Moti i keq që ka përfshirë Europën Perëndimore prej ditësh dhe që ka shkaktuar një numër të lartë viktimash ka prekur sot dhe vendin tonë. Rrebeshe dhe stuhi, plazhe të braktisura, kjo është situata e deritanishme në vendin tonë.
Boshatiset plazhi i Durrësit

Vija bregdetare e Durrësit ka qenë ndër më të goditurat nga reshjet e shiut. “ABC” sjell pamjet nga plazhi, që sot është braktisur për shkak të reshjeve të shiut, që janë shoqëruar me stuhi dhe rrufe.
Një pritje zhgënjyese ka qenë moti sot në Durrës edhe për tre mijë pasagjerë që zbritën nga tragetet. Shqiptarë dhe të huaj që erdhën për të pushuar u shtangën nga moti i keq, por që nuk do të vazhdojë gjatë.
Velipojë, turistët braktisin plazhin

Moti i keq me erë, reshje dhe stuhi ka prekur edhe vijën bregdetare të Velipojës duke detyruar turistët që të braktisin plazhin, të paktën për ditën e sotme me shpresën se në ditët në vijim do të rikthehen temperaturat për të shijuar rrezet e diellit.
Gazetari i “ABC” sjell pamjet nga situata paraditen e sotme në plazhin e Velipojës, ku vërehet vetëm ndonjë qytetar që bën ecje buzë detit, ndërsa shezlongët nuk janë hapur.
Fieri nën pushtetin e shiut

Ashtu siç ishte parashikuar, moti me reshje ka pushtuar edhe qytetin dhe rrethinat e Fierit.
Deri tani nuk raportohet për dëme, ndërsa shiu vijon. Momentalisht situata paraqitet normale, ndërkohë që në qytet nuk paraqiten akse të bllokuar, si pasojë e reshjeve.
Ballkani po goditet nga fenomeni i ashtuquajtur “liqeni i ftohtë”, i cili shkaktoi përmbytjet vdekjeprurëse në Gjermani dhe Belgjikë.
e.sh/Dita
