Moskë, 29 mars 1961: Debati i Hrushovit me Beqir Ballukun për Bazën e Vlorës

anazapta

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(24)

Arkivat sekrete ruse

 

Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Mbledhja urgjente e Sesionit të Komitetit Politik Konsultativ të shteteve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës më 29 mars 1961. Debatet e ashpra mes përfaqësuesit shqiptar Ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku me Nikita Hrushovin lidhur me komandën dhe misionin e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit.

 

Hrushovi: Baza luftarako-detare në Vlorë, nuk mund të realizojë ato detyra për të cilat është ngritur. Ajo është bërë vetëm burim fërkimesh. Shqiptarët duhet të na e lenë këtë bazë ne.

Balluku: Baza e Vlorës është dhe do të mbetet e Shqiptarëve. Likuidimi i saj është një hap negativ e ne nuk e lejojmë. Delegacioni i Shqipërisë deklaron qëndrimin e tij kundër!

 

Më 29 maj 1961, sipas dokumenteve sekrete të arkivave ruse, (përfshirë në studimin e autorëve Hamit Kaba e Ethem Çeku), mblidhet me urgjencë në Moskë Sesioni i Komitetit Politik Konsultativ të shteteve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës, me pjesëmarrjen e Nikita Hrushovit. Objekt i kësaj mbledhje ishte pakënaqësia e Hrushovit për qëndrimin e Shqipërisë për misionin dhe situatën në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit në Vlorë dhe këmbëngulja e rusëve(dhe përfaqësuesve të tjerë) për marrjen e komandës nga sovjetikët në këtë bazë. Këtu, nis debati i ashpër mes Hrushovit e përfaqësuesit shqiptar Beqir Balluku që kundërshton prerë çdo vendim, me këmbënguljen e patjetërsueshme se ‘Pashalimani është i Shqipërisë’….

 

 

(Nga stenogrami i Sesionit të Komitetit Politik Konsultativ të shteteve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës)

Më 29 mars 1961

Sekret

Seanca e tretë­ (e mbrëmjes)

Kryesuesi i seancës shoku Ulbriht(përkthim). Vazhdojmë seancën. Fjala i jepet Kryetarit të delegacionit sovjetik Nikita Sergejeviç Hrushov.

Të dashur shokë!

Unë do të doja të shprehja disa vërejtje për sa i përket shokëve shqiptarë, të cilët kohët e fundit po largohen nga vija e koordinuar e politikës së jashtme të vendeve të Kampit Socialist. Ne, jemi tepër të mërzitur që pas Mbledhjes së Moskës shokët shqiptarë nuk e kuptojnë aspak drejt situatën dhe zhvillojnë një politikë të tillë, e cila nuk mund të mos shkaktojë keqardhje.

Është vështirë të kuptohet përse, për shembull, qeveria shqiptare nuk u jep mbështetje aktive propozimeve konkrete të vendeve socialiste për çështjet e bashkëpunimit ndërballkanik, për krijimin e një zone jo atomike në rajonin e Ballkanit dhe në Adriatik, por në thelb, madje, pengon vënien në jetë të këtyre propozimeve.

Situata e tanishme e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, me sa duket, është e njohur për të gjitha partitë motra. Ne, kemi shpresuar me sinqeritet që marrëdhëniet, pas mbledhjes së partive komuniste e punëtore dhe pas miratimit të komunikatës së përbashkët do të përmirësoheshin mjaftueshëm. Por praktika ka treguar, se ushqejmë më kot shpresa të tilla. Një gjë e tillë ndjehet veçanërisht në bazën luftarako-detare në Vlorë, e cila u ngrit në territorin e Shqipërisë, me kërkesën e qeverisë shqiptare mbështetur në Traktatin e Varshavës, për garantimin e sigurisë tonë të përbashkët. Ashpërsimi i marrëdhënieve ndodhi përpara Mbledhjes së Moskës, kurse pas saj ato vazhdojnë të keqësohen çdo ditë, pavarësisht nga deklaratat zyrtare që bëjnë udhëheqësit shqiptarë, se gjoja gjithçka është normale. Në qoftë se udhëheqësit shqiptarë mendojnë se situata e tanishme është normale, atëherë ne kemi një të kuptuar të ndryshëm të faktit, se çdo të thotë një marrëdhënie normale.

Baza luftarako-detare në Vlorë tani, faktikisht, nuk mund të realizojë ato detyra për të cilat është ngritur. Ajo, në thelb, është e paaftë për luftë, është e paralizuar. Prandaj si konkluzion del, se në kushtet e tanishme nuk ka kuptim ekzistenca e kësaj baze. Baza e Vlorës është bërë vetëm burim fërkimesh, rrjedhimisht burim i ashpërsimit dhe përkeqësimit akoma më të madh të marrëdhënieve tona me Shqipërinë. Veç kësaj, në kushtet e tanishme, ne nuk jemi të garantuar për shkak të provokacioneve të mundshme në Bazë. Ushtarët tanë një gjë të tillë e ndjejnë vazhdimisht. Mund të ndodhin gjithfarë incidentesh të papritura, të cilat ne nuk i dëshirojmë dhe të cilat, nuk i duan komunistët e vërtetë, e të gjithë njerëzit e ndershëm.

Prandaj ne, shtruam përpara shokëve shqiptarë problemin e domosdoshmërisë për krijimin e kushteve normale në Bazë. Ndërsa tani, një gjë e tillë, siç duket, mund të sigurohet vetëm me një kusht.

Në qoftë se shokët shqiptarë mendojnë, se qëndrimi i marinarëve tanë ushtarakë dhe Flotës tonë Luftarako-Detare në Vlorë, duhet për Traktatin e Varshavës dhe, para së gjithash, për mbrojtjen e vetë Shqipërisë, atëherë ata duhet të jenë dakord me faktin, që në këtë bazë të jenë vetëm marinarët sovjetikë. Një zgjidhje e tillë e problemit do të evitonte burimet e fërkimeve, të cilat çojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve tona. Kështu, do të krijoheshin kushte normale për komandën e bazës luftarako-detare dhe ajo do të ishte gjithmonë e gatshme për plotësimin e detyrave të ngarkuara. Në Vlorë duhet të jetë një komandë unike, që i bindet vetëm Kryekomandantit të Organizatës së Traktatit të Varshavës, pa ndërhyrjen e organeve ushtarake shqiptare.

Po në qoftë se shokët shqiptarë nuk e pranojë këtë gjë dhe nuk janë dakord, kjo është e drejta e tyre. Por kjo bazë ne na duhet jo më shumë se sa të gjithë anëtarët e Organizatës së Traktatit të Varshavës, dhe rrjedhimisht, edhe vetë Shqipërisë.

Shoku Balluku, në fjalën e tij tha se Shqipëria ndodhet në rrethimin e vendeve kapitaliste dhe se ajo mund t’i nënshtrohet një sulmi. Në qoftë se udhëheqja shqiptare e kupton këtë me të vërtetë kështu, atëherë duhen bërë konkluzionet përkatëse. Sepse Shqipëria duhet të jetë e interesuar për ruajtjen e kësaj Baze, me qëllim që ajo të jetë e aftë për luftë. Por, me sa duket, këto janë vetëm fjalë, sepse me vepra nuk po realizohet asgjë konkrete. Del se, ne kemi bazë në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë, nuk kemi kurrfarë besimi se në gjendjen e krijuar, kjo bazë të përmbushë funksionet që i janë ngarkuar. E përsëris, ne nuk mund të pajtohemi me një gjendje të tillë.

Kryetari i seancës shoku Ulbriht (përkthim). Fjala i jepet kryetarit të delegacionit të Republikës Popullore të Shqipërisë, shokut Beqir Balluku.

Beqir Balluku (përkthim). Në këtë mbledhje u ngritën një sërë akuzash kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Jam ngarkuar nga Komiteti Qendror dhe qeveria që unë përfaqësoj, që në këtë Mbledhje të Komitetit t’u jap përgjigje këtyre akuzave të ulëta. Këtu, u tha se gjoja qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë në politikën e saj të jashtme ndjek një kurs të papajtueshëm me Traktatin e Varshavës, se ne jemi kundër bashkekzistencës paqësore, se ne nuk mbështesim vijën e përpunuar bashkërisht për bashkëveprim në Ballkan. Në këtë rast, shoku Zhivkov ka parasysh propozimin mbi çarmatimin në Ballkan dhe thotë se gjoja ne jemi kundër idesë së krijimit të një zone jo atomike në Ballkan. E gjithë bota e di qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë lidhur me të gjitha problemet ndërkombëtare.

