Nëse Greqia dorëzon në OKB në mënyrë të njëanshme hartat e ndarjes së kufijve detarë me fqinjët, Shqipëria do ta kundërshtojë atë.
“Gazeta Shqiptare” u referohet burimeve në Ministrinë e Jashtme shqiptare, të cilat citohen të kenë thënë “deri tani kemi konstatuar se nga pala greke ende nuk është ndërmarrë një hap i tillë në rrugë zyrtare. Ne do të shqyrtojmë me rëndësi të veçantë çështjen e do të bëjmë lëvizjen tonë në momentin që kjo nisëm do të konkretizohet, gjithmonë në interesin më të mirë të Republikës së Shqipërisë. Ne do të shqyrtojmë hapat që do të ndjekim vetëm në rast të deklarimit të njëanshëm të Greqisë në OKB”.
Pak ditë më parë, gazeta greke “To Vima” publikoi lajmin se Greqia po sheh mundësinë për të paraqitur në OKB koordinatat e kufijve detarë dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, të përcaktuara në mënyrë të njëanshme prej saj.
Ndërsa shefi i diplomacisë greke, Avramopulos deklaroi dje për mediat vendase se askush nuk mund ta kërcënojë Greqinë për një çështje të tillë.
“Për një çështje që është e drejtë sovrane e çdo vendi, askush nuk mund të na kërcënojë. Greqia është e vendosur për të mbrojtur interesat e saj, që janë të garantuara nga ligjet ndërkombëtare”, tha Avramopulos.