Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë i është bashkuar sot shqetësimeve të ndërkombëtarëve për mbajtjen e referendumit në Krime. MPJ e cilëson të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën ukrainase këtë referendum, ndërsa dënon çdo lloj deklarate që e cilëson rastin e Krimesë të ngjashëm me Kosovën.
“Ministria e Punëve të Jashtme së Republikës së Shqipërisë i bashkohet shqetësimit të shprehur nga komuniteti ndërkombëtar mbi paligjshmërinë dhe rrezikshmërinë e referendumit të deklaruar për t’u zhvilluar në Krime në datën 16 mars. MPJ vlerëson se ky referendum është i paligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Ukrainës dhe të drejtën ndërkombëtare dhe nuk mund të shërbejë si bazë për asnjë ndryshim të statusit të Krimesë”, thuhet në deklaratë.
Ndër të tjera, MPJ i bën thirrje Rusisë “që të ndalojë veprimet në mbështetje të kësaj iniciative të rrezikshme, destabilizuese që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës”.
Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë çdo pretendim, se deklarimi i pavarësisë së Krimesë duhet të trajtohet në mënyrë të njëjtë si deklarimi i pavarësisë së Kosovës.
“Keqpërdorimi i Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, për të justifikuar ligjshmërinë e referendumit të propozuar në Krime, nuk ka asnjë bazë ligjore dhe asnjë ngjashmëri të rrethanave historike dhe faktike”, thuhet në njoftimin e saj.
Ministria e Punëve të Jashtme bën thirrje që palët të drejtohen menjëherë drejt zgjidhjes paqësore të këtij konflikti, nëpërmjet dialogut të drejtpërdrejtë dhe instrumenteve diplomatike dhe të kufizohen nga akte të njëanshme dhe retorika që rrisin tensionet.
