Moti i keq paralizon portet në të gjithë vendin

Ornela

Moti i keq që ka përfshirë vendin ditën e sotme ka bërë që të pezullohet lundrimi në të gjitha portet e vendit.

Nga të dhënat mësohet se trageti i linjës Vlorë- Brindisi është larguar prej ditës së mërkurë drejt Italisë, ndërsa deri të hënën nuk do të kryejë itinerarin e parashikuar për shkak të situatës së rënduar nga moti i keq.

Burime nga kapitaneria konfirmojnë se nuk do të lejohet dalja në det e mjeteve të tjera lundruese dhe anijeve të peshkimit, ndërsa këto të fundit janë urdhëruar të qëndrojnë në vende të mbrojtura, për të shmangur incidente të mundëshme.

Sakaq në gjirin e Durrësit erërat e forta kanë shkaktuar dallgë të fuqishme gjë e cila ka sjellë vonesa në mbërritjen e dy trageteve që janë nisur një natë më parë nga portet e Barit dhe Ankonës, ndërsa zyrtarët pohojnë se tragetet priten të vijnë me shumë vonesë.

E paralizuar paraqitet situate dhe në lëvizjen e trageteve të linjës Sarandë -Korfuz. Edhe në këtë qytet kapitaneria konfirmon se në tre ditët e ardhshme pritet të mos ketë lëvizje të udhëtarëve.

Reshjet e shiut kanë krijuar probleme të vogla kryesisht në zonat e thella të Gjirokastrës, si dhe vështirësi qarkullimi në disa akse kombëtare.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *