Ndeshjet e para të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë rrezikojnë të mos zhvillohen këtë mesjavë për shkak të kushteve të këqija atmosferike në vendin tonë.
Në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë të ditur se janë marrë masat e duhura që 4 ndeshjet e projektuara për t’u luajtur të mërkurën të zhvillohen sipas programit.
Në Vlorë, Flamurtari pret Skënderbeun, në Shkodër, Vllaznia pret Kukësin, Tirana do të presë në Peqin Apoloninë dhe Partizani shkon në Durrës për t’u përballur me Laçin.
Në hartë e vetmja ndeshje që rrezikon në këto momente për shkak të situatës jo të mirë duket të jetë ajo në Vlorë, pasi aksi rrugor Fier-Vlorë paraqitet me probleme të shumta qarkullimi nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Moti nuk premton për përmirësim të situatës deri të mërkurën dhe në këto kushte rrezikohet seriozisht zhvillimi normal i të katër takimeve. Nëse në Shkodër situata është e qetë nuk paraqitet e tillë në jug të vendit dhe më saktësisht sfida më e rrezikuar është ajo ndërmjet Flamurtarit dhe Skënderbeut.
Edhe nëse aksi rrugor Fier-Vlorë do të jetë i kalueshëm problem paraqet gjendja e fushës së stadiumit Flamurtari që mund të jetë i papërshtatshëm për një ndeshje futbolli dhe për më tepër një sfidë e tillë.
Megjithatë në Federatë janë të bindur se çerekfinalet e kupës së Shqipërisë do të zhvillohen sipas programit, dhe vetëm një situatë e jashtëzakonshme mund të bëjë që të shtyhen këto katër sfida.
