Avokati i Popullit u ka kërkuar sot bashkive dhe komunave të vendit të marrin masa paraprake për situatat që mund të krijohen nga moti i keq gjatë muajve të dimrit.
Avokati i Popullit, Igli Totozani, u kërkon krerëve të bashkive dhe komunave të zonave ku vitet e fundit janë hasur probleme gjatë dimrit, që të marrin masa paraprake, për të qenë të përgatitur në raste emergjencash humanitare. Totozani tha se komunat dhe bashkitë duhet të marrin masa për përgatitjen e vendstrehimeve provizore për grupet në nevojë.
“Nuk duhet të harrojmë se ajo që për shumë nga ne mund të jetë një fillim normal i stinës së dimrit për shumë nga bashkëqytetarët tanë, të varfër e në vështirësi financiare, në kushte të vështira banimi ose të pastrehë, endacakë, pjesëtarë të komunitetit rom etj., është fillimi i një periudhe të vështirë, gjatë së cilës ata kanë nevojë për ndihmë”, thuhet në komunikatën për shtyp të Avokatit të Popullit.
Vitet e fundit, si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës janë krijuar situata të vështira veçanërisht për banorët e zonave verilindore, por edhe në juglindje të vendit. Në fillim të 2012-s, sasia e madhe e borës shkaktoi bllokimin e pothuajse të gjithë zonës së veriut për gati një muaj.
Ndërkohë, një situatë jashtëzakonisht e vështirë u paraqit në fund të vitit 2010 në Shkodër e Lezhë, ku një pjesë e madhe e fshatrave u përmbytën për shkak të reshjeve të shumta.