Qeveria jonë, e bazuar në vijën marksiste-leniniste, e ka mbështetur dhe mbështet plotësisht politikën e jashtme të drejtë të Bashkimit Sovjetik, e konkretisht propozimet për çarmatimin. Kush e mohon këtë fakt, ai shpif kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, dhe nuk mund të ketë qëllime të mira ndaj popullit shqiptar, kundër paqes dhe socializmit. Qeveria jonë gjithmonë ka qenë për bashkekzistencën e shteteve me rend të ndryshëm social. Për këtë dëshmon e gjithë veprimtaria e saj. Krahas kësaj, ngjall habi dhe nuk mund të mos shkaktojë revoltë pohimi që gjoja, qeveria jonë është kundër kthimit të Ballkanit në një zonë antiatomike. Shoku Hruniçev, do të ishte mirë në qoftë se këtu do të lexohej deklarata e përbashkët sovjeto-shqiptare, ku u ngrit propozimi mbi kthimin e Ballkanit dhe Adriatikut në një zonë antiatomike, me qëllim që pjesëmarrësit e mbledhjes së sotme, të njiheshin me të gjitha përpjekjet e qeverisë sonë, për ta vënë në jetë këtë propozim. Një pohim i tillë, është krejtësisht i pabazuar dhe nuk mund të konsiderohet si përpjekje për të shfrytëzuar për qëllime të caktuara, çdo material të kësaj fushate, të papajtueshme me qëllimet e mbledhjes, kundër partisë dhe qeverisë sonë.

Për sa i përket propozimit të qeverisë bullgare mbi çarmatimin në Ballkan, unë do të doja që t’i përgjigjesha mbledhjes se, që në janar të vitit 1960, pasi shoku Zhivkov doli me këtë propozim, ne ftuam ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë dhe theksuam se për këtë çështje, ne, si vende të Traktatit të Varshavës, të lidhur me traktat direkt me Bullgarinë, duhet të konsultohemi. Por mendimin tonë nuk e kërkuan. Kryetari i delegacionit bullgar në Sesionin XV të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në raportin e përgjithshëm tha, se nga ana e tyre është propozuar një pakt mossulmimi midis vendeve ballkanike. Si përgjigje përfundimtare – mbi pakësimin e forcave të armatosura të vendeve ballkanike, të cilat do t’i çojnë këto forca deri në nivelin e mbrojtjes së kufijve, se ideja që Ballkani të kthehet në zonë çarmatimi të përgjithshëm e të plotë, do të realizohet më përpara se në çdo vend tjetër. Është e vërtetë, se ne i deklaruam delegacionit bullgar se qeveria jonë është kundër këtij propozimi.

Ne, gjithmonë jemi për çarmatim të përgjithshëm e të plotë, me një fjalë për çarmatim të të gjithë vendeve të botës, pa përjashtim. Vetëm në këtë mënyrë mund të evitohet rreziku i luftës. Ne, gjithashtu kemi qenë për atë, që Ballkani dhe Adriatiku të kthehen në zona paqeje, pa armë bërthamore dhe me hidrogjen. Ndërkaq, ne, nuk mund të pajtohemi me pikëpamjen e shokëve bullgarë, lidhur me çarmatimin e plotë, vetëm në rajonin e Ballkanit, gjersa një gjë e tillë do të ekzistojë në vende të tjera.

Propozimi bullgar ka si qëllim çarmatimin e përgjithshëm e të plotë të një zone të caktuar, pra të Ballkanit. Ç’do të ndodhte, në qoftë se do të pranohet një propozim i tillë? Kjo do të thotë, që shtetet e Ballkanit dhe Shqipëria duhet të çarmatosen plotësisht, duke mbajtur vetëm ushtarët e kufirit. Kjo do të ishte gjë e mirë, në qoftë se bëhet, por jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë vendet e tjera të botës, pasi (e kundërta) do të ishte shumë e rrezikshme për ekzistencën e vendeve socialiste në Ballkan e sidomos për Shqipërinë.

