Këshilltari special Robert Mueller kishte njoftuar më herët se do të bëntë një deklaratë zyrtare në lidhje me çështjen e ndikimit rus në zgjedhjet presidenciale të SHBA. Deklarata e Mueller, ashtu si edhe raporti i tij më parë ishte “një bombë që nuk plasi” për politikën amerikane.
Në prononcimin e tij, Mueller tha se hetimi ishte mbyllur zyrtarisht dhe se ai jepte dorëheqjen nga Departamenti i Drejtësisë për t’iu kthyer jetës private.
“Ne jemi duke mbyllur zyrtarisht zyrën e këshillave të posaçme dhe po jap dorëheqjen nga Departamenti i Drejtësisë për tu kthyer në jetën private”, tha ai.
“Nëse do të kishim besim të plotë se presidenti në mënyrë të qartë nuk ka kryer këtë krim, do ta kishim thënë këtë,” nënvizoi Muller në deklaratën e tij.
Duke theksuar se një prej politikave të Departamentit të Drejtësisë ishte mospaditja e presidentit , ai shtoi se për këtë arsye ngarkimi i presidentit me një krim nuk ishte diçka e mundshme për këtë departament. Ai shpjegoi se ishte e “padrejtë” të akuzoje dikë për një krim, kur ky person nuk e kishte shansin të gjykohej dhe të mbrohej.
Në përfundim të deklaratës, Mueller tha se ai nuk e konsideronte të drejtë të fliste në lidhje me këtë çështje më tepër se sa ishte shkruar në raport dhe përtej deklaratës së tij të sotshme. Ai nënvizoi se edhe po të thirrej të dëshmonte para kongresit, ai nuk do të thoshte diçka përveç atyre që ishin në raport. Ai e mbylli fjalën e tij duke cituar raportin dhe tha: “ka pasur përpjekje të shumta sistematike për të ndërhyrë në zgjedhjet tona dhe këto përfundime meritojnë vëmendjen e çdo amerikani”.
Pak pasi Mueller e përfundoi deklaratën e tij, presidenti Donald Trump shkroi në Twitter në lidhje me të: “Asgjë nuk ndryshoi nga Raporti Mueller. Nuk kishte prova të majftueshme, dhe, prej kësaj, në vendin tonë, një njeri është i pafajshëm. Çështja u mbyll. Faleminderit!, ” bën me dije Dıta, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
