Motive të arkeologjisë në shekuj

Leda Hysa

MOIKOM ZEQO

 NJË STERNË E LASHTË E DURRËSIT

Që në kohërat më të lashta një problem mjaft i rëndësishëm për jetën e banorëve të qytetit të Durrësit ka qenë uji i pijshëm.

Për sigurimin e tij banorët e qytetit në kohë të ndryshme kanë përdorur mënyra të ndryshme.

Fillimisht janë shfrytëzuar disa burime të pakta natyrore në kodrat e qytetit.

Një burim të tillë përmend Polibi që në vitin 229 p.e.s. (“Ilirët e Iliria” faqe 47). Qyteti i lashtë duhet të ketë pasur nymfeumin e tij, gjurmët e të cilit janë zhdukur, ose nuk janë zbuluar akoma.

Por vetëm shfrytëzimi i ujit të këtyre burimeve natyrore nuk mund të përballonte kërkesat e popullsisë, gjithnjë në rritje, të këtij qyteti mjaft të zhvilluar.

Doli kështu si domosdoshmëri ndërtimi i ujësjellësit, i cili do t’u përballonte mjaft mirë nevojave të popullatës.

Kështu, në fillim të shekullit II e.s. u ndërtua ujësjellësi i madh, që e merrte ujin nga lumi i Erzenit.

Ndërtimi i tij lidhet me ndërtimin e termave të lashta, amfiteatrit, etj.

Kishte një gjatësi rreth 23 km dhe ishte një vepër me vlerë të madhe arkeologjike, inxhinierike dhe arkitektonike.

Gjithashtu në tërë qytetin ka pasur ndërtime të kohëve e llojeve të ndryshme.

Deri në ditët tona ka arritur një pjesë e mirë sternash e pusesh që kanë interes jo vetëm nga ana historike, por dhe nga ajo arkitektonike.

Sterna të tilla ndodhen në shtëpitë e lagjes “Kala”, pranë shkollës “16 Shtatori”, pranë kinema “Pionieri”, në shtëpitë pranë amfiteatrit etj.

Këto sterna, të cilat kanë përhapje të gjerë edhe në ndërtesat e Durrësit, janë pjesë përbërëse e funksionale të banesës, lidhen me arkitekturën e tyre e kanë shërbyer kryesisht për mbledhjen e ujërave natyrorë të shirave.

Sistem sternash ka disponuar dhe vetë kështjella e qytetit.

Në një dokument që mban datën 27 maj 1280 (shih “Acta et diplomata” I, 410, origjinali latinisht) thuhet që të punohet muri “që gjendet midis pirgut kryesor e pirgut ku ndodhet saranxha”.

Një sternë, depozitë uji, që i përket periudhës bizantine, ruhet prapa Mauzoleumit të Dëshmorëve, në lagjen e vjetër të Stanit.

Kjo sternë paraqet një zgjidhje mjaft interesante konstruktive e arkitektonike.

Është e ndërtuar mbi tokë e ka planimetri katërkëndësh kënddrejtë.

Përmasat e brendshme janë 6,5 m x 4,5 m, muri ka trashësi 0,75 m dhe për t’i qëndruar më mirë presionit hidrostatik janë ndërtuar nga 4 kontraforte për secilin mur gjatësor.

Gjerësia e kontraforteve është 0,83 m e me shtrirje në bazë 1,6 m.

Katër kontraforte kanë drejtimin e diagonaleve të katërkëndëshit nga një në çdo skaj, kurse katër të tjerat, dy nga njëra anë e dy nga tjetra, janë perpendikulare me brinjën gjatësore të katërkëndëshit.

Nga ana juglindore sterna ka një dritare për pastrim në formë rozete me 8 petale.

Mbulesa e kësaj depozite është realizuar me qemer cilindrik të mbuluar me tjegulla.

Lartësia dysheme-kyçi i qemerit është 6 m.

Volumi i mbushjes me ujë është rreth 80 m3.

