Të hënën monedha ukrainase ra në minimumin historik, rënie që u regjistrua pasi ushtarët ukrainas pohuan që nuk do të fillonin tërheqjen e artilerisë së rëndë përtej vijës së përcaktuar në marrëveshjen e Minskut, ndërkohë që vazhdon shkëmbimi i zjarrit. Në të njëjtën kohë, liderët e prorusë thanë se janë të gati të fillojnë tërheqjen e armatimeve të rënda ashtu siç u ra dakord. “Tërheqja e armatimeve të rënda është një hap kyç drejt një marrëveshjeje armëpushimi. Në fillim të shkurtit u arrit një marrëveshje, por sot të dyja palët pohojnë se lufta vazhdon dhe kjo sjell dyshime në lidhje me suksesin e përpjekjeve për të ndaluar konfliktin mbi 10 mujor”, thekson “The Washington Post”.
Armëpushimi i menjëhershëm dhe i plotë duhej të fillonte në rajonit e Donbas në mesnatën e 15 shkurtit. Ndërsa në ditën e dytë, duhej të bëhej tërheqja e të gjithë armatimit të rëndë në distanca të njëjta dhe nga të dyja palët me qëllim që të krijohej një zonë sigurie.
Këtë të hënë monedha kombëtare, hryvnia ra 10 % përballë dollarit amerikan, një goditje e fortë kjo për ekonominë e Ukrainës, në rënie të shpejtë. Gjatë muajit shkurt, niveli i monedhës kombëtare u reduktua në 46 % dhe gjatë vitit të fundit në 71 %. Luftimet dypalëshe ushtarake dhe financiare kërcënon gjithnjë e më shumë regjimin properëndimor të Kievit, sipas të përditshmes amerikane.
Banka Qendrore e Ukrainës ka njoftuar masa të reja kursimi, si reduktim të blerjes së monedhës së huaj për kompanitë kombëtare. Megjithatë rënia e re e hryvnias krijon një presion më të madh mbi financat publike, duke bërë që vendi ta ketë gjithnjë e më të vështirë të blejë energji, pajisje ushtarake dhe artikuj të domosdoshëm, në zonën e konfliktit. Kostoja e mallrave të importuara po shtohet në mënyrë drastike dhe të ardhurat reale për të gjithë qytetarët po pakësohen në mënyrë të shpejtë. Kolapsi i monedhës ndërkombëtare sjell gjithnjë e më shumë dyshime për aftësinë e Ukrainës për të paguar borxhet e marra nga kreditorët ndërkombëtarë, ndërkohë që rezervat e Bankës Qendrore, tregojnë se vendi shumë shpejtë mund të shkojë drejt falimentimit, paralajmëron “The Washington Post”
