E premtja do të jetë dita e prezantimit të Shkëlqim Muçës në krye të stolit bardheblu. Klubi kryeqytetas nëpërmjet një komunikate bëri të ditur se trajneri i ri, që në fakt ka drejtuar dhe më parë Tiranës do të prezantohet me datë 5 Qershor në orën 12:00. Kjo do të jetë dhe dita në të cilën, Muça do të firmosë dhe kontratën me klubin duke i dhënë start dhe punës për sezonin e ri.
Prezantimi i Muçës do të bëhet në ambjentet e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe bashkë me të do të bëhet i ditur për mediat dhe projekti për sezonin e ri. Gjithashtu nëpërmjet deklaratës për shtyp, klubi njoftoi se asnjë trajner apo aksionar italian, apo futbollist të sponsorizuar nga menaxherë të ndryshëm nuk janë bërë dhe nuk do të bëhen asnjëherë pjesë e KF Tiranës duke hedhur poshtë zërat e qarkulluar ditët e fundit. Për Mucën, ky është një rikthim te Tirana, skuadër që e ka drejtuar në dy periudha të ndryshme, gjatë cilave ka fituar 8 tituj kampion dhe 4 Kupa të Shqipërisë.