Në ndërtimin e këtij objekti kemi material të ripërdorur. Mundet që aty të ketë ekzistuar depozita e lidhur me ujësjellësin antik e mbi të të jetë bërë ndërtimi i ri duke shfrytëzuar materialin e të vjetrit.

Për të saktësuar këtë mendim jo vetëm që duhen bërë sondazhe në vend, por duhet studimi i detajuar i ujësjellësit.

Mund të themi se kjo sternë duhet të ketë qenë furnizuar me ujë nga një depozitë tjetër disa metra larg saj, e cila, për të siguruar vetërrjedhjen e ujit, do të ketë qenë vendosur në nivel më të lartë.

Kanë humbur gjurmët e tubave (besojmë qeramike), të cilat lidhnin depozitën me sternën tonë.

Depozita mund të ketë grumbulluar ujrat e shiut, ose mund të lidhej me ndonjë burim natyror, p.sh. çezmën e Stanit.

Me kalimin e kohëve kjo sternë e humbi funksionin e saj dhe u përdor për qëllime të ndryshme.

Nga ana juglindore iu hap një derë e iu bënë mjaft dëmtime të tjera.

Ajo është restauruar e ruhet në gjendje të mirë.

Një sternë tjetër e ngjashme me këtë të Durrësit e gjejmë pranë manastirit të Vanistrës (Dropull) të Gjirokastrës.

Kjo gjë dëshmon për traditën vendase të ndërtimit që në kohërat më të vjetra.

Si përfundim, mund të themi se sterna përfaqëson një monument arkeologjik të rrallë të arkitekturës bizantine të qytetit, të cilin kronistët e kanë quajtur Kostandinopojë e Dytë në brigjet e Adriatikut.

Ky monument flet për zotësinë e banorëve, të ndërtimtarëve duarartë që krijuan vepra që u rezistuan kohërave për të na treguar ne për talentin e tyre të madh.

Ajo flet gjithashtu edhe për anën higjieno-sanitare të qytetit, i cili ka pasur rrjet kanalizimi të plotë dhe terma të lashta e ujësjellës, që përbëjnë një kompleks mjaft të rëndësishëm të ndërtimeve të tij inxhinierike.(1985)

DISA ARKITEKTË TË TRADITËS

Në monumente ndërtimore të Mesjetës në Shqipëri janë ruajtur dhe mbishkrime që flasin për ndërtuesit e arkitektët.

Emrat e tyre e veprimtaritë që kanë zhvilluar, janë pjesë përbërëse e historikut të arkitekturës sonë, të traditave shumëshekullore të ndërtimit.

Po përmendim disa prej tyre.

Një mbishkrim në një arkitra në faqen e jashtme të bazilikës së antikitetit të vonë të Ballshit na njeh me emrin e mjeshtrit Athanas.

Me sa duket ky mjeshtër ka ndërtuar një mjedis ndihmës, mundet në shekullin XI në këtë bazilikë të njohur, që datohet si e shekullit VI.

Më 1240 dokumentet përmendin arkitektin shqiptar Radovan nga Tivari, i cili ka bërë shumë vepra të stilit romantik në arkitekturë, sidomos në Dalmaci.

Në shekullin XIV spikasin edhe ndërtimtarët e shquar shqiptarë Miha Tivarasi, Vlladanji e gurskalitësi Bosa (ky i fundit ka punuar sëbashku me dy vëllezërit e tij).

Në 1313 arkitekti Pjetër Dohne Shkodrani ribën që nga themeli kishën monumentale të Shirgjit në breg të Bunës.

Ky monument madhështor i stilit gotiko-romanik ka qenë një konceptim i përparuar në arkitekturën e kohës në Shqipëri.

Monumenti ishte i stolisur edhe me vepra arti, afreske, mozaikë e vitrazhe.

Në shekullin XV Marin Barleti përmend në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës” kryearkitektin shqiptar e quajtur Donati.

Interesant është që të vihet në dukje se dokumentet e këtij shekulli zënë në gojë si ndërtues të fortesës së Shkodrës një Iskënder Filkos Rumiu.

Këtë e thotë kronikani turk Mynexhim Bashi.

Në historinë e arkitekturës botërore njihet dhe emri i Andrea Aleks Durrsakut (1425-1506), i cili qe një arkitekt e skulptor me nam e bëri shumë vepra të shquara në Dalmaci, Itali e gjetkë.

Si arkitektë me origjinë shqiptare do të përmendim Mehmet Isain, autor i njërës nga kryeveprat e arkitekturës botërore – tempullit të Taxh Mahallit në Agra të Indisë, Sinan Atikun me origjinë nga Berati, apo Sinanin e Madh të quajtur “Mikelanxhelo i Lindjes”, i cili ka ndërtuar edhe një kullë të kalasë së Vlorës në shekullin XVI, elbasanasin Sedefqar Mehmet Biçakçiun, arkitekt Kasemin nga Gramshi i Tomorricës e Mustafa Memetçiun, po nga Elbasani, që u shquan në shumë ndërtime madhështore të kohës në viset e perandorisë osmane.

Në vitet 1500-1501 në dokumentet del Marin De Greci i cili rindërton kështjellën në Kepin e Rodonit.

Ndërkohë në Evropë është bërë i famshëm në shekullin XVI dhe një figurë e tillë si Xhakomo Kastrioti teoricien e arkitekt i fortifikimeve ushtarake, që lidhet me familjen e emigruar të Kastriotëve në Itali.

Në pjesën e parë të shekullit XVII Frang Bardhi shkruan për veprimtarinë e shumtë në fushën e ndërtimeve në krahinën e Zadrimës të një mjeshtri vendës të quajtur Mërtir Buza.

Në shekullin XVIII lartësohet sidomos kryearkitekti i Ali Pashë Tepelenës Petro Korçari – projektues e zbatues i shumë komplekseve fortifikuese e ndërtimeve madhështore qytetare, urave etj.

Në 1709 arkitekti Thane Lena dallohet në konceptimin e ndërtimin e manastirit të Vithkuqit, kurse i biri i tij Gjikë Thane Lena ka një veprimtari kaq të dëndur e me nivel të lartë sa që emri i tij legjendarizohet në popull e përmendet në këngë popullore.

Një mbishkrim në kamaren e urës së Mirakës mbi lumin Shkumbin na njeh me emrin e ndërtuesit Ahmeti nga Elbasani që e ka ngritur këtë urë në 1715.

Në derën relike të kishës së sh. Marisë së Fierit (sot ruhet në muzeun e këtij qyteti) është gdhendur emri i arkitektit Gega e datës 27 janar 1783, kurse brenda në kishën e sh. Kollit të Vodicës, pranë Ersekës, gjendet ende një afresk i pikturuar i arkitektit Llazar Kote, që ka punuar këtu në vitin 1799.

 

Në shekullin XIX kemi gjithashtu ndërtime të reja, sidomos të karakterit qytetar.

Kështu, kur mbas një zjarri të madh, u dogj pjesa më e madhe e pazarit të vjetër karakteristik të Korçës u bënë ndërtime me gur të latuar nga një grup mjeshtërish popullorë që drejtoheshin nga kryemjeshtri Naum Kotokoja.

Në 1887 punojnë dhe mjeshtërit Niko Koli dhe Athanas Veria në Voskopojë dhe në Shqipërinë e Jugut.

Në shekullin XIX forcohen shkollat vendëse të ndërtimit, si p.sh. shkolla e Dibrës në Shqipërinë Verilindore.

Kurse në pjesën e parë të shekullit XX dallohet piktori Kolë Idromeno (1860-1939), që qe dhe arkitekt dhe urbanist me koncept të përparuar për kohën.

Emrat e këtyre arkitektëve janë të pashkëputur nga ata mijra mjeshtra anonimë, që koha i ngriti në lartësi  të kujtesën.(20.12.1985)

ZBULIME TE TJERA ARKEOLOGJIKE

Gjetjet e ndryshme arkeologjike, ndonëse të pjesshme, plotësojnë kuadrin e studimit të qytetit të Durrësit në antikitet.

