Si e parashikoni fushatën elektorale? (OSBE ka thënë se do të jetë e egër)….
Fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme 2013 nuk e shoh shumë të ndryshme nga ato të kaluarat. Kjo do të thotë që jam pesimist. Në të kaluarën fushatat elektorale kanë vuajtur nga mungesa e debatit programator dhe nga mungesa e vullnetit për të njohur rezultatin e fituesit. Nuk shoh vërtetë gjasa që të ndodhë ndryshe kësaj here. Gjashte muaj para zgjedhjeve, në një vend të çfarëdoshëm europian, skena politike dhe mediatike “zien” nga ballafaqimi i premtimeve që bën secili kamp politik. Jo vetëm premtime ekonomike por nga tematikat më të ndryshme që prekin jetën e përditshme të qytetarëve. Në Francë vendin që njoh më mirë, debati u kap edhe në pikën nëse java e shkollës për fëmijët e vegjël duhet të jetë katër ditë apo pesë ditë. Në Shqipëri ende flitet për dosjen e Fierit që banori i Tiranës dhe aq më pak ai Kukësit ja kupton rëndësinë apo interesin. Kjo nuk do të thotë që në fushatën në Shqipëri nuk do të ketë debat. Përplasja do të jetë e egër por me orientim krejt ndryshe nga ai që shohim në vendet “normale” europiane. Nëse në Europë, politikani në fushatë thotë “votoni për mua se do t’ju ndryshoj jetën duke ndërmarrë këtë e atë masë”, n Shqipëri i njëjti politikan do të thotë “mos votoni për atë tjetrin, maskarain, hajdutin, etj”. Ju kujtohet besoj fushata e Ramës fajin e ka “Berisha”, apo fushata e Berishës “Nanon do ta varë në ruspë”. Kemi pra në Shqipëri një fushatë negative që merret me “ofertën” politike të kundërshtarit pa u preokupuar për ofertën e vetes së tij.
Në asnjë shtet europian normal, nuk mund të dëgjosh në fushatë, ato lloj sulmesh që në Shqipëri janë kthyer në normë: pala kundërshtare është mafioze, familja e saj po ka futur nën kthetra vendin, apo miqtë e ish-kryetarit të bashkisë kanë marrë lejet më të majme të ndërtimit e të tjera si këto. Është e pakonceptueshme në Europë që në një vend me prokurori e gjykata, një parti politikë në pushtet apo në opozitë të vihet në rolin e prokurorit. E pakonceptueshme. Kur OSBE-ja frikësohet se fushata do të jetë e egër, ajo të kjo pikë e ka frikën. Përplasja në fytyrë shoku-shokut jot e programeve politike por të akuzave për vjedhje. Çfarë qëndrimi mund të mbajë aty një OSBE a një Sekui apo ambasador i një vendi tjetër? As edhe një qëndrim pasi në vendet e tyre të origjinës, ka një tabu: politika nuk duhet të merret asnjëherë me akuza për vepra penale të kundërshtarit pasi ky nuk është atribut i pushtetit të saj po i drejtësisë. Edhe një njeri si Edi Rama që targetohet si politikan i ri, me ide europiane që ka jetuar një farë kohe në Europë, nuk ka arritur të dalë nga ky kurth dhe vazhdon të akuzojë pushtetin për dallavere. Nuk i takon atij, pikë. Ose Rama nuk ka besim ke drejtësia, besim qe nuk e ka normalisht një pjesë e madhe e shqiptarëve, dhe në këtë rast të hedhë propozime konkrete në këtë fushatë sesi do ta reformojë ai drejtësinë që ajo të bëhet neutrale. Ose Rama ka besim te drejtësia, t’i furnizojë asaj rregullisht prova nëse ka kundra pushtetit, por mos të bëhet “me katolik se papa”.
Pushteti është edhe më i kritikueshëm në këtë pike. Pasi ai jo vetëm që nuk mjaftohet me llafe e me sharje (i vetmi gur që ka në dorë opozita), por shkon dhe më larg duke bllokuar në mënyrën më flagrante punën e drejtësisë. Dëshmia më e qartë janë sulmet kundra Ina Ramës dhe mos nënshtrimi ndaj procedurave për hetimin ndaj 21 janarit. Kjo po ashtu është e paimagjinueshme në Perëndim. Në France prokuroria, hetoi ndaj Sarkozisë dhe rrethit të tij që kur ky qe President, dhe sot mbasi e ka mbaruar mbledhjen e provave (skandali Bettencourt i padrones së Orealit) ka thirrur për të marrë në pyetje Nikola Sarkozinë për të mësuar se ku është e vërteta. Kur Shqipëria të arrijë në këtë shkalle civilizimi demokratik, që prokuroria të mund të hetojë në gjithë rrethin e afërt të atij që drejton vendin dhe më pas ta marrë në pyetje e po qe nevoja t’i vërë prangat, atëherë po do të kemi fushata elektorale më të paqshme, ku politikanët do të mund të debatojnë për gjithçka përveç çështjeve me të cilat duhet të merret drejtësia dhe vetëm drejtësia. Pra për mua dhe njëherë fushata nuk do të ndryshojë nga e kaluara për nga temat që ajo do të trajtojë (korrupsioni), por si e thashë dhe më sipër për nga tendenca për të mos njohur rezultatin final apo për ta tjetërsuar atë.
Çuditërisht si në rastin e parë (të temave), edhe ky ngërç i dytë lidhet me drejtësinë. Partitë politike kanë tendencë edhe në këtë pikë të vihen në rolin e drejtësisë, gjë që prodhon ato që njohim të gjithë mos njohjen e rezultateve. Të hysh pra në fushatë me këtë raport që ekziston sot midis politikës në globalitet në Shqipëri nga njëra anë dhe drejtësisë nga ana tjetër, është një kohë e humbur. Për aq kohë sa nuk do të kemi një drejtësi të stabilizuar, do të kemi fushata të egra siç i quan OSBE-ja. Një ndeshje e mban arbitri, përndryshe ajo degjeneron në boks për pesë minuta. Të njëjtin përkufizim do t’i jepja dhe fushatës në Shqipëri. Mos të bëjnë pra gabim ta fillojnë pa zgjidhur problemin e arbitrit.
Genc Burimi