Disa ditë më parë në autostradën Kukës- Morinë, qindra banorë kanë bllokuar rrugën në errësirë dhe kanë bllokuar një varg të gjatë makinash që hynë për në Kosovë ose dalin prej andej. Arsyeja e përsëritur e protestës është mungesa e energjisë elektrike, pasi CEZ u ka ndërprerë dritat për mospagim të gjatë të faturës elektrike. Pos që kanë bllokuar rrugën, disa banditë mes “protestuesve” kanë filluar grabisin dhe sendet e pasagjerëve të bllokuar në mes të errësirës. Disa prej tyre kanë telefonuar në redaksitë e mediave të lemerisur nga skenat.
Bëhet fjalë për një rrugët më të rëndësishme të Shqipërisë, për të cilat kemi paguar jo vetëm për ta ndërtuar, por dhe për të pasuruar dhjetë breza familjen e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës. Pos të tjerash bëhet fjalë për rrugën dhe territorin ku është deputet Ministri i Brendshëm i Shqipërisë. Pikërisht këtë rrugë dhe këtë qeveri, që po e paguajmë shumë shtrenjtë, e kemi sot simbol të qeverisjes së Shqipërisë, në errësirë të plotë me cuba rrugëve dhe me një protestë nga më të pamoralshmet në botë, vetëm pse qeveria ua ka premtuar mospagimin e faturave si përfitim elektoral.
Ditët e fundit, kur po flitet për falimentimin e CEZ dhe rikthimin e mundshëm të kompanisë tek qeveria, ka një modë të re për të sulmuar blerësit çek të kompanisë. Natyrisht ata mund të kenë përgjegjësitë e tyre. Mund të ketë abuzime financiare në kompani apo raporte jotransparente për pagesa dhe shpërblime, por nuk besohet kurrsesi që ato të kenë prodhuar këtë borxh të tmerrshëm publik të kësaj kompanie. Kompania, për të cilën kemi marrë rreth 100 milion euro kur u shit, ka tani 300 milion euro borxhe dhe deficite për shkak të falimentimit të sistemit energjetik të Shqipërisë, borxheve reciproke mes KESH, CEZ e qeverisë, por mbi të gjitha për shtimin e humbjeve nga mospagimi i energjisë elektrike.
Fenomeni i mospagimit të energjisë elektrike shihet qartë që nuk është fenomen kombëtar apo “zakon” i popullit shqiptar, – por një fenomen i lokalizuar shumë politikisht dhe që lidhet me xhepat politikë të Sali Berishës. Kukësi dhe ultësira e Drinit dhe Matit, janë bërë fenomen për mospagesë, për shkak të një premtimi politik të qeverisë për ata qytetarë, të cilëve u është thënë në çdo palë zgjedhje mos paguani dritat dhe na jepni votat. Tashmë ata kanë aq shumë borxhe, sa me ekonomitë e tyre të rrënuara, me papunësinë dhe varfërinë që kanë vërtet nuk i paguajnë dot më dhe dalin në rrugë.
Ky është një fenomen kriminal, pasi çmimi i energjisë po rritet dhe ne që paguajmë energjinë, ose më mirë të themi gjithë Shqipëria, nga Tirana në Sarandë, që e paguan atë rregullisht, po paguan dyfish dhe ende nuk po ia del të mbajë në këmbë kompaninë. Kjo do të thotë se jemi para një krimi të organizuar politik, që ka brenda dhe akte të mëdha korruptive të qeverisë. Kryeministri i vendit, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përpjekje serioze për të zhdukur këtë fenomen në veri, por nuk ka bërë as ndonjë thirrje publike formale sa për të larë gojën, drejtuar qytetarëve shqiptarë, që të paguajnë energjinë. Ministri i Brendshëm, është aq shejtan budalla, sa u thotë bashkëfshatarëve të vet mos paguani, por vetëm më jepni votën.
Është e qartë se segmentet politikë të qeverisë që diktojnë pushtetin, po e shtyjnë me paramendim CEZ drejt falimentimit, për të rimarrë menaxhimin mbi të, pasi kanë bërë një abuzim të tmerrshëm me këtë pasuri kombëtare katër vitet e fundit duke shitur e blerë për hesap të tyre.
Me këtë imazh me kryengritës që bllokojnë rrugët se s’duan të paguajnë faturat, me privatizime totalisht të falimentuara të kompanive më të mëdha publike, dhe me këtë klimë armiqësore shtetërore kundër investitorëve, Shqipëria jo vetëm që po kthehet në një gogol për investimet e huaja, por po kthehet në një model të një qeverisje banditeske, që të fton për të investuar në shtëpi të saj dhe të merr peng.
Kryeministri, që gjente kohë të fyente e shante Lirak Bejkon derisa i mori shpirtin, dhe grevistët e tjerë të urisë, që kërkonin të zbatohej ligji, hesht me ligësi ndaj atyre që kërkojnë të mos zbatohet ligji dhe të mos paguajnë faturat e energjisë elektrike, të cilat ky plak i lig ua ka premtuar si shpërblim elektoral për votat që e mbajnë në pushtet. Bilanci final i tij i ngjan një kopje të shumëfishuar të bilancit të qeverisjes së vitit 1996- 1997 kur vendi hyri në dimër me Suden, Xhaferrin, Gjallicën dhe Vefën drejt falimentimit, ndërsa sivjet po hyn në dimër me gjithë kompanitë e mëdha publike të privatizuara në falimentim siç është CEZ, ARMO, ALBPETROL, por dhe ato që janë ende në pronësi të shtetit si KESH. Po hyjnë të falimentuar në këtë dimër bashkitë dhe komunat e Shqipërisë, që ua ka marrë fondet forcërisht dhe ia ka kaluar kësaj grope të madhe pa fund, po shkojnë drejt falimentimit bizneset më të mëdha të ndërtimit dhe kompanitë private të rrugëve, që nuk i ka likuiduar shteti, dhe kësisoj për shkak të reaksionit zinxhir po falimentojnë dhe furnitorët apo partnerët më të vegjël të tyre.