Shënojmë gjetjen e pjesshme të një frizi me kokë kau dhe girlande të gdhendur në gur, të njëjtë me atë të relieveve me gladiatorë, që i përshkruan Hezei.

I përkasin këto të njëjtit ndërtim e po të njëjtës kohë. Ende nuk mund të japin asnjë mendim të qartë.

E dhënë e rëndësishme për ne është se në qytetin jugperëndimor viheshin re, deri në fillim të këtij shekulli, pjesë arkitektonike mermeri, të shpërndarë aty-këtu.

Kjo e dhënë dëshmon dhe për shtrirjen e qytetit dhe intensitetin e ndërtimeve në zonën jugperëndimore.

Gjatë gërmimit të themeleve të “Vilës” në kuotën 98 janë gjetur disa tuba terakote përçuese uji të kohës romake. Mundet që këta tuba të bëjnë pjesë në sternat për shfrytëzimin e ujit të shiut, mbasi aty nuk është parë gjatë kohëve gjurmë burimi.

Para ndërtimit të ujësjellësit të madh, ka patur edhe furnizime me ujë me mënyra të ndryshme.

Përveç shfrytëzimit të burimeve natyrore, që ekzistojnë edhe sot, si çezma e Stanit, çezma e Ferrës, ajo afër shkollës “Gjergj Kastrioti”, burimet në Currila etj., dhe të puseve, sternave ka patur edhe ujësjellës të vegjël.

Një i tillë fillonte te burimi në Spitallë dhe drejtohej për në Durrës.

Një tjetër u gjet më vonë në lugun e djathtë të Kazanej (Xhamallej).

Të dy këta ujësjellës janë ndërtuar me tuba terakote me gjatësi 64 cm.

Rrugës këta mund t’i kenë bashkuar prurjet e tyre.

Gjithashtu, në atë vend është gjetur një degë e madhe uji e ndërtuar me tulla dhe material të përzier.

Muri është i gjerë 1.10 m, gjerësia e basenit rreth 4 m dhe gjatësia 6 m.

Ndërtime të lashta janë parë edhe në shumë pika të tjera, por duke mos u bërë gërmime të sakta, duke mos patur një dokumentacion teknik, nga ato nuk marrim ndonjë të dhënë përveç teknikës dhe materialit të ndërtimit.

Në lagjen nr.5, pranë rrugës “M. Ulqinaku”, gjatë gërmimeve për ndërtimet e reja, dolën mbetjet e një ndërtimi, me sa duket të mbytur, se zokolatura vazhdonte pa ndërprerje rreth e rrotull.

Mundet që këtu të kemi hasur një Nimfe (çezmë publike), ose ndonjë tempull të vogël votiv.

Pranë Mauzoleut të Dëshmorëve është gjetur një ndërtim me mure 86 cm të trashë në të cilin duken gjurma afresku.

Shtresë dyshemeje me tulla të vogla të vendosura në formë parketi kurriz peshku është gjetur në themelet e postës së re me një sipërfaqe 40 m2.

Aty u gjetën edhe tulla me ¼ rrethi me rreze 2 cm, që me sa duket janë përdorur për kolona.

Pranë  lagjes nr 5 është parë një shtresë me pllaka guri të bardhë dhe pjesë muri.

Pjesë të shumta arkitektonike si kapitele jonike ose korintike, sima me kokë luani, friza etj., ndodhen te portiku i muzeut arkeologjik të Durrësit.

Ato lidhen drejtpërdrejt me bukurinë e godinave, pjesë përbërëse të të cilave ishin, si dhe me vetë qytetin.(19.4.1987)

DY STELA ANTIKE NË TRAGJAZ TË VLORËS

Gjatë një ekspedite të bërë pak ditë më parë në rrethinat e Vlorës dhe pikërisht në fshatin e quajtur Tragjas i vjetër, një grup informativ, i Muzeut Historik Kombëtar, ka mundur të zbulojë dy monumente të rëndësishme. Janë monumente të punuara në gur dhe që i përkasin periudhës antike.

