Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi lidhur me procesin e vlerësimit të njohurive dhe aftësive të personelit infermieror në sistemin e kujdesit shëndetësor publik.
“Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen lidhur me këtë deklaratë, pasi z. Skënderi dhe institucioni që ai përfaqëson, UISH, kanë qenë që në krye të herës e në vijim, pjesë e konsultimit të vazhdueshëm të ministrisë së shëndetësisë për organizimin e këtij procesi vlerësimi. Në këtë kuadër, të gjitha sugjerimet e z. Skënderi dhe UISH-së janë tashmë pjesë integrale e rregullores për vlerësimin e njohurive dhe aftësive të personelit infermieror të kujdesit shëndetësor në respekt të plotë të frymës kolegjiale për shtyrjen përpara të kësaj nisme, duke shmangur konfliktin e mundshëm të interesit si rrjedhojë e përfshirjes jolegjitime të kreut të UISH-së në përbërje të grupeve të punës, thuhet në njoftimin për mediat.
“Është pjesë e kësaj rregulloreje, edhe sugjerimi i z. Skënderi lidhur me përcaktimin e mënyrës së shpërndarjes së fondit të pyetjeve për të gjithë punonjësit që do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të njohurive, ku 15% e tyre janë pyetje me karakter të përgjithshëm (etikë, komunikim, njohuri të sistemit shëndetësor, etj.), dhe 85%, pyetje që lidhen me formimin bazë infermieristik, siç është edhe sugjerimi për kohëzgjatjen jo më shumë se 60 minuta të procesit të testimit, apo edhe ai i ruajtjes së konfidencialitetit në mënyrën e administrimit të përgjigjeve”, vijon më tej reagimin e saj Ministria e Shëndetësisë.
Ministria kujdeset të theksojë se procesi i vlerësimit të njohurive dhe aftësive të personelit infermieror nuk do të cenonjë as marrëdhëniet e punës, dhe as vazhdimin e karrierës së këtyre punonjësve.
