe atyre balistike me rreze nga 500 deri në 5,500 km ishin të ndaluara. Sidoqoftë, traktati nuk ndalonte hedhjen e raketave nga deti apo ajri.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar më 1 shkurt se Shtetet e Bashkuara do të largohen nga marrëveshja për Armë Bërthamore, duke akuzuar Rusinë për shkelje të kushteve të këtij dokumenti.
Sipas SHBA-së, Rusia ka zhvilluar dhe testuar raketën, 9M729, të njohur si SSC-8. Moska ka mohuar pretendimet, duke deklaruar se janë sistemet raketore amerikane në Evropën Lindore që shkelin kushtet e marrëveshjes, çfarë është kundërshtuar nga Uashingtoni.
Tërheqja nga marrëveshja të SHBA dhe Rusisë ka nxitur shqetësimet për një garë të re të armëve mes këtyre dy vendeve, raporton Dita duke iu referuar mediave ndwrkombetare.
e.ll./dita
