Motiv popullor
Kur më sheh ndënë qerpikë,
më mbetet fjala në grykë,
kur më del si xhind në ëndrra,
më lë fryma – më lë zëmra.
Natë e ditë – ballë për ballë,
s’rrojmë dot në një mëhallë,
s’shkohet jeta në furtunë,
ja vdis ti – ja të vdes unë!
Tiranë, 1973
Iku puna jonë…
Eh-moj-pëllumbeshë,
sa shumë që u deshëm,
me dashurinë tonë,
botën e përqeshëm.
Kur të shoh të zbardhur,
s’di ç’të them më parë,
për rrudhat e tua,
më vjen për të qarë!
Iku puna jonë,
e sosëm lëndinën,
për rininë që shkoi,
të vëmë ulërimën…
1983
Unë t’i kam puthur ata sy
Kot më shikon me sy të vrejtur,
kot ti me mua mban mëri,
dikur me mall të përvëluar,
unë t’i kam puthur ata sy.
Kot më shikon e zëmëruar,
unë prapë të dal në ëndërrime,
prushi i nxehtë i buzës tënde,
mbeti përjetë në buzën time…
1988
Nuk gëzohem që të pashë
Dhjetë vjet që s’ishim parë,
ndarë si në burg të zi,
sa të pashë-sot-menjëherë,
prapë rashë në dashuri.
Na përplasi dallgë e jetës,
nëpër brigje pa mëshirë,
larg e larg njëri-tjetrit,
si dy yj në errësirë.
Dhe tani mbas dhjetë vjetësh,
u takuam në një breg,
ti e urtë je bërë si shqerë,
unë i butë si sheleg.
C’t’i kujtojmë ato zjarre,
që u ndezën e u shuan,
ç’t’i kujtojmë ato netë,
kur me zjarr u përvëluam.
Më kanë lodhur ato vite,
më shumë ndarje se takime,
pak nga pak çdo gjë u shua,
mbeti veç vetmia ime.
Nuk gëzohem që të pashë,
zog që larg ke fluturuar,
tani që të dua prapë,
ndihem dy herë i vetmuar…
Athinë, 1993

Shume te bukura! Te ndiera.
Oh sa na fute ne mendime….
Keshtu e ka jeta!
Duhet te jete i lumtur kush i ka provuar keto ndjenja. Si dashurine dhe ndarjen.
Vlere.
Nje kumt per te gjithe ata,qe dashurojne poezite e verteta te Benit.
O YLL I JUGUT I LABERISE HEROIKE
VARGJET E TUA JANE PERLA SHQIPTARE SIMBOLIKE
I SHKELQYER I SHKELQYER
I keni thene te TETERA SHOKU DUKA!!!!!