Stimuli fiskal, një ide e mbrojtur fillimisht nga Xhon Kejnsi, ka dalë dhe ka hyrë shpesh nga moda, shkruan The Economist…
Në kulmin e krizës së Euros, me bonot qeveritare të “infektuara” në Europën Jugore dhe me vonesat në pagesa, Banka Qendrore Europiane dhe vendet anëtare të “shëndetshme” të monedhës së përbashkët u përpoqën që të shmangnin fatkeqësitë, duke i ofruar shpëtim. Por kjo ndihme vjen nën disa kushte, më së shumti nën kushte shtrënguese fiskale, duke u përpjekur që të vendosin financat publike në një rrugë të qëndrueshme.
Disa prej ekonomistëve argumentojnë se shkurtimet në buxhet janë një domosdoshmëri, fatkeqësisht. Të tjerë thonë se shkurtimet mund të jenë antiproduktive, duke ulur rritjen dhe rrjedhimisht dhe të ardhurat qeveritare, duke i lënë vendet e prekura më të varfra dhe të zhytura në borxhe.
Në 2013, ekonomistët e FMN-së dhanë gjykimin e tyre për këto programe të ashpra: ato kishin shkaktuar më shumë dëm ekonomik se sa qe parashikuar në fillim, përfshirë dhe Fondin vetë. Çfarë kishte bërë gabim FMN-ja kur kishte bërë vetë në fillim parashikimin optimist? Kishte nënvlerësuar dramatikisht multiplikatorin fiskal.
Multiplikatori është një ide mjaft e debatuar. Është një element kritik i makroekonomisë Kejnsiane. Në 80 vitet e fundit, rëndësia që i është dhënë, është luhatur së tepërmi. Fillimisht u pa si një çështje e rëndësisë themelore, më pas si një nocion mosbesues. Tashmë është kthyer përsëri në modë.
Ideja e një multiplikatori doli nga argumentet intensive se si do t’i përgjigjeshin depresionit. Rreth viteve 1920, Britania ishte zhytur në krizë ekonomike. Lufta e Parë Botërore e kishte lënë vendin me çmime të larta dhe një paund të dobësuar. Qeveria ishte e vendosur për të rimëkëmbur paundin në vlerën e tij të paraluftës. Për këtë, ajo mbajti politikën monetare shumë të shtrënguar, duke nisur kështu një periudhë të tejzgjatur deflacioni dhe dobësie ekonomike. Ekonomistët e asaj periudhe debatuan në lidhje me mundësitë që kishin për të përmirësuar kushtet e punëtorëve që vuanin. Mes sugjerimeve ishte dhe një program mbi investimet publike, që sipas disa mendimeve, do të punësonte të papunët britanikë.
Qeveria britanike nuk do ta pranonte një gjë të tillë. Kishte përqafuar urtësinë tradicionale të atyre ditëve – të quajtur shpesh “pikëpamja e thesarit”. Besohej se shpenzimet publike, financuar nëpërmjet borxhit, nuk do ta zhvillonin ekonominë në tërësi, sepse oferta e kursimeve në dispozicion për huamarrje është fikse. Nëse qeveria e mobilizonte kapitalin për ndërtimin e rrugëve të reja, rrjedhimisht, do t’u privoheshin firmave private e njëjta sasi parash. Shpenzimet e larta dhe punësimi në një pjesë të ekonomisë do të sillte shpenzime më të ulëta dhe punësim më të pakët në një tjetër.
Ndërsa bota rrëshqiste në depresion dhe kriza e ekonomisë britanike thellohej, u shtuan zërat që vinin në diskutim këtë qasje. Në 1933, Baron Kahn, një ekonomist britanik, nxori një publikim ku përqafonte një teori alternative: që shpenzimet publike do të jenë shkaku kryesor i rritjes prej shpenzimeve direkte, por gjithashtu do të ketë pasoja të dobishme. Ndërtimi i një rruge, rrjedhimisht i nxjerr punëtorët nga bataku i varfërisë dhe bën që ata të rrisin shpenzimet e tyre personale, sipas Kahn, si rezultat kjo do të çojë në një rritje totale të punësimit.
Publikimi i Kahn ishte në të njëjtën vijë mendimi me atë të Xhon Kejnsit, ekonomisti kryesor britanik i atyre ditëve, që ndërkohë po punonte mbi atë çka më vonë do të cilësohej si kryevepra e tij: “Teoria e përgjithshme e punësimit, interesave dhe parasë”. Në të, Kejnsi jepte një llogaritje më të plotë se si multiplikatori do të funksiononte, si dhe mënyrën se si do të bënte të mundur rimëkëmbjen e ekonomisë.
Kejnsi kishte një karakter të pazakontë dhe ishte një nga mendimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20. Ai ishte shumë pranë figurës së një patriarku, me kostumet prej stofi të leshtë dhe me cirka dhe mustaqet tipike të lordëve britanikë. Gjithsesi, ai kishte një shpirt të lirë dhe shoqërohej me artistët dhe shkrimtarët e kohës. Kejnsi këshilloi qeverinë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe mori pjesë në Konferencën e Paqes në Versajë, e cila përfundoi me ndëshkimin e Gjermanisë për pagimin e dëmshpërblimeve, si masa ndëshkuese ndaj saj. Kjo përvojë ishte dekurajuese për Kejnsin, i cili për këtë shkroi një numër të madh esesh, mbi rreziqet e asaj marrëveshjeje dhe për sistemin ekonomik të pas-luftës në përgjithësi.
I acaruar pasi nuk mund të ndryshonte mendjet e atyre që ishin në pushtet dhe nga thellimi i recesionit global, Kejnsi shkroi një vepër të madhe letrare ku kritikonte konsensusin ekonomik dhe ku hidhte një alternativë. Ai e pozicionoi Teorinë e Përgjithshme si një tekst revolucionar dhe e provoi që në të vërtet ishte një i tillë.
Libri është i mbushur me pikëpamje ekonomike. Gjithsesi, kontributi i tij më i madh mbetet arsyetimi mbi propozimin që kur një ekonomi po funksionon poshtë nivelit të punëzënies së plotë, kërkesa në vend të ofertës përcakton nivelin e investimeve dhe të të ardhurave kombëtare. Kejnsi supozoi se kishte një efekt të multiplikatorit nga ndryshimi në shpenzimet për investim. Një shtim i vogël parash në shpenzimet qeveritare, rrjedhimisht do të shtonte të ardhurat e vendit. Fillimisht këto para do të shkojnë te kontraktorët, furnizuesit, shërbimet civile dhe marrësit e ndihmave sociale. Në këtë mënyrë do të ktheheshin shpenzimet në të ardhura shtesë. Përfituesit e këtyre shpenzimeve do të përhapnin efektin, duke shtuar aktivitetin ekonomik, e kështu me radhë. N.q.s. qeveria shkurton shpenzimet, efektet negative do të shumëfishoheshin në të njëjtën mënyrë.
Kejnsi mendoi se pikëpamja e tij ishte veçanërisht e rëndësishme për shkak të asaj që ai e quajti “preferencë likuiditeti”. Ai mori në konsideratë se njerëzit preferojnë që të vënë mënjanë disa asete likuide, mundësisht në para, në rast të ndonjë urgjence. Në kohë trazirash financiare, kërkesa për mjete monetare dhe ekuivalentet e tyre rritet, investitorët fillojnë të shqetësohen më shumë në lidhje me kthimin e kapitalit se sa kthimin mbi të. Kejnsi shtoi se kjo mund të çojë në një “tepri të përgjithshme”: në një botë ku gjithkush përpiqet të ketë sa më shumë para, të shkurtojë shpenzimet, që përkthehet në shkurtim të prodhimit dhe të të ardhurave, duke përkeqësuar situatën e njerëzve.
Në këtë botë, ulja e normave të interesit për të stimuluar rritjen nuk ndihmon shumë. Gjithashtu nuk janë normat shumë të ndjeshme për të rritur borxhin qeveritar, duke marrë parasysh teprinë e kursimit. Shpenzimet qeveritare në zhvillimin e ekonomisë do të krijonin një rritje të madhe të punësimit, për një rritje të papërfillshme të normave të interesit. Ekonomistët e shkollës klasike menduan se shpenzimet do të mbledhin investimet private; Kejnsi tha se gjatë periudhave të dobëta kërkesa mund të reflektohet në shpenzimet private, nëpërmjet efektit të multiplikatorit.
Arsyetimi i Kejnsit u afirmua nga ndikimi ekonomik që pati rritja e shpenzimeve qeveritare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shpenzimet e mëdha ushtarake në Britani dhe Amerikë kontribuuan në rritjen ekonomike. Kjo, e kombinuar me vendosmërinë për të parandaluar përsëritjen një depresioni të mundshëm, i shtyu politikëbërësit që të adoptonin ekonomiksin kejnsian, si dhe multiplikatorin, si element kryesor të rregullimit të pasluftës. Disa ekonomistë të tjerë vazhduan aty ku e la Kejnsi. Alvin Hansen dhe Pol Samuelson strukturuan ekuacionin për të parashikuar se si një rritje apo rënie në shpenzime në një pjesë të ekonomisë do të përhapet në të gjithë ekonominë. Qeveritë e morën të mirëqenë se menaxhimi i kërkesës ekonomike ishte përgjegjësia e tyre. Në 1960-n, fitorja intelektuale Kejnist dukej sikur u përmbush. Në një histori të publikuar në revistën ‘Time’, publikuar në 1965, Milton Friedman deklaroi: “Tashmë jemi të gjithë kejnsianë”.
Por dakordësia kejnsiane u përça në 1970. Dominimi i saj u gërrye nga idetë e Friedmann, që bëri lidhjen ndërmjet cikleve të biznesit dhe me rritjen apo dhe rënien e ofertës monetare. Multiplikatorët e zbukuruar të Kejnsit nuk ishte e thënë që mbajnë ekonominë në rrugën e duhur, shtoi ai. Në vende të kësaj, qeveritë duhet thjesht të ndjekin një politikë të qëndrueshme të rritjes së parasë.
Një sfidë edhe më e madhe vjen nga urgjenca e shkollës ekonomike e pritshmërisë racionale, e udhëhequr nga Robert Lucas. Ekonomistët e pritshmërisë racionale supozonin se politika fiskale do të minohet nga taksapaguesit largpamës. Ata do të kuptojnë se borxhi i shtuar do të duhet të ripaguhet dhe stimuli i sotshëm do të kërkonte taksa më të larta nesër. Ata duhet t’i ruajnë të ardhurat e fituara si rezultat i stimulit, në mënyrë që të paguajnë faturën. Multiplikatori i shpenzimeve qeveritare do të jetë afër zeros, ku çdo dollar i shtuar kompensohet nga rritja e kursimeve.
Debatet mes shkollave
Ekonomistët pas gjithë këtyre kritikave u mblodhën në një kolegj në Amerikë, me shumë gjasa në Universitetin e Çikagos. Për shkak të afërsisë me liqenet e mëdhenj të Amerikës, qasja e tyre që ndal makroekonominë do të njihej si shkolla e “ujit të ëmbël”. Ata diskutuan se modelet makroekonomike duhet të fillojnë me ekuacionet që përshkruajnë se si individët racionalë marrin vendimet. Përvoja ekonomike e viteve ’70 mbart kritikat e tyre ndaj Kejnsit: kërkuan që të rrisnin me ritëm të ngadaltë ekonominë duke përdorur stimuj fiskalë dhe ekonomikë, për të gjetur se inflacioni dhe normat e interesit u rritën, si dhe papunësia mbeti e lartë.