Njëri prej monumenteve është i përbërë nga tri figura; dy prej të cilave dallohen qartë që janë dy femra mbi të cilat gërshetohet një podium prej figurës së gjarprit.

Ndërsa figura tjetër është një figurë mashkulli.

Ky monument i quajtur stela sakrale, mund të lidhet me kultin eskulajtit.

Monumenti tjetër, i zbuluar po në të njëjtën ditë me këtë është një tjetër, tepër i rëndësishëm dhe tepër i rrallë në llojin e tij.

Ai është kryevepër arti, tepër unikale në llojin e tij. I gdhendur në gur gëlqeror, në qendër të tij janë vendosur dy figura kalorësish dhe kokat e kuajve.

Në këtë monument duken qartë kalorësit e atyre viteve, të cilët qëndrojnë në këmbë dhe në duar mbajnë mburoja lufte dhe shtiza.

Ky imazh mendohet të jetë një skenë civile, që i përket periudhës së Çezarit.

Po në këtë monument gjendet dhe një dorëshkrim i vogël në gjuhën latinisht, i cili është shumë i vështirë për t’u deshifruar.

Ky monument, është tepër i rëndësishëm dhe mbart vlera të mëdha kulturore.

Ky lloj monumenti është tepër i rëndë dhe ka përmasat 1 metër të gjatë dhe 80 centimetra të gjerë.

Këto monumente mendohet t’i përkasin një periudhe tepër të hershme historike dhe pikërisht shekullit II para lindjes së Krishtit.

Edhe pse janë gjetur ai tregon se ato janë tepër të dëmtuara gjë dhe shkrimi është i palexueshëm.

Këto lloj monumentesh, të cilët janë tepër të rrallë në llojin e tyre do të ishte gjë e mirë që të bëheshin pronë e Muzeut Historik Kombëtar.

Për momentin të dy monumentet e zbuluara ndodhen në skajin jugor të vendit tonë.

Pritet që së shpejti Muzeumit t’i ofrohet një sfond i veçantë, pasi mendohet që ato do të jenë tepër të shtrenjta.(13 mars 2004)

NJË ENË PAGËZIMI E STILIT PERËNDIMOR

 

Një tjetr vepër e stilit perëndimor i është shtuar Muzeut Historik Kombëtar pas një epitafi të dhuruar para pak ditësh.

Edhe këtë radhë ka qenë Vangjel Kapidani, dhuruesi i kësaj vepre me rëndësi të madhe historike dhe kulturore.

Bëhet fjalë për një enë pagëzimi e ndërtuar në bronz dhe e lyer me ar, që i përket vitit 1729, e cila ka në mes një reliev me skenat e ungjillëzimit; Engjëllin Gabriel që i jep mesazhin ungjillor Marias.

Në këtë enë bronzi është edhe figura e shpirtit të shenjtë e paraqitur në formën e një pëllumbi.

Në këtë vepër gjenden tre mbishkrime.

Në rrethin e parë është mbishkrimi në gjuhën sirate dhe sipër tyre ka psalme.

Te rrethi i dytë ka mbishkrime në latinisht ku lexohet qartë “Deos” që do të thotë “Zot”.

Rrethi i tretë lidhet me një greqishte bizantine të Venedikut dhe ka një stil artistik.

Për mendimin tim është një punë artistike që mund të jetë bërë në Vjenë në kohën e Austro-Hungarisë.

Vepra mendohet të jetë gjetur në Vithkuq të rrethit të Korçës dhe ka rëndësi të madhe për disa arsye.

Së pari është një enë pagëzimi e veçantë në llojin e saj.

Së dyti, epigrafet kanë rëndësi të madhe për mbishkrimet që mbajnë dhe së treti, është e stilit perëndimor”.(13 mars 2004 )

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *