Kur kanë kaluar 2 javë nga rënia në det e emigrantit shqiptar që për pasojë humbi jetën, familjarët e tij vijojnë të akuzojnë stafin e tragetit se nuk kishte ndërhyrë në kohë për të shpëtuar 39-vjeçarin Gentian Peta. Ai ra nga trageti “Bridge” në datën 19 prill dhe u zhduk në ujërat e Adriatikut, teksa të afërmit kërkojnë që autoritetet të marrin parasysh dëshmitë e pasagjerëve, që tregojnë se ekuipazhi i tragetit nuk ndërmori në kohë operacionin e shpëtimit. Anita Peta, motra e Gentianit ka deklaruar në media se drejtësia ka nxjerrë të pafajshëm ekuipazhin e tragetit “Bridge”, pavarësisht se pasagjerët treguan për neglizhencën e tyre. Ajo ka kërkuar që të merren parasysh dëshmitë që të tjerëve të mos u ndodhte ajo që i ndodhi të vëllait. Sakaq, para 2 ditësh, Drejtoria Detare ka përfunduar hetimet për ngjarjen e ndodhur më 19 prill, kur nga trageti “Bridge”, pasagjeri 39-vjeçar Gentian Peta ra në ujërat e detit, duke humbur jetën.
Hetimet për përgjegjësitë
Specialistët e kësaj drejtorie pohuan se ishte një hedhje e vullnetshme e pasagjerim ndërsa rreth procedurave rutinë që kryhen nga trageti për shpëtimin e jetës së pasagjerit, nuk janë evidentuar probleme apo mungesa në shërbimin që i është ofruar. Hetimi është kryer nga ekspertët e ngjarjeve detare dhe i është dërguar Ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto. Nga autoritetet portuale të Durrësit mësohet se ky hetim do të bëhet transparent brenda një kohe të shkurtër. Kapiteni i Portit të Durrësit, Hyzni Aruci deklaroi se po heton policia dhe prokuroria e Durrësit. Një nga pasagjerët tha asokohe se “E lanë në det, asgjë s’i hodhën, ai kërkonte ndihmë, asnjë mjet për ta shpëtuar”. Kapiteneria deklaroi më 19 prill se “Normalisht raste të tilla janë të dhimbshme por komanda e anijes ka gjithë përgjegjësinë ligjore që të vazhdojë procesin e kërkim-shpëtimit. Doli mjeti i rojes së financës por u rikthye për një problem mekanik. Presim që sërisht ata të shprehin gaditshmërinë për t’u kthyer në rajonin e kërkim-shpëtimit.”. Ky nuk është rasti i parë që pasagjerët e trageteve kanë pasur përplasje me menaxherët apo drejtuesit e mjeteve lundruese, përsa u përket procedurave që ndiqen nga stafet përkatëse. Një vajzë e verbër, para pak muajsh akuzoi stafin e një trageti, se e kishin ofenduar, kur po kthehej nga Italia, pasi mbante një qen me vete. Vajza pretendonte se qenin e mbante për orientim, kurse stafi i kundërshtoi akuzat e vajzës.