Ekonomistët e shkollës së “ujit të ëmbël” shpallën fitoren. Në një artikull të publikuar në 1979, të titulluar “After Keynesian Economics”, Robert Lucas dhe Tom Sargent, të dy fitues të çmimit Nobel, shkruan se të metat në modelin ekonomik të Kejnist ishin fatale. Modeli makroekonomik kejnsian ishte i pavlerë në politikën udhëzuese.
Këto sulme, nga ana tjetër, krijuan një grupim të ri, të ashtuquajtur “kejnsianët e rinj”, të cilët huazuan elemente nga qasja e shkollës së “ujit të ëmbël”, ndërkohë që mbajtën të pandryshuar besimin se recesionet qenë dështime të tregut që mund të rregullohen nëpërmjet ndërhyrjes së qeverive. Për shkak se shumica prej tyre qenë të vendosur në një universitet përgjatë vijës bregdetare, u quajtën ekonomistët e “ujit të kripur”. Më të shquarit prej tyre, si Stanley Fischer, sot zëvendës i Rezervës Federale, Larry Summers, ish-sekretar i Thesarit dhe Greg Mankië, kryetar i Këshillit të Ekonomisë. Në modelet e tyre, politika fiskale ishte shterp. Në vend të kësaj, ata argumentuan se bankat qendrore duhet të bëjnë punën e rëndë të menaxhimit ekonomik: duke ushtruar një kontroll të shkathët që do të anulonte efektet e shpenzimeve qeveritare dhe do të shtypte multiplikatorin.
Ende në Japoni, që nga vitet 1990, si dhe në pjesën më të madhe të vendeve të pasura, që pas recesionit që u pasua me krizën financiare globale, shkurtimi i interesave në zero ka provuar se është e pamjaftueshme për të ringjallur ekonomitë e lodhura. Shumë nga qeveritë iu kthyen stimulit fiskal për të nxitur ekonomitë e tyre.
Sikurse debati i ri mbi multiplikatorët është ndezur, soji i “ujit të ëmbël” është në terrenin e tyre. John Cochrane nga Universiteti i Çikagos tha për idetë e kejnsianëve në 2009: “Kjo nuk është pjesë e asaj që u është mësuar studentëve që nga 1960. Janë përralla për të cilat është provuar që janë gabim. Është e rehatshme që në kohë stresi, të kthehemi pas te përrallat që na kanë mësuar kur ishim të vegjël, por kjo nuk i bën më pak të pavërteta”.
Përvoja praktike e recesionit u ka dhënë ekonomistëve material të mjaftueshëm për të studiuar, gjithsesi. Rezultat e studimeve të ndryshme janë publikuar që nga 2008 për të llogaritur multiplikatorin fiskal. Shumë sugjerojnë se, me normat e interesit afër zeros, stimujt fiskalë kanë një multiplikator të paktën 1. FMN-ja, për shembull, arriti në përfundim se multiplikatori për kontraktimet fiskale shpesh ishte 1.5 apo edhe më shumë.
Sikurse shumë politikëbërës janë të angazhuar për konsolidimin fiskal, shumë ekonomistë sot bien dakord se stimujt e pamjaftueshëm fiskalë rreshtohen përgjatë dështimeve më të mëdha të periudhës së paskrizës. Zoti Summers dhe Antonio Fatas, për shembull, sugjerojnë, se kryesisht masat shtrënguese kanë reduktuar rritjen, duke çuar në nivele të borxhit publik që janë më të larta se po të ishin përdorur stimujt për të rigjallëruar rritjen. Dekada pas konceptit të tij, multiplikatori i Kejnsit është njëkohësisht i përshtatshëm dhe i diskutueshëm, si asnjëherë më parë. / Monitor