Si të pajtohet Shqipëria me çarmatimin e plotë, me evakuimin e bazës ushtarake të Vlorës, kur Flota e Gjashtë Amerikane lundron në ujërat e saj territoriale, kur janë instaluar baza raketash dhe baza ushtarake në Gjermaninë Perëndimore?

Propozimi i shokut Zhivkov është vetëvrasje për vendet socialiste të Ballkanit, të cilat janë pjesëmarrës të Traktatit të Varshavës. Prandaj, ne nuk jemi aspak dakord me këtë propozim, dhe nuk mund të shkelim interesat e Traktatit të Varshavës dhe vijën e përgjithshme politike të mbrojtjes së Kampit Socialist. Kjo vijë, i sjell dëm të madh edhe vetë interesave të Kampit Socialist, si rezultat i propozimeve të tilla, si ato që u bënë në Neë York, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nga shoku Zhivkov, për problemin e bazës luftarako-detare. Më 27 mars, në orën 2300, në përgjigje të letrës sonë të 21 shkurtit 1961 për këtë çështje u dërgua letra e shokut Greçko. Çfarë e detyroi shokun Greçko të dërgonte kaq urgjentisht përgjigjen e letrës time, dërguar një muaj më parë, vetëm disa orë përpara hapjes së punimeve të mbledhjes së Komitetit Politik? Përse nuk e dërgoi më parë, ose përse nuk priti ta dërgonte më vonë? Kjo bëhet e qartë nga përmbajtja e letrës së shokut Greçko, me qëllim që M… e të tjerë, ne këtë mbledhje të Komitetit, në mënyrë të organizuar dhe të befasishme të akuzojnë qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë. Faktikisht letra e shokut Greçko, nga një anë, shmang përgjigjen për çështjen themelore që përmban letra ime e 21 shkurtit të këtij viti, kurse, nga ana tjetër, ai bën një sërë pohimesh të konkluzioneve të pambështetura, krejtësisht të gabuara dhe të pabesueshme në drejtim të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë.

Në fund të letrës ai shkruan se, në qoftë se qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, është e interesuar në qëndrimin e mëtejshëm të anijeve luftarake dhe anijet e tjera, atëherë ato të kompletohen vetëm me ekuipazhe sovjetike, ndryshe ata do të shtronin problemin e tërheqjes së anijeve luftarake sovjetike dhe të ushtarakëve e specialistëve sovjetikë, para Komitetit Konsultativ dhe para qeverisë sovjetike.

Unë iu përgjigja menjëherë shokut Greçko, duke hedhur poshtë shtrembërimet e trillimet në këtë letër, dhe protestova vendosmërisht kundër përpjekjes për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

Duke shkelur marrëveshjen sovjeto-shqiptare në fuqi, mbi Bazën e Vlorës dhe parimet, në të cilat bazohen marrëdhëniet midis vendeve socialiste, një kopje e kësaj letre iu dha për njoftim të gjithë delegacioneve.

Baza Luftarako-Detare e Vlorës e krijuar me iniciativën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, të angazhimit të qeverive shqiptare e sovjetike, të përcaktuara nga një marrëveshje e përbashkët, është Baza e vetme në detin Mesdhe dhe ka rëndësi të madhe, për mbrojtjen e Shqipërisë e të të gjitha vendeve socialiste. Prania e kësaj Baze në brigjet e Adriatikut, do të thotë, që kufijtë jugorë të Kampit Socialist nuk vendosen në Detin e Zi por deri në Gjibraltar. Kjo do të thotë, se veprimet e flotës amerikane jo vetëm paralizohen, por në rast domosdoshmërie edhe asgjësohen. Kjo do të thotë, se bëhet i pamundur një sulm i armatosur kundër Shqipërisë nga deti.

Likuidimi i kësaj baze do të ishte vetëm në interes të armiqve të Kampit Socialist dhe të Bashkimit Sovjetik. Prandaj ne, këmbëngulim që të ruhet baza e përbashkët sovjeto-shqiptare në territorin shqiptar, në mbështetje të marrëveshjeve të miratuara, të ruhet status-quoja midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. […]

HRUSHOV: Shokë të dashur! Unë jam i detyruar të flas dhe të bëj një deklaratë, megjithëse ju vetë e shikoni, që nuk kisha ndërmend të flisja dhe prandaj nuk kam përgatitur asgjë të shkruar. Por, unë e konsiderova të domosdoshme të flas, me qëllim që të vendoset e vërteta dhe të hidhen poshtë shtrembërimet, të cilat u thanë nga shoku Beqir Balluku.

Çfarë ka ndodhur shokë? Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një vend të madh apo të vogël. Ne, shkuam në Shqipëri me ftesë të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare.

Unë kryesoja delegacionin e Bashkimit Sovjetik, në të cilin bënte pjesë mareshali i Bashkimit Sovjetik, Malinovski dhe shokë të tjerë, të cilët janë të respektuar nga populli ynë dhe partia jonë. Ne, kishim marrëdhënie shumë të mira. Ne u përqafuam e u puthëm me shokun Enver Hoxha. Unë besoja në këtë. Unë sinqerisht besoja në këtë.

Kur duhej rimëkëmbja ekonomike dhe shokët shqiptarë na u drejtuan, pa kurrfarë kërkesash, ne ju dërguam gjithçka që duhej, për të ndihmuar zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë.

Tani, shokë, ata duan t’ia hedhin përgjegjësitë Bashkimit Sovjetik. Unë, si, Kryetar i Këshillit të Ministrave, marr mbi vete përgjegjësinë për Bazën. Ekzistenca e mëtejshme e kësaj Baze është e pamundur. Për këtë, mua më bind më shumë fjalimi i shokut Balluku. Ne, e ngritëm Bazën si simbol të miqësisë e të fuqisë tonë. Tani kjo Bazë është kthyer në mollë sherri. Ç’do të presim më pas? Ne themi, anormale, Ju thoni normale. Unë e di, që njerëz të ndryshëm kanë nocione të ndryshme për normalitetin. Mesa duket, për ata kjo është normale, ndërsa unë e konsideroj tallje. Ata thonë se janë malësorë, çfarë doni? Në qoftë se ne jemi vend i madh, i vogli mund të vijë e të të pështyjë, kurse ne duhet të fshihemi dhe të themi, çfarë po bëni? Jo, Ne nuk jemi të tillë. Ne i respektojmë miqtë, i respektojmë shumë, por dhe ne jemi njerëz e durimi ka një kufi. Ne sillemi me dinjitet dhe do ta mbrojmë dinjitetin tonë. Natyrisht, kjo Bazë neve na duhet shumë, por ajo ka më tepër se gjysmë viti që është e paralizuar. Kjo Bazë, është një plesht nën këmishën e Amerikës, prandaj Flota e Gjashtë Amerikane gjithnjë do ta ndjejë veten mirë. Po ç’mund të thuash shokë? Dymbëdhjetë nëndetëse, do të thosha, me armatim tashmë të vjetruar, sepse ato janë të armatosura me silurë detare të thjeshta. Këtë armë marinarët e njohin që nga lufta civile, pra ajo vepron në distancë 5-7 km.

Këtë armë ne tani po e perfeksionojmë, sepse nëndetëset tona po i armatosim me raketa ajrore, të cilat godasin drejtpërsëdrejti në objektiv, në distancë deri në dhjetëra e qindra kilometra larg. Në qoftë se duhet, ne do të kalojmë përmes ngushticës së Gjibraltarit. Ne, edhe pa bazën mund të kemi atje, armë të tilla, të cilat kanë lundrim të madh autonom dhe pa u dukur fizikisht, amerikanët do ta ndjenë prezencën tonë, sepse teknika na e lejon një gjë të tillë. Raportin e forcave nuk e vendos flota nënujore. Për fatin tonë të mirë, të gjithë Kampin Socialist e kemi armatosur me raketa shumë të mira dhe kjo është e demonstruar e gjitha. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar që ne, mund të godasim në shenjë, dhe jo vetëm mund të nisim anije kozmike por edhe të mund t’i ulim ato në rajonin e caktuar për qenie të gjalla. […]

Beqir Balluku(përkthim). Përderisa shoku Hrushov shtroi çështjen e votimit nga Komiteti Politik Konsultativ, unë edhe njëherë, në emër të Komitetit Qendror dhe qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë deklaroj, se likuidimi i Bazës Luftarako-Detare të Vlorës përbën një hap krejtësisht negativ. Një gjë e tillë, është në dëm të Republikës Popullore të Shqipërisë e të gjithë Kampit Socialist. Likuidimi i Bazës në Gjirin e Vlorës, i jep mundësi Flotës së Gjashtë Amerikane që të lundrojë pranë brigjeve të Adriatikut e të Jonit. Prandaj, unë deklaroj edhe njëherë që të mos merret ky vendim, sepse kjo është në dëm të vetë Kampit Socialist. Delegacioni i Republikës Popullore të Shqipërisë shprehet negativisht për një propozim të tillë dhe deklaron paraprakisht votën e tij kundër.

Për sa u përket deklaratave, të bëra tashmë nga shoku Hrushov në fjalimin e tij, ku ai foli tepër i nxehur për marrëdhëniet me Republikën Popullore të Shqipërisë, Partinë e Punës të Shqipërisë dhe udhëheqjen e saj, unë të gjitha këto i hedh poshtë. Pohimet e shokut Hrushov janë të pambështetura. Ai më se njëherë përsëriti se ne, në Shqipëri, e konsiderojmë Hrushovin armik. Ne nuk mund të mbajmë mbi vete deklarime të tilla. Një gjë e tillë nuk i përgjigjet realitetit. Qeveria Shqiptare dhe Partia e Punës e Shqipërisë ushqejnë respekt për shokun Hrushov, si Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik dhe Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Greçko: -Shokë, diskutimi i çështjes mbi gjendjen e gatishmërisë luftarake të armatimeve dhe teknikës luftarake të trupave të vendeve të Traktatit të Varshavës, të caktuara në forcat e bashkuara të armatosura, tregon se të gjithë pjesëmarrësit janë dakord me konkluzionet dhe propozimet e bëra për shqyrtimin e tyre nga Komanda e Bashkuar.

Ne, përveç përfaqësuesit shqiptar mund të konstatojmë me kënaqësi unitetin, që u shpreh nga të gjithë pjesëmarrësit e Komitetit Konsultativ Politik qoftë për vlerësimin e gjendjes së sotme ndërkombëtare, për veprimet e ndërmarra nga blloqet imperialiste, ashtu edhe në vlerësimin e rëndësinë dhe të karakterit të masave, të përcaktuara nga Komanda Qendrore, lidhur me koordinimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Traktatit, me qëllim që të rrisin gatishmërinë luftarake të forcave tona të bashkuara ushtarake dhe pajisjeve me teknikë të re.

Lidhur me këtë në emër të Komandës së Bashkuar unë dua të sjell falënderimin për mbështetjen e propozimeve dhe të rekomandimeve që ju kam paraqitur. Më vjen shumë keq që kam një zëvendës si ju në Shtabin e Komandës Supreme. Më lejoni shokë t’ju them se të gjitha çështjet e tjera të marrëdhënieve dhe gjendjes anormale e të padurueshme në Bazën e Vlorës, për mua si kryekomandant, nuk do të ishte tani rasti dhe do të ishte e padenjë për të gjithë ne, që të hyjmë në zënka dhe në grindje me shokun Beqir Balluku.

Shoku Balluku përpiqet ta paraqesë problemin, se gjoja Bashkimi Sovjetik nuk i plotëson detyrimet e veta prej aleati në drejtim të Shqipërisë, dhe nuk siguron mbajtjen në nivelin e duhur të aftësisë mbrojtëse të saj, kurse qeveria shqiptare bën gjithçka të nevojshme.

Ndërkaq, siç tregon ecuria e diskutimit të Raportit, përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, në mënyrën më të vendosur kritikojnë veprimet e udhëheqësve shqiptarë dhe të komandës ushtarake shqiptare ndaj marinarëve e ushtarakëve sovjetikë në bazë, dhe mendojnë se me veprime të tilla të padurueshme puna ka shkuar deri aty sa Baza Luftarake-Detare në Vlorë tani faktikisht, nuk mund të realizojë ato detyra për të cilat është ngritur, se kjo Bazë tani në thelb është e paralizuar dhe se nuk është e aftë për veprime luftarake.

Konstatohet gjithashtu se, përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës e quajtën të nevojshme marrjen e masave të tilla, të cilat do të siguronin një situatë normale në Bazën e Vlorës. Ata shprehën miratimin e tyre me propozimin e Komandës së Bashkuar, se, përderisa Baza në Gjirin e Vlorës dhe qëndrimi në të i anijeve të forcave luftarako-detare sovjetike dhe marinarëve e ushtarakëve sovjetikë i përgjigjet interesave të të gjithë vendeve të Traktatit të Varshavës dhe, para së gjithash, interesave të vetë Shqipërisë, atëherë është e domosdoshme që në këtë bazë tani e tutje të ushtronin veprimtarinë e tyre ushtarake vetëm trupat sovjetike.

Sipas gjykimit të Komandës së Bashkuar, më qëllim që Baza e Vlorës tani e tutje të jetë gjithmonë e aftë për të realizuar detyrat e ngarkuara, duhet gjithashtu që e gjithë komanda ushtarake, të jetë unike në këtë Bazë, pa ndërhyrjen e organeve ushtarake shqiptare dhe të ketë varësi direkt nga Kryekomandanti i Forcave të Bashkuara të Traktatit të Varshavës.

Unë, edhe njëherë duhet të deklaroj qartë dhe me vendosmëri se, në rast se qeveria shqiptare nuk shmang anormalitetet në Bazë dhe në rast se, nuk pranon propozimin e qeverisë sovjetike, sipas të cilit të gjithë ekuipazhet e anijeve dhe nëndetëseve në këtë Bazë të kompletohen me marinarë sovjetikë, dhe kjo Bazë të drejtohet nga komanda unike sovjetike, që varet vetëm nga Komanda e Bashkuar Supreme e Forcave të Armatosura, atëherë unë me cilësinë e kryekomandantit do t’i kërkoj qeverisë sovjetike evakuimin e menjëhershëm të Bazës Luftarako-Detare nga Gjiri i Vlorës në Shqipëri.

Komanda Supreme mendon se, komanda shqiptare do ta kuptojë drejt nevojën dhe domosdoshmërinë e një mase të tillë, dhe në këtë mënyrë, do të ndihmojë Komandën e Bashkuar dhe Forcat e Armatosura në dispozicion të saj, për të realizuar detyrat e veta për sigurimin e aftësisë mbrojtëse të vendeve të Traktatit të Varshavës si edhe për garantimin e sigurisë të Shqipërisë dhe të punës paqësore të popullit të saj.

David Vaclav, përfaqësues i Republikës Socialiste të Çekosllovakisë në Komitetin Konsultativ Politik Shokë! Pasi u njoha me letrën e shokut Greçko, mbi gjendjen në Bazën Luftarake-Detare të Gjirit të Vlorës në Shqipëri, pasi dëgjova fjalimin e rëndësishëm të shokut Hrushov, si edhe pikëpamjen e delegacioneve dhe fjalimin e fundit të shokut Balluku, konsideroj si të përshtatshme që të paraqes projekt-vendimin në lidhje me këtë çështje. Grupi i delegacioneve, anëtarë të Traktatit të Varshavës, më ngarkoi mua që të raportoj në këtë mbledhje. Më lejoni që t’ju paraqes për miratim projekt-vendimin “Vendim i Komitetit Konsultativ Politik”:

Komiteti Konsultativ Politik, pasi u njoh me letrat e shkëmbyera më 27 dhe 28 mars të këtij viti, midis Kryekomandantit të Forcave Ushtarake të Bashkuara dhe Ministrit të Mbrojtjes Popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë mbi situatën aktuale në Bazën Luftarake-Detare të Vlorës në Shqipëri, si dhe duke mbajtur parasysh diskutimet e pjesëmarrësve në sesionin e Komitetit lidhur me plotësimin nga Shqipëria të detyrimeve të veta, që dalin nga angazhimi si anëtare e Traktatit të Varshavës, me keqardhje thekson se kohët e fundit Shqipëria ndërmori disa hapa, që nuk i përgjigjen parimeve dhe qëndrimeve të Traktatit të Varshavës. Në Bazën Luftarako-Detare në Vlorë, pala shqiptare krijoi një situatë anormale, të pakuptimtë për shtetet anëtare të Traktatit të Varshavës, që ul seriozisht gatishmërinë luftarake në këtë Bazë.

