Industria e basteve po lëpin plagët financiare.
Kështu shkruan BBC, teksa i referohet fitores së kampionatit anglez nga surpriza Leicester.
“Në historinë e basteve, të paktën që kur janë legalizuar në vitin 1961, nuk ka ndodhur kurrë që të ketë një fitues me koeficient 5.000 me 1,” thotë Simon Clare nga kompania e basteve Coral.
“Çdo bastevënës po qan nga dhimbja”, tha ai.
William Hill sapo i pagoi një marangozi 39-vjeçar, 20 mijë sterlina pasi kishte vënë bast për ekipin e zemrës.
Leigh Herbert thotë se do të bëjë një festë të madhe, pasi kishte vendosur bast vetëm 5 sterlina.
E gjithë industria e basteve në Angli do të paguajë 20 milionë sterlina për fitoren e Leicester.
Coral humbi 2 milionë sterlina.
Por ndërsa të gjithë po flasin për mrekullinë Leicester, një prift thotë se e ka gjetur arsyen se përse ekipi i vogël fitoi kampionatin anglez.
Ai thotë se kjo ka ardhur falë një ndihmë hyjnore.
At Mario de Santis, nga Italia, thotë se trajneri italian i ekipit, Claudio Ranieri, besonte tek Shën Rita, shenjtorja e kauzave të pamundura.
At Mario beson se Ranieri i lutej vazhdimisht Shën Ritës dhe sugjeron se ajo ka qenë me lojtarët në fushë.
Ranieri mendohet se i dërgonte ekipet e tij në Rokaporena, vendin ku ka lindur Shën Rita.
Shën Rita lindi në Rokaporena të Italisë në vitin 1381.
Gjatë pagëzimit, ajo u rrethua nga një tufë me bletë të bardha.
Për këtë arsye, familja mendonte se ajo duhej t’i përkushtohej Zotit.
Bletët u futën në gojën e vogëlushes, por nuk e pickuan, çka bëri që familja të mendonte se ishte shenjë nga Zoti.
Rita hyri në manastir pasi i vdiqën dy djemtë.
Ajo ishte martuar me një bashkëshort të dhunshëm, që u vra.
Ajo i fali vrasësit e të shoqit në publik.
Ndërsa lutej në manastir, asaj iu bë një plagë e thellë në ballë.
Mendohet se ajo kishte kërkuar që të vuante si Krishti.
Plaga nuk iu shërua dhe ajo vuajti me dhimbje derisa vdiq nga tuberkulozi.
Shpesh në piktura portretizohet me plagë në ballë.


