Ato e kanë konfirmuar talentin e tyre me punën disavjeçare që bëjnë në Cirkun e Tiranës, por kjo nuk i pengoi motrat Duro që të merrnin pjesë në një program televiziv për testimin dhe gjetjen e talenteve të rinj, “Tu si que vales”. Pyetja që lind është, a duhet të vendoset në garë një profesionist me amatorët… ky debat vazhdon edhe në programe të ngjashme televizive në botë, megjithatë këta të rinj, gjejnë një formë për të qenë në qendër të vëmendjes dhe për më shumë mundësi për veten e tyre. Në këtë mënyrë kanë gjykuar edhe dy artistet e cirkut të kryeqytetit që morën pjesë në këtë talent shou dhe që fituan vendin e dytë.
Sot në Dita, kemi vendosur t’i njohim më shumë motrat artiste që nuk janë rastësisht në këtë rrugë.
Ato janë tre akrobate në një shtëpi. Fitnetja (e ëma), Klaudja dhe Era Duro. Dy breza artistesh, të cilat nuk i bashkon vetëm gjaku, por dhe tenda e madhe e akrobacive. Të tria, çdo ditë dalin nga shtëpia për t’iu drejtuar ambienteve të Cirkut të Tiranës, ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës.
Fitnetja e nisi rrugën e akrobates që në moshën 10-vjeçare për t’i përkushtuar asaj 38 vite të jetës së saj. Është konsideruar si mjeshtre profesioniste e numrave në ajër, motiv që sot ajo gëzon këtë titull.
Nuk ka dashur ta mbyllë me kaq dashurinë për cirkun, por në rrugën e mamasë së tyre janë futur dy vajzat, Klaudia dhe Era.
25-vjeçarja Klaudia Duro ka 10 vite që punon në Cirkun e Tiranës si profesioniste. E reja zotëron numrat e ajrit, ekuilibrit, xhongleres dhe prestigjiatores. Ajo ka punuar shumë vite me mamanë, duke trashëguar dashurinë për lartësinë. Çdo ditë e gjen pranë ambienteve të cirkut, ku stërvitet për orë të tëra. Tenda e madhe ka qenë për të si një shtëpi e dytë. Shumë vite stërvitjeje bënë që vajza të rritej profesionalisht, teksa mësonte numrat e vështirë.
Era është vajza e dytë e Fitnetes. 21-vjeçarja, ka 8 vite që stërvitet për t’u bërë akrobate profesioniste. Numrat e ajrit dhe të prestigjatores janë disiplinat e saj. Ndër performancat më të bukura të Erës mund të përmendet “fjongo”. Në këtë performancë, Era qëndron e varur mbi një fjongo që varet në lartësi, për të formuar forma të ndryshme gjeometrike. Gjithçka duket kaq natyrshëm për Erën, e cila e zotëron plotësisht “fjongon”.
Për Fitneten të duash një profesion do të thotë t’i kushtosh gjithçka. Kur e trashëgon tek fëmijët, atëherë nuk është thjesht një profesion, por pasioni i një jete që kalon tek brezi tjetër. Nëse i shohim me pak vëmendje videoklipet e këngëtareve ku ka edhe elemente zjarri, ato janë të pranishme. Ashtu siç janë edhe në festa të mëdha e të vogla, të thjeshta e moderne të artistëve dhe politikanëve.
Klaudia e nis natyrshëm rrëfimin e saj: “Mua nuk më pëlqen shkolla t’ju them të drejtën, më pëlqen sporti, arti dhe kam punuar shumë, sidomos dy vitet e para të futjes në cirk. Këtu nuk mund të them që kam një profil stabël. Kam realizuar edhe numra ajri e prestigjatori që i realizoj së bashku me motrën”.
Era tregon: “Jashtë cirkut unë dhe motra ime jemi të shfaqura si vajzat e vetme të zjarrit në Shqipëri. Është shumë e thjeshtë për të arritur diçka, por është shumë e vështirë për ta mbajtur atë”. 24-vjeçarja Klaudia ka filluar të “luajë me zjarrin” përpara tetë vitesh. Ajo ndihet shumë e kënaqur për punën që ka bërë gjatë kësaj kohe dhe deklaron se zjarri është pasioni i saj i pashtershëm.
Një fjalë e urtë popullore thotë se “me ujin dhe me zjarrin mos luaj”, por kjo nuk vlen për motrat e Zjarrit. Për mjetet e punës, Era tregon… “Veglat e zjarrit janë apostafat për të punuar më të. Duhet t’i mësosh një vit pa flakë dhe më pas të fillosh t’i ndezësh, duke i lyer në fillim shumë pak me solucionin përkatës, pastaj duke ia shtuar dozë”.
Vajzat nuk kanë receta dhe formula në realizimin e numrit të tyre. Klaudia në tregon se ajo që bën ajo quhet Zjarr duke i shtuar kërcim, buzëqeshje dhe performancë, kaq u ka mjaftuar motrave që të lënë me gojë hapur shumë nga ata që i kanë ndjekur në evenimente të ndryshme apo festa familjare që nuk kanë munguar gjatë gjithë këtyre kohëve. Ato kanë marrë përshëndetje e vlerësime edhe nga politikanë të rëndësishëm në vend mes tyre tregojnë për Presidentin Nishani, i cili kujtojnë se, ai nuk e dinte që edhe në vendin tonë kishte vajza që bënin këtë punë.
Ato ndihen shumë të kënaqura sidomos për kërkesat e punës që kanë këtë verë. “Sapo kemi mbyllur një kontratë, do të udhëtojmë në të gjithë Shqipërinë. Kemi ftesa për të qenë në klubet e natës, por po ashtu edhe në dasma. Elementi i zjarrit është futur vitet e fundit edhe në ceremonitë e martesës. “Është rrezik! Ke shumë njerëz që të ndjekin. Duhet të kesh kujdes se një pikë benzinë të pikojë çdo gjë shkon shumë keq. Megjithëse gjithmonë na shoqërinë mami dhe kujdeset për të gjitha performancat tona”, – tregon Era.