Pjesëmarrësit e seancës e drejtojnë vëmendjen e tyre në faktin se, në Kongresin e IV-të të Partisë së Punës të Shqipërisë, shoku Enver Hoxha bëri një deklaratë gjoja, mbi sulmin e mundshëm kundër Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë, Greqisë dhe Flotës së Gjashtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht, se kjo ngjarje ka rëndësi të jashtëzakonshme, si politike ashtu edhe ushtarake, për të gjithë vendet e Traktatit të Varshavës, asnjë nga këto vende dhe aq më pak Kryekomandanti i Forcave Ushtarake të Bashkuara, nuk morën asnjë njoftim lidhur me këtë. Deri tani, nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar nga autoritetet shqiptare. Veprime të tilla, të bëra nga ana e Republikës Popullore të Shqipërisë janë në kundërshtim me nenet 3 dhe 5 të Traktatit të Varshavës.

Komiteti Konsultativ Politik pret që qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, t’i paraqesë menjëherë Kryekomandantit të Forcave Ushtarake të Bashkuara të Traktatit të Varshavës të gjitha të dhënat që disponon, mbi bazën e së cilave janë mbështetur deklaratat e përfaqësuesve të partisë e të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, lidhur me një sulm të mundshëm agresor kundër kufijve shtetërorë të saj.

Komiteti Konsultativ Politik, i bën thirrje qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, që të mbajë parasysh me seriozitet më të madh, të gjitha diskutimet që u zhvilluan në këtë seance, gjithashtu, të marrë masat e duhura për zbatimin e detyrimeve që i dalin asaj, dhe rithekson se tezat e Traktatit të Varshavës u respektuan plotësisht në interes të ruajtjes së unitetit të pathyeshëm të gjithë anëtarëve të këtij Traktati, dhe të forcimit të fuqisë së bashkuar mbrojtëse, në interes të Kampit Socialist dhe luftës së suksesshme për çështjen e paqes dhe socializmit.

Pjesëmarrësit e seancës së Komitetit Konsultativ Politik miratuan propozimin e paraqitur nga qeveria e Bashkimit Sovjetik për Qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë në interes të rritjes së gatishmërisë ushtarake të forcave luftarako-detare, të dislokuara në Gjirin e Vlorës, të eliminimit të situatës anormale të krijuar atje, dhe të eliminimit të çdo mundësie të rilindjes së fërkimeve e incidenteve në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe marinarëve sovjetikë, tani e tutje shërbimi në anijet luftarake e në flotë, të cilat ndodhen në këtë Bazë, të kryhet vetëm me ekuipazhe sovjetike dhe drejtimi i tyre të bëhet nga komanda sovjetike unike, e cila varet nga Kryekomandanti i Forcave të Armatosura të Bashkuara të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës.

Në rast se çka u miratua më lart, nuk do të zbatohet nga ana e qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, atëherë për fat të keq vendet anëtare të Traktatit të Varshavës do të jenë të detyruar, që të bien dakord me propozimin për tërheqjen e forcave luftarako-detare nga territori shqiptar….

Kryetari i seancës shoku Ulbriht. Mund të votojmë propozimin e shokut David. Më mirë të votohet me ngritjen e dorës. Votojnë vendet anëtare të Traktatit të Varshavës.

(Burimi: KPSS, RGANI, F.10, Op. 3, D. 6, L. 1, 63-67, 142, 145-151, 175, 184-185, 194, 206, 212-214, 221-225. Shtojcë nr. 2. Origjinal.

 

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Bisedën e ambasadorit rus I.V. Shikin me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, H. Budo mbi gjendjen e punëve në bazën luftarake-detare në Vlorë, mbi marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, zhvilluar më 18 maj 1961.

-Akuzat e Moskës për përfaqësuesin shqiptar në Traktatin e Varshavës gjeneral-major Halim Ramohiton dhe urdhri i Hrushovit për largimin e studentëve shqiptarë nga Bashkimi sovjetik.

-Letrën shoqëruese, ‘Tepër Sekret’ dhe vendimin e Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik “Çështje për Shqipërinë”, 20 maj 1961.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *