MOSKOV / Putini shokohet nga lajmi se nuk e ka ndihmuar Trampin. “Tani rrezik del se as në Ballkan s’kam vënë dorë”

redaktor

KREMLIN e Rrethina – “Si ore nuk paskam bashkëpunuar mçeftaz me Donaldin për të fitu zgjedhjet amerikane? Po me kë dreqin kam bërë çu-çu-çu dy vjet rresht xhanëm? Pse u gëzova kaq shumë kur fitoi ai flokë-teritali? Paskam qenë komplet tuhaf…”

Këto mendonte Presidenti Vladimir Putin duke ecur tutje-tëhu nëpër Kremlin. Ishte shastisur nga konkluzionet e raportit të hetuesit special Robert Muler, që nënvizonte se Donald Tramp nuk ka patur asnjë konspiracion me Rusinë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale 2016.

Rojet e ndiqnin në distancë dhe nuk ua mbante të afroheshin. E dinin që kur ishte me nerva Ladi, më mirë rriji larg vëlla.

“Ehhh, Rasija, Rasija… ku u katandise,” vijoi monologun Ladi duke u çapitur ngadalë.

U kthye në zyrë. Hapi dhe njëherë kompjuterin dhe kontrolli ato qindra emaile sekrete, komunikimet me individë që ai besonte se ishin zyrtarë të lartë të fushatës së Trampit, filmimet e fshehta të Trumpit me të cilat i bënte shantazh, premtimet, xhirimet e fondeve nga njëra llogari e fshehtë në tjetrën për të humbur gjurmët…

“Gjithçka duket në rregull. Të ma kenë futur vallë? Kush t’i ketë marrë gjithë ato para? O zot çfarë turpi,” mërmëriti Ladi.

E kapluan dyshimet. Tani nuk ishte i bindur për asgjë. Ndoshta gadishulli i Krimesë nuk ishte fare i aneksuar nga Rusia e dashur, dhe gjithçka ishte fake news. Mbase Moskovi nuk i kishte dhënë kokërr ndihme një diktatori në Siri me emrin Bashar dhe atij i kishin hedhur hi syve.

“Jam i rrethuar nga mashtrues dhe spiunë, pikë muhabeti,” tha me inat.

 “Ore lamash, ore Donald ça më bëre mor qën,” shtoi me rusishten labërishte që fliste kur ishte i nxehur.

Dhe kur mendoi se ishte qetësuar, një valë e dytë paniku e mbërtheu:

“E tmerrshme, tani rrezik na del që as në Ballkan nuk kam futur hundët. Që s’kam gisht fare në çështjen e kufirit të Kosovës. Mund të dalë që as në Shqipëri nuk kam hedhur para me grushte… Do më pështyjnë në fytyrë. Lad ziu, ç’të gjeti!”    

****

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike skeptike ndaj pjesës publike të reporteve sekrete 

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *