Kalimi nga zodiaku te sistemi imunitar duket se është një urë e gjatë që lidh dy disiplina krejt të kundërta. Por në fakt, një studim i fundit argumenton se muaji në të cilin kemi lindur ka ndikim në mbrojtjen natyrale që ka organizmi ynë. Një grup studiuesish britanikë kanë kryer një studim, rezultatet e të cilit u publikuan në revistën “Jama Neurology”.
Studimi thotë se zhvillimi i sistemit imunitar të të porsalindurve dhe nivelet e vitaminës D tek të vegjlit variojnë në bazë të muajit të lindjes. Më fatlumët rezultojnë fëmijët e lindur në nëntor.
Ditëlindja dhe rreziku i sklerozës së shumëfishtë
Studimi i kryer nga shkencëtarët e universitetit “Queen Mary”, Universitetit të Londrës dhe atij të Oksfordit ofron bazën shkencore për pyetjen se pse rreziku i prekjes nga skleroza e shumëfishtë ndikohet nga muaji i lindjes.
Skleroza e shumëfishtë është një ndër sëmundjet më të rënda të sistemit imunitar. Sëmundja vjen si pasojë e sulmit që vetë sistemi imunitar kryen gabimisht tek sistemi nervor qendror. Shkaqet e sëmundjes nuk janë gjetur ende, por mendohet se ato janë fryt i një ndërveprimi kompleks mes geneve dhe ambientit. Edhe në të kaluarën, studime të ngjashme kanë treguar se ekziston një lidhje mes muajit të lindjes dhe rrezikut të shfaqjes së sëmundjes. Ky efekt është i dukshëm në mënyrë të veçantë në Britaninë e Madhe, ku një numër i lartë pacientësh rezultojnë të jenë të lindur në maj, ndërsa numri më i vogël i përket pacientëve të lindur në nëntor.