Ph.D.C. Melsi Labi
Mozaiku është pikturë monumentale dekorative që përfshin veprat e punuara me gurë kubikë të vegjël prej qelqi, qeramike, ose ndonjë materiali tjetër të qëndrueshëm me ngjyra. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një pasuri të madhe mozaikësh, sidomos në ultësirën bregdetare të vendit tonë. Mjaft prej tyre janë zbuluar në Shkodër, Durrës, Apoloni, Sarandë, Butrint etj. Mozaiku më i hershëm i zbuluar në Shqipëri është Bukuroshja e Durrësit, që daton në shek. IV para Krishtit. Si figurë qendrore ka kokën e një gruaje, të cilën e rrethojnë bisqe të mëdhenj me dredhëza, rrotëza, lule zambaku e lule kambane, që mbushin njëkohësisht të gjithë sipërfaqen e mozaikut.
Mozaikët e kanë zanafillën në shtrimin e dyshemeve me gurë të bardhë e të zinj dhe në shek. III vijojnë me dyshemetë polikrome, të pasura me figura floreale e gjeometrike. Në këtë kohë hasim mozaikë me temë nga mitologjia. Në Apoloni është zbuluar një mozaik me skena nga lufta e amazonave. Në mozaik paraqiten luftëtarë të armatosur duke u ndeshur me amazonat. Në emblemën e madhe me përmasat 4.60×3.60 m të rrethuar me katër breza me motive gjeometrike paraqitet një kompozim me katër figura polikrome. Në skenën e parë paraqiten dy amazona, që sulmojnë një grek. Ky i fundit është dorëzuar duke rënë më gjunjë me dorën e djathtë të ngritur lart. Në skenën e dytë paraqitet një luftëtar helen, i cili është duke sulmuar njërën prej amazonave, ndërsa në skenën e tretë shquhen këmbët e një kali dhe të një mburoje të rënë përtokë. Skena e katërt paraqet Akilin duke mbajtur në krahë mbretëreshën e amazonave Pentesilenë e vrarë prej tij. Ndonëse kompozimi nuk është i plotë, sepse mungon portreti i Pentesilesë, gjithsesi dallohen qartë trupi, këmbët, duart dhe flokët që i varen. (U. Çikopano, Mozaikë antikë paleokristianë në Apoloni, Monumentet, 2006, fq. 174).
Shumica e mozaikëve të zbuluar në vendin tonë tregojnë se kanë qenë dysheme kishash, paraklisesh të krishtera ose dysheme pagëzimoresh. Kjo vërtetohet me mozaikët e zbuluar në Sarandë, Butrint, Arapaj në Durrës, në Tiranë etj. Nëpër këta mozaikë janë pasqyruar mjaft simbole të krishtera: p.sh. ato të bimëve në formë zemre te mozaikët e Butrintit, Shenja e Kryqit te mozaikët e Sarandës, peshku te ata të Linit në Pogradec etj. Secili prej këtyre simboleve ka kuptimin e tij. Kështu p.sh. në simbolin e peshkut është shkruar “ΙΧΘΥΣ” që ka kuptimin “Jisu Krishti Biri i Shpëtimtarit”. Në mozaikët e shumtë të kësaj kohe ne shohim degën e hardhisë, veshët e rrushit si simbole të eukaristisë hyjnore, palloin si simbolin e mëshirës etj. Në mozaikun e zbuluar pranë postë-telegrafit të Sarandës lexohet qartë fjala “Presviter”, që do të thotë (shërbyes në tempull). Po në këtë monument paraqitet edhe figura e Delfinit. Në shumë mozaikë të tjerë vëmë re Shenjën e Kryqit të vendosur brenda një rrethi të dyfishtë etj. (Dh. Qiriazi, Krishterimi në Shqipëri, Tiranë 2000, fq. 23,24).
Në shekujt e parë të krishterimit vërejmë se nga gurët e zallit u kalua në kubikë të prerë prej mermeri, balte të pjekur e qelqi. Mozaikët e shekujve të parë janë të zinj të vendosur në sfonde të bardhë. Në Durrës është zbuluar një mozaik me madhësi 10 me 4 metra e gjysmë me figura nga mitologjia e detit. Mozaikë të kësaj kohe janë zbuluar edhe në Apolloni e Butrint.
Arti i mozaikut në Shqipëri arriti kulmin e tij gjatë viteve të sundimit të perandorit Justinian, në shek. V-VI. Kjo pasqyrohet në dyshemetë e kishave paleokristiane, të cilat janë punuar me mjeshtëri dhe finesë. Në një kodër pranë qytetit të Elbasanit është zbuluar një dysheme e një bazilike të vjetër, që i përket shekullit V pas Krishtit, e cila është i punuar me një dekor të thjeshtë gjeometrik. Mozaiku i bazilikës së Tepesë shquhet për gërshetimin e elementëve gjeometrikë. Skena e eukaristisë është trajtuar në një sfond gurësh të bardhë. Aty këtu duken gjurmë gjethesh të pikturuara me kubikë tulle të kuq, ndërsa degët e bimës janë pikturuar me gurë të zinj. Rreth katër paneleve të mozaikut gjenden pllaka shtufi, të cilat krijojnë imazhin e një kryqi të hirtë. (S. Kosta, U. Çikopano, Mozaiku i bazilikës paleokristiane në Tepe të Elbasanit, vlerat dhe restaurimi, Monumentet 1 / 1990, fq. 130-136).
Rreth mesit të shek. V pas Krishtit pranë trapezerisë së manastirit të Shën Mërisë në Apoloni u gjet një mozaik paleokristian, në të cilin paraqiten kafshë të ndryshme. Brenda një kornize të dyfishtë paraqitet një kaproll që qëndron më këmbë me kokën e kthyer nga pas. Në vijim paraqitet një lopë dhe viçi duke pirë. Në qendër të mozaikut paraqiten dy derra përballë njëri-tjetrit. Skena paleokristiane është me përmbajtje biblike dhe presupozon kalimin e tyre në parajsë. (U. Çikopano, Mozaikë antikë paleokristianë në Apoloni, Monumentet 2006, fq. 175).
I kësaj kohe është edhe mozaiku i Shën Joanit në Tiranë. Ai gjendet në rrënojat e një godine antike me dy ambiente të shtruara me mozaikë polikrom. Mozaiku i sallës së parë me apsidë është i ndarë në katrorë dhe rrathë. Është i dekoruar me spirale, rreze të lakuara dhe kantarë. Mozaiku rrethohet me një bordurë me harkada si zbukurim. Në mozaikët e shek. V-VI pas Krishtit ja vlen të përmendim ata që janë zbuluar në pagëzimoren e Butrintit. (Mosaiques de L’Albanie, Shtëpia botuese 8 Nëntori, Tiranë, 1974, fq. 10).
Pagëzimorjae Butrintit është një monument i periudhës së hershme të krishterimit në viset shqiptare. Ajo përbëhet nga salla e pagëzimit dhe nga një sallë ndihmëse në anën veriore të saj. Të dy mjediset janë të shtruara me mozaikë. Pagëzimorja është në formë rrethore me diametër 13,5 metra e brendashkruar në një kuadrat me dy rrathë kolonash graniti. Figurat e mozaikut, që pasqyrojnë kryesisht botën shtazore, janë vendosur në 96 medalione në 7 rrathë bashkëqendrorë që ndërpriten nga skena e shenjtë e pagëzimit dhe e eukaristisë. Salla mendohet të jetë mbushur me sistem qemeresh e me kupolë qendrore mbi kolonat. Pagëzimorja dhe mozaikët e saj mendohet të jenë ndërtuar nga mesi i shek. VI. Edhe salla që gjendet nga ana veriore është e shtruar me mozaikë me figura shtazore dhe gjeometrike. Ajo ka formë drejtkëndëshe dhe mendohet të jetë ndërtuar pak më vonë se pagëzimorja. Këta mozaikë kanë vlera të veçanta për historinë e krishterimit dhe janë vepra të përsosura të artit kishtar. Bazilika e Butrintit është një monument i krishterimit të hershëm. Ajo është ndërtuar në shekullin VI pas Krishtit. Ruhen gati të plota muret rrethore dhe dyshemeja e shtruar me pllaka guri. Në gjendjen fillestare pjesa e altarit ka qenë e shtruar me mozaikë. (P. Thomo, Kishat pas bizantine në Shqipërinë e jugut, Tiranë 1998, fq. 22, 23).
