Prishja e raporteve mes sasisë së karbohidrateve, yndyrave, proteinave, vitaminave e kripërave minerale po bëhet shkak i shfaqjes së një sërë sëmundjesh të rënda në shëndetin e shqiptarëve. Referuar të dhënave të raportuara nga strukturat e shëndetit publik rezulton se shqiptarët vuajnë nga kequshqyerja, e cila po lë gjurmë të rënda në shëndetin e tyre. Balancimi i elementëve të përmendur më lart sipas një skeme të caktuar ndihmon në mbajtjen e një diete të shëndetshme që na ndihmon të jetojmë më gjatë dhe larg sëmundjeve.
Varfëria apo neglizhenca e theksuar në pasurimin e ditës ushqimore të përditshme është bërë shkak i shpërthimit të qindra sëmundjeve të ndryshme, të cilat kanë bërë edhe më të vështirë jetesën. Përballë këtyre treguesve bluzat e bardha po i mëshojnë gjithnjë e më shumë idesë së një diete të shëndetshme e pasur me të gjitha vitaminat, karbohidratet, yndyrat dhe proteinat e nevojshme, të cilat e mbrojnë organizmin nga të papriturat e hidhura.
Gjysma e energjisë që prodhohet nga dieta e përditshme duhet të ketë origjinën nga ushqime të pasura me karbohidrate. Konkretisht marrja e sasive të duhura të karbohidrateve shpesh herë neglizhohet, e cila më pas ndikon direkt në peshën trupore, nivelin e sheqerit në gjak. Mungesa e sasisë së duhur të karbohidrateve ndikon në shfaqjen e obezitetit, diabetit tip 2 dhe sëmundjeve të zemrës, kancerit të gjirit, si dhe të zorrës së trashë. Një ndër rekomandimet e bëra për një jetesë të shëndetshme është ndalimi i abuzimeve me yndyrat që janë vrasësit e heshtur që po dëmtojnë shëndetin e shqiptarëve në ditët e sotme.
Megjithatë duhet të dimë se jo të gjitha yndyrat janë të dëmshme, yndyrat e pangopura, mbrojnë organizmin nga sëmundjet e zemrës. Njëkohësisht edhe proteinat, janë mjaft të rëndësishme sepse marrin pjesë në formimin e antitrupave, duke forcuar sistemin imunitar, janë burim energjie dhe ndikojnë në mjaft funksione jetësore të organizmit të njeriut.
Trupi ynë ka nevojë për lloje të ndryshme proteinash, por asnjë ushqim nuk i përmban të gjitha këto lloje. Prandaj është e rëndësishme të hahen ushqime të ndryshme për të përthithur të gjitha proteinat që i duhen trupit.
Ndërkohë që vitaminat luajnë një rol të veçantë në mbarëvajtjen e punës së organizmit. Por, sot nuk ka asnjë ushqim ideal që i përmban dhe të jetë burim i të gjitha vitaminave. Ndaj sasia e domosdoshme e tyre mund të sigurohet nga dieta e përditshme. Ne rastin e këtyre mungesave mund të përdoren suplemente ose shtesa ushqimore për të ndihmuar parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve. Kategori të caktuara kanë nevoja më të larta për vitamina të cilat nuk mund të plotësohen nga burimet ushqimore të përditshme, ndaj nevojitet edhe përdorimi i suplementeve shtesë. Në këtë kategori bëjnë pjesë gratë shtatzëna, gratë në laktacion, fëmijët e vegjël deri në moshën e adoleshencës. Po ashtu dhe të moshuarit dhe vegjetarianët.
Vlerat e larta ushqyese gjenden tek perimet me gjethe e ngjyrë jeshile të errët
Perimet janë të pasura me vitamina A dhe C, si dhe përmbajnë sasia të konsiderueshme kalciumi hekuri kaliumi, magnezi e bashkë me kripëra të tjera minerale. Ky grup furnizon organizmin edhe me një sasi të caktuar karbohidratesh. Perimet me gjethe e me ngjyrë jeshile më të errët kanë vlera më të larta ushqyese. Konsumi i perimeve është i domosdoshëm për të ndaluar mungesën e vitaminës A dhe hekurit. Këto vitamina janë shumë të rëndësishme për vetitë e forta antioksiduese. Veti të cilat neutralizojnë efektin e radikaleve të lira që janë substanca të prodhuara gjatë proceseve normale të organizmit, por që janë shumë të rrezikshme nëse nuk neutralizohen. Radikalet e lira mendohen se luajnë rol në sëmundjet e zemrës, plakjen dhe sëmundjet kanceroze. Përveç vitaminës D trupi nuk mund ti prodhoje vete këto substanca, ndaj shfaqet e nevojshme që mungesat e tyre të plotësohen domosdoshmërish nëpërmjet dietës së përditshme ushqimore. konkretisht vitamina D prodhohet nga organizmi kur lëkura ekspozohet ndaj rrezeve të diellit. Mungesa e zgjatur e një lloj të caktuar ushqimi mund të çojë në shfaqjen e sëmundjeve siç mund të jetë mungesa e vitaminës A që çon në shfaqjen e verbimit.
Mungesa e vitaminës A, ushqimet ku gjendet me bollëk
Një dietë e varfër me vitaminë A ka efekte shumë negative tek shikimi duke shkaktuar edhe verbërim. Një nga shenjat e para të mungesës së vitaminës A është ulja e aftësisë shikuese pas perëndimit të diellit. Prindërit mund ta kuptojnë që fëmija ka këtë sëmundje pasi në muzg po qe se ka pak dritë fëmija nuk është në gjendje të njohë personat, nuk luan dhe lëviz me vështirësi. Fëmija, ose i rrituri, me këto simptoma duhet ti drejtohet mjekut. Për të parandaluar mungesën e vitaminës A duhet të konsumohen disa lloje ushqimesh që përmbajnë këtë vitaminë. Më të përdorshmet janë : qumështi i gjirit dhe ushqimet me origjinë shtazore si mëlçia, e kuqja e vezës, qumështi i lopës, zarzavatet me gjethe me ngjyrë jeshile të errët si spinaqi, dhe perimet me ngjyrë të verdhë e të kuqe (karrotat, specat, domatet). Duhet të theksojmë se edhe frutat e freskëta përmbajnë vitaminën A.
Vitamina D përgjegjëse për dobësimin dhe deformimin e kockave
Është një substance e cila bën të mundur formimin dhe ndërtimin e mirë të kockave dhe dhëmbëve. Kur vitamina D është e pamjaftueshme, shfaqet një sëmundje e cila quhet rakitizëm. Trupi ka dy burime të vitaminës D: “Ushqimor që sigurohet nga qumështi i gjirit, e i lopës, si dhe prodhimi i vitaminës D në lëkurë, kur ajo është e ekspozuar ndaj rrezeve të diellit”. Rakitizmi nga mungesa e vitaminës D është një sëmundje e cila karakterizohet nga kockat e buta dhe të holla, sidomos ato të kokës, nga deformimi kockave të këmbeve, krahëve dhe gjoksit. Këto shenja përmirësohen pas shtimit të vitaminës D në ushqim. Megjithatë rakitizmi nga mungesa e vitaminës D mund të parandalohet sidomos gjatë viti të parë të jetës me masat përkatëse siç është ushqyerja e përshtatshme dhe e ekuilibruar. Gjatë vitit të parë të jetës burimi ushqimor më i rëndësishëm i vitaminës D është qumështi i gjirit, ekspozimi i lëkurës së fëmijës në rrezet e diellit, veshja e fëmijës duhet të jetë e përshtatshme me moshën dhe me stinën, por gjithsesi rrobat nuk duhet ta mbulojnë plotësisht fëmijën. Kështu gjatë dimrit fëmija duhet të vishet në mënyrë të përshtatshme dhe kur ka diell, të paktën duart duhet të ekspozohen ndaj rrezeve të tij. Gjatë dimrit, kur ekspozimi në diell nuk zgjat shumë kohë, në ushqimin e fëmijës mund të shtohet vitamina D me pika nga goja.
Mungesa e Jodit shfaq deformime të trurit
Një dietë e varfër me jod është një ndër shkaqet e zhvillimit të vonuar psikik, si dhe deformimeve të trurit. Një shenjë e rëndësishme e sëmundjes që shkaktohet nga mungesa e jodit është shfaqja në qafë poshtë gushës e një mase nën lëkurë që i korrespondon zmadhimit të një pjese ose të gjithë gjëndrës që quhet tiroid. Mungesa e jodit në ushqim është një fenomen i zakonshëm që shfaqet në zonat larg detit. Në fakt kjo sëmundje është shumë e shpeshtë në zonat malore. Ushqimi me peshk dhe kripë deti mbron nga kjo sëmundje. Kohet e fundit u bë e qartë, që një mënyrë shumë e dobishme për të parandaluar këtë sëmundje është përdorimi (po qe se është e mundshme) i një lloj kripe së cilës i është shtuar jod, dhe që quhet kripe e jodizuar. Ndërsa për të mjekuar atë, është e nevojshme që vetë personi të shkojë tek mjeku sapo të shfaqet masa në qafë., pasi në varësi të ekzaminimeve që kryen mëson se çfarë trajtimi duhet të ndjekë.
Natyrisht që mirëqënia shëndetsore ka përparësi në jetën e çdo njeriu. Por a ka në Shqipëri një shtet që të kujdeset në sistem për shëndetin publik të qytetarit të vet? Jo. Sepse shteti në rradhë të parë duhet të funksionojë. Dhe shteti funksionon kur vë përparësi jetën e qytetarëve të vet. Por a ka përparësi qytetari në Shqipëri? Në fjalime po. Në realitet jo. Papunësia sjell varfëri jo vetëm materiale por edhe shpirtërore edhe shëndetsore. Kur njeriu nuk ka të ardhura të mjaftueshme dhe të vazhdueshme, nuk ka se si të llogarisë vitaminat, proteinat, karbohidratet, por blen për të mbajtur frymën! Kultura shëndetsore kultivohet me mirëqënie dhe jo me varfëri! Këtë doktori duhet ta dijë më mirë, se çfarë do të thotë kequshqyerje! Vajmedet se çfarë race po kultivojmë! Të kequshqyer, të varfër, të papunë!