Pas rënies së Musolinit dhe krijimit të qeverisë Badoglio më 24 korrik 1943, kapitullimi i Italisë nga lufta ishte një çështje kohe. Dy ishin skenarët e mundshëm: zbarkim i aleatëve në brigjet shqiptare ose Shqipëria do të pushtohej nga ushtria gjermane. Në këtë kuadër, gjermanët e ndiqnin me kujdes situatën në Shqipëri. Cilat ishin planet e gjermanëve për Shqipërinë, çfarë raportonte konsulli i përgjithshëm gjerman në Tiranë, Schliep, për Marrëveshjen e Mukjes dhe çfarë është më e rëndësishmja, cili ishte qëndrimi i forcave politike shqiptare kundrejt gjermanëve dhe kundrejt njëra-tjetrës para, gjatë dhe pas Mukjes, janë pyetjet që gjejnë përgjigje në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, Berlin.
Dobësimi i makinës italiane të luftës në verën e vitit 1943, shfaqej dukshëm edhe te trupat italiane në Shqipëri. Sipas raporteve të shërbimit të fshehtë ushtarak gjerman, qysh në muajin maj 1943, bashkëpunëtorët e këtij shërbimi në Tiranë – siç ishte edhe ish–oficeri i ushtrisë austro-hungareze, inxhinieri Pan – raportonin për mungesën e theksuar të disiplinës dhe gjendjen kaotike në ushtrinë italiane. Po ashtu, ata raportonin se “personalitete seriozë shqiptarë, si p.sh anëtarët e Komitetit Kombëtar të Vlorës, Vllamasi [Sejfi] dhe të tjerë, tremben se, në rast të një zbarkimi të mundshëm të anglo-amerikanëve, trupat italiane jo vetëm që nuk do të luftonin, por madje do ta prisnin kundërshtarin me lule, sepse kësisoj për ta do të mbaronte lufta e pashpresë” . (PA/AA Rom Quirinal, Bd.130)
Gjithmonë sipas këtyre dokumenteve, situata politike në verën e vitit 1943 shfaqej e tensionuar, megjithëse hera-herës kishte edhe ndonjë periudhë stabilizimi të përkohshëm të saj. Gjatë bisedave të shumta që personeli i legatës gjermane organizonin «ashtu si rastësisht» me shqiptarë të pushtetshëm, si edhe nëpërmjet propagandës që bënte kjo legatë, te bashkëbiseduesit shqiptarë ishte krijuar bindja se, rënia e Gjermanisë, do të shënonte padyshim edhe fundin e shqiptarizimit! Sado paradoksale që ishte kjo propagandë, arsyet e saj të suksesit duhen kërkuar jo vetëm në organizimin mjeshtëror e në fshehtësi të saj, por po ashtu edhe në çarjen e madhe gjithmonë e në rritje ndërmjet nacionalistëve dhe komunistëve. Si pasojë e kësaj propagande të suksesshme, në këtë kohë nuk u regjistrua asnjë sulm i çetave nacionaliste ndaj aleatëve të Gjermanisë, ushtrisë italiane, – gjë që ishte edhe synimi i kësaj propagande.
Ndonëse në pranverën e vitit 1943, italianët shënuan disa suksese në rrafshin ushtarak, siç ishte organizimi i xhandarmërisë shqiptare në prill 1943 dhe kryerja në Kosovë e mobilizimit në ushtrinë shqiptare e tre vitlindjeve, legata gjermane në Tiranë arrinte në përfundimin se “në shumë qarqe nacionaliste shqiptare ende shpresohet se, nga kjo situatë e rrezikshme mund të dilet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me gjermanët. Gjithashtu, ata [nacionalistët], shpresojnë të gjejnë një argument për këtë bashkëpunim, për të proceduar kundër disfatistëve të shumtë, anglo-amerikanëve dhe komunistëve”. (PA/AA Rom Quirinal, Bd.130)
Në fakt, tendencat e nacionalistëve shqiptarë për t’u afruar, apo bashkëpunuar me gjermanët, daton më herët se viti 1943! Dokumentet gjermane hedhin dritë mbi një takim të fshehtë e të panjohur deri tani, të Vehbi Frashërit me këshilltarin gjerman për çështjet etnike në shtabin e Komandantit të Përgjithshëm gjerman në Serbi, në datën 7 dhjetor 1942. (PA/AA, Akten der deutschen Gesandschaft Tirana).
Përveç kërkesës së Frashërit që biseda të mbahej e fshehtë, ai i parashtronte bashkëbiseduesit të tij disa qëndrime të nacionalistëve shqiptarë, përsa i përket një kapitullimi të mundshëm të Italisë nga lufta. Gjithmonë sipas Frashërit, nënshkrimi i një paqeje me kushte të veçanta ndërmjet Italisë dhe kundërshtarëve të Gjermanisë do të rriste ndikimin e Anglisë në Mesdhe. “Prandaj, ose ndoshta pikërisht për këtë arsye, qarqet nacionaliste shqiptare shpresonin ende që, me ndihmën e Gjermanisë, [ata] të hidhnin tej sundimin italian” shprehej V. Frashëri. Madje Vehbiu e ngacmoi më tej bisedën duke thënë se: “Në Shqipëri është krijuar një numër çetash të vogla e të armatosura – rreth 20 të tilla – që janë të shpërndara në gjithë Shqipërinë dhe zbatojnë pa hezitim urdhrat e komandës së organizatës së fshehtë nacionaliste shqiptare. Drejtuesit e kësaj organizate janë të gatshëm të kryejnë gjithçka që Gjermania kërkon prej tyre. Ata po qëndrojnë në gatishmëri për kohën kur rrugët e Gjermanisë dhe Italisë do të ndahen”. (PA/AA, Akten der deutschen Gesandschaft Tirana).
Sigurisht që bashkëbiseduesi gjerman, duke i qëndruar besnik aleancës me Italinë, nuk i dha asnjë shpresë Frashërit për një ndërhyrje ushtarake të Gjermanisë qysh në këtë kohë në Shqipëri. Madje, ai u kujdes që të mos i krijonte Vehbiut asnjë iluzion për një mundësi të tillë.
Kjo organizatë e fshehtë nacionaliste, nuk mund të jetë tjetër veçse Organizata e Ballit Kombëtar. Dokumenti i sipërcituar na jep dy mesazhe të rëndësishme. E para, në të jepet një e dhënë plotësuese për kohën e krijimit të Ballit Kombëtar. Përderisa Vehbi Frashëri e quan ende organizatë të fshehtë, Balli Kombëtar nuk mund të jetë krijuar kahershëm, qysh në vitin 1939, por pikërisht gjatë muajit nëntor 1942 – siç edhe shprehet numri më i madh i studiuesve, vendas e të huaj. Sigurisht që, krijimi i një organizate politike është një proces i gjatë, por gjithsesi, pretendimi se organizata e Ballit Kombëtar erdhi në jetë fill pas pushtimit italian të Shqipërisë, nuk qëndron. E dyta, dhe më e rëndësishmja: Në dokument lexohet që, drejtuesit e kësaj organizate, dmth. të Ballit Kombëtar, të paktën qysh në fundvitin 1942, e shikonin të ardhmen e Shqipërisë me Gjermaninë dhe jo në aleancë me Britaninë e Madhe, pra me aleatët anglo-amerikanë! Kjo gjë jo vetëm që tregon «miopinë politike» të Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës do të përcaktohej edhe fati i Shqipërisë, por po ashtu është tregues i politikës së çoroditur dhe të paunifikuar të Ballit Kombëtar. Të lidheshe me Gjermaninë në këtë kohë, ishte vetëvrasje politike. Fakti që, pas pushtimit gjerman, Balli Kombëtar bashkëpunoi me ta, nuk le shteg për dyshimin, nëse V. Frashëri ishte dërguar vërtet prej Ballit në këtë takim.
Që në qarqet nacionaliste shqiptare në fundin e vitit 1942 ekzistonte një mendim se Italia do të ndahej nga lufta, shkruan në kujtimet e tij edhe konsulli gjerman Schliep. Ndër të tjera ai hedh dritë mbi një informacion që Ekrem Bej Vlora i kishte dhënë atij në fund të nëntorit 1942. Duke shfrytëzuar pozitën e tij të afërt me instancat e larta drejtuese italiane në Tiranë, ai njoftonte se, Ciano-ja, me ndërmjetësinë e Vatikanit, do të bënte armëpushim nëse Gjermania do të tërhiqej nga Afrika e Veriut: “Ambasadori von Mackensen [ambasadori gjerman në Romë] u tmerrua nga njoftimi im. Më vonë e nisi lajmin [tim] në Ministrinë e Jashtme me raportin bashkëngjitur, në të cilin shkruhej se, mesa duket, përsëri bëhet fjalë për një tentativë të palës shqiptare për të përdorur Rajhun kundër Italisë”, shkruan konsulli Schliep. (PA/AA Nachlass Dr. Martin Schliep).
Siç u theksua qysh në krye të shkrimit, në situatën e krijuar, zbarkimi i trupave aleate në Shqipëri apo pushtimi i Shqipërisë nga trupat gjermane ishin çështjet më të diskutuara. Po ashtu, të paktën për forcat nacionaliste, një opsion i hapur ishte edhe rrëmbimi i pushtetit nga komunistët, të cilët në këtë kohë përbënin edhe forcën politike më të organizuar në vend. Strategjia pragmatike e njohur e Ballit Kombëtar e «aurea mediocritas» (shqip: rrugës së mesme, mesit të artë), e cila bazohej mbi mosbashkëpunimin me italianët, por edhe mbi qëndrimin ushtarak pasiv ndaj tyre, nuk rezultoi efikase, ose të paktën jo shumë produktive, për fuqizimin e këtij kampi politik. Ky fakt, i përforcuar edhe nga mendimi se, deri në verën e vitit 1943, FNÇ-ja përbënte të vetmin grupim që kishte luftuar në mënyrë aktive ndaj pushtuesve italianë, e shtyu Ballin Kombëtar të pranonte negociatat e nxitura nga misioni aleat me palën tjetër, e sidomos tani, kur zbarkimi aleat në brigjet e Shqipërisë ishte një opsion strategjik tejet i diskutuar. Pra, Balli Kombëtar, nxitoj të shndërrohej– ndonëse me vonesë – në protagonist kryesor i luftës kundër pushtuesve italianë, tashmë në pikëpamje ushtarake të shpartalluar dhe politikisht pa krye!
Po ashtu, në rast se në Shqipëri vinin gjermanët, çka Vehbi Frashëri ua kishte kërkuar atyre në emër të Ballit Kombëtar qysh në dhjetor 1942, apo siç raportonte konsulli Schliep edhe në 20 prill 1943, përsëri drejtuesit e Ballit mendonin se ata do të përfitonin politikisht. Mesa duket, ky afrimitet i shfaqur ndaj gjermanëve, ishte edhe një ndër shumë shkaqet e përçarjes mes protagonistëve kryesorë të Ballit. Krahu i luftës kundër pushtuesve, kryesuar nga Safet Butka, nuk binte dakort me këtë qëndrim. Në ndryshim nga krahu tjetër i bashkëpunimit me pushtuesin, Prof. Butka nuk e shikonte të ardhmen e Shqipërisë në krah të Gjermanisë. Kësisoj, Schliep-i raportonte, ndonëse në mënyrë të përgjithësuar se, “shqiptarët [nënkuptohen nacionalistët] si orientalë të vërtetë, janë në përgjithësi oportunistë dhe pjesa më e madhe e tyre nuk besojnë më në fitoren e Boshtit Qendror. Megjithatë, ata tregojnë kujdes dhe kanë besim te Gjermania dhe gjermanët. Meqenëse për momentin dëshira për të shpëtuar nga zgjedha italiane është shumë e madhe, ndoshta shqiptarët do ta mirëprisnin si dhuratë pavarësinë. Përsa i përket një bashkëpunimi pozitiv, ka dyshime. Se deri ku do të shkojë kjo shoqëri platonike mbetet për t’u parë sidomos tani, kur armiku po afrohet. Shqetësimi se Shqipëria mund të kthehet në një shesh lufte, diskutohet në rrethe shumë të gjera. Kundër armiqve [aleatëve anglo-amerikanë] shumica e shqiptarëve të vjetër [Shqipërisë së vitit 1913] nuk do të lëviznin as gishtin e vogël për të na ndihmuar”. (PA/AA R27772)
Ky oportunizëm i skicuar nga konsulli Schliep karakterizoi politikën zyrtare të Ballit Kombëtar gjatë gjithë luftës. Siç edhe shkruhet në dokumentin e mësipërm, në rrafshin politik ndërkombëtar, tendenca e Ballit shkon drejt balancimit të marrëdhënieve, si me Aleatët ashtu edhe me gjermanët. Në rend të ditës ishte politika opsionale, ose e dyerve të hapura. Parë në këtë këndvështrim, rreziku më i madh për Ballin Kombëtar shfaqej në zhvillimet e brendshme, në fuqizimin e PKSH dhe ushtrisë partizane. Këtë rrezik kjo organizatë tentoi ta neutralizonte në Mbledhjen e Mukjes.
Për t’i hapur rrugën negociatave, Balli Kombëtar u distancua në verën e vitit 1943 nga mbështetja që i kishte dhënë qeverisë kolaboracioniste shqiptare dhe më pas kaloi në propagandë të hapur antiqeveritare, duke forcuar edhe çetat balliste.
Edhe Partia Komuniste kishte interesat e saj në këtë bashkëpunim. Së pari duhet theksuar se Komiterni udhëzonte kryerjen e një lufte të bashkuar në një front të vetëm kundër gjermanëve dhe së dyti, ishte edhe presioni i ushtruar nga oficerët ndërlidhës britanikë, të cilët e kërkonin me çdo kusht bashkëpunimin e shqiptarëve në një front të vetëm.
Ajo çka i ndante këto dy grupime nga njëra-tjetra ishte pikërisht mosbesimi i madh që kishin kundrejt njëri-tjetrit. Me të drejtë Schliep-i shkruante për Mukjen se “përveçse dëshirës së përbashkët për të luftuar kundër ushtrisë italiane, shqiptarët më tepër nuk e durojnë dot njëri-tjetrin dhe janë të përçarë”. (PA/AA R27772) Për Partinë Komuniste, Balli Kombëtar përbënte një grupim tradhtarësh, që kishin bojkotuar luftën ndaj pushtuesve italiane, madje që kishte bërë edhe marrëveshje me ta, siç ishte marrëveshja Dalmazzo-Këlcyra. Ndërkohë që, për palën tjetër, lufta nuk ishte asgjë tjetër veçse një instrument i komunistëve për të ardhur në pushtet.
Përfundimisht të dy palët ranë dakord dhe takimi i tyre u realizua së pari në Tapizë, më 26 korrik, e më pas në Mukje më 1–3 gusht 1943.
Delegatët e të dy palëve ranë në parim dakord për vazhdimin e përbashkët të luftës ndaj pushtuesve të huaj, duke miratuar krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, i përbërë nga 12 anëtarë, gjashtë anëtarë për secilën palë. Pikat kryesore të marrëveshjes ishin që lufta do të bëhej për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike, një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore. Më tej, pas mbarimit të luftës, do të ishte populli ai që do të përcaktonte formën e qeverisjes dhe po ashtu do të zgjidhte forcën politike që duhej të drejtonte vendin. Ajo që bie në sy në marrëveshjen e arritur është fakti që, Partia Komuniste e kishte humbur rolin e saj drejtues të luftës. Balli Kombëtar kishte dalë i fituar nga negociatat. Në organet e dala nga Mukja, komunistët ishin në minorancë.
Numrin e ardhshëm do të ndiqni:
-Rëndësia e Mukjes për politikën gjermane
-Si e analizonte ngjarjen konsulli Schliep
-Planet e Ballit Kombëtar kundër komunistëve që në pranverë ‘43
-Vizioni miop politik i nacionalistëve shqiptarë
Vijon numrin e ardhshëm

Shkrim perralle pleqsh per pleq pensioniste. Kush i di, le t’a perktheje ne Shqip dhe t’ia dergoje ketij profesori pensionist fjalet: nacionalist, komunist. E. Hoxha ishte injorant, i pashkolle. Si u be ai strateg ushtarak? Ne çfar beteje mori pjese? Cilen beteje planifikoi ai?
MUKJA ISHTE BASHKIMI I SHQIPETAREVE GJATE LUFTES II-TE BOTERORE.
DUSHAN MUGOSHA DHE MILADIN POPOVIC, NUK MUND TA PERTYPNIN QE SHQIPETARET TE BASHKOHESHIN, DHE I DHANE URDHER TE PRERE ENVERIT TA “DENONCONTE” MUKJEN.
KJO ESHTE GJEJA KRYESORE QE DUHET TE THUHET PER MUKJEN, CUDI SI NUK E PERMEND PSEUDO-STUDIUESI.