Me interes është edhe mozaiku i Antigonesë në rrethin e Gjirokastrës. Mozaiku i Antigonesë është zbuluar nga arkeologu Dhimosten Budina në vitin 1974. (Dh. Budina, Mozaiku i trikonkës paleokristiane të Antigonesë, Iliria, VII-VIII, 1977-78, fq. 225-228). Dyshemeja e kishës ka përmasa 15×10 metra dhe është e shtruar me mozaikë, me ngjyrë të kuqe të zezë dhe të bardhë. Mozaiku përbëhet nga tri panele, të cilat ndahen midis tyre me disa breza me motive bimore dhe gjeometrike. Gurët e mozaikut janë marrë nga formacionet gëlqerore të zonës përreth. Mozaiku ka motive gjeometrike, si trekëndësha dhe rrathë të brendashkruar. Ka edhe motive nga bota bimore, si gjethe në trajtë zemre. Në motivet zoomorfe të panelit qendror të mozaikut bien në sy gjarpërinj të trashë, si edhe një kompozim i pazakontë, i cili paraqet një trup njeriu me kokë kafshe. Ky është Shën Kristofori me kokë qeni. (M. Zeqo, Kristofori-shenjtori me kokë qeni dhe David Delenica, Ballkan, 18 mars 2007, fq. 14-15). Mozaiku i bazilikës së Antigonesë daton në shek. V-VI pas Krishtit dhe është cilësuar si paraqitja më e hershme e Shën Kristoforit brenda dhe jashtë vendit. (Dh. Dhamo, Figura antropozoomorfe e mozaikut të Antigonesë, Monumentet 1/1981, fq. 149-154).
Shën Kristofori ka veshur një fustanellë mbi kallcat. Këto të fundit janë të qarkuara nga lidhëset e opingave. Mbi supe shenjti ka hedhur një pelerinë të qëndisur, që i varet në dy krahët. Me dorën e majtë përpiqet të godasë një gjarpër, i cili pasi e ka kafshuar e ka paralizuar, prandaj njërën dorë e ka lart dhe tjetrën e mban poshtë. Mbi figurën e Shën Kristoforit është shkruar emri i ktitorit: ΟδουλοςτουΘεουευξόμενοςΤρύγητοςύπεραύτούκαίτουοίκουαύτουέπλήρωσε “Shërbëtori i Perëndisë, Euzomeni Trigito e pagoi nga vetja dhe nga shtëpia”. Gjithashtu në anën e majtë gjendet një zog, i cili mban një lule në sqepin e tij. Ndërsa në anën e djathtë të panelit kryesor të mozaikut gjendet një fidan. Anash tij gjendet mbishkrimi: (Τη) σπουδητου (δο)ύυλούσουπρες(βυ)τέρουΔωροθέουσύναύτωτεδουληςσουτήςδιακονίσηςΝίκης, ετιδέκαίτουπροαναπαυσομένουΑλεξάνδρουΚύριε, μνήσθητιτουδούλουτουσυνσπουδάσοντος “…shërbëtorit tënd, priftit Dorotheos dhe shërbëtores tënde, dhiakes Nika?…për prehjen e Aleksandrit. Zot kujto shërbëtorin tënd Synepus?..”. Paneli i dytë paraqet një kantar prej të cilit dalin bisqe hardhie, që simbolizojnë eukaristinë hyjnore. Në panelin e dytë është shkruar emri i ktitorit të mozaikut: ΟδούλοςτούΘεούΑγαθοκληςυπέρεύχήςέποίησεν “Shërbëtori i Perëndisë, Agathokli, me lutje e bëri”. Mbishkrimi i katërt gjendet në pjesën fundore dhe lexohet me vështirësi. Ειςτηνναπάν(η)νΑνδωνίουτουβηματοςύπερτουδού(λουτουΘεου) Φιλητου “Me donacionin e Andhonitit ….për shërbëtorin e Perëndisë Filitin”. Në panelin e tretë gjenden peshq dhe ngjala. Mbi mozaik duken shenja djegieje, të cilat dëshmojnë se bazilika trikonshe e Antigonesë është djegur gjatë dyndjeve sllave të shek. VI pas Krishtit. (N. Ceka, Antigoneia, Qyteti i dashurisë së parë, Migjeni, Tiranë 2009, fq. 46-47).
Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit shquhen për një dekor të larmishëm zoomorf, bimor dhe gjeometrik. Në naos gjendet një mozaik, ku mbi një sfond me tesera të bardha gjenden bimë ujore dhe peshq të madhësive të ndryshme. Bisqet e bimëve dalin nga kornizat anësore dhe zgjaten në drejtim të qendrës. Ato përfundojnë me një lule trekëndëshe, në majën e së cilës janë tre gonxhe të kuqe. Sipër luleve dallohet një rrjetë peshkimi. Ndërmjet peshqve dallohet pjesa e përparme e një shpendi ujor. (U. Çikopano, Mozaikët paleokristianë dhe bazilika e Linit, Adelprint, Tiranë, 2013, fq. 28). Me mozaikë është shtruar dyshemeja e Pastoforit. Në qendër të mozaikut gjendet motivi i eukaristisë. Nga brendësia e një kantari dalin degët e pjergullës me gjethe dhe vila rrushi. Në të katër anët gjenden disa shpendë. Kunga është e mbushur me luspa peshku dhe mbi të gjenden gjethe zambaku.
Mozaiku paleokristian daton në fillim të shek. VI. Të bukur e me vlera artistike janë edhe mozaikët që janë zbuluar në rrethin e Sarandës, në rrënojat e Bylisit, në Polenë të Korçës e në Mesaplik të Vlorës etj. I vetmi mozaik parietal ose i punuar në mur i zbuluar në Shqipëri është ai i Paraklisit që ndodhet brenda në kapelën e amfiteatrit të Durrësit. (A. Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë, Uegen, Tiranë 2004, fq. 36-37).
Ai përbëhet nga dy panele në trajtë katërkëndëshe. Mozaiku i murit jugor ka përmasa 2.25×1.06 metra. Figura kryesore është perandori i Kostandinopojës Aleksandri (912-913), i cili paraqitet i veshur me një dollamë të gjatë deri në fundin e këmbëve. Mbi krye mban një kurorë mbretërore të stolisur me gurë perlash. Në dorën e majtë mban një glob, si simbol i pushtetit në tokë, ndërsa në dorën e djathtë mban një kryq. Në anën e djathtë të tij gjendet një mbishkrim: “O Zot ndihmo shërbëtorin tënd Aleksandrin”. Mozaiku me skenën e perandorit mund të jetë porositur prej vetë perandorit ose nga paria e qytetit të Durrësit. Anash perandorit paraqiten dy engjëj që mbajnë skeptra ndër duar. Pranë këmbëve të perandorit paraqitet një burrë dhe një grua, të cilët janë të përkulur ndaj tij. Duke i gjykuar nga veshja ata i përkasin klasës aristokrate.
Mozaiku që gjendet në murin perëndimor ka përmasa 2.25×1.06 metra. Skena përbëhet nga pesë figura, prej të cilave ruhen vetëm tri fragmente. Duke u nisur prej nënshkrimeve paraqitet Shën Sofia dhe Shën Irini, ndërsa shenjti i tretë nuk ka nënshkrim, por dallohet që është figurë burri. Figura e katërt ka qenë një engjëll, ndërsa figura e pestë është një grua. Engjëlli identifikohet prej një flete të ruajtur prej tij, ndërsa gruaja paraqitet shumë e dëmtuar prandaj mbetet e paidentifikuar. Në anën jugore të apsidës gjendet Shën Mëria me foshnjën në duar por është e dëmtuar. Duke u nisur nga përmbajtja dhe niveli artistik i mozaikëve ata datojnë në shek. XI. (Th. Popa, Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 2006, fq. 100-108). Këto mozaikë të artit paleokristian dëshmojnë për përhapjen e krishterimit në trevën e Ilirisë.
*Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